Pneumonia është një inflamacion i indit pulmonar.Ajo mund të variojë nga pneumoni e lehtë tek e rrezikshme për jetën. Është më serioze për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, personat mbi moshën 65 vjeç dhe njerëzit me probleme shëndetësore apo me sistem imunitar të dobësuar.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 800,000 fëmijë në të gjithë botën vdesin në vit nga pneumonia, duke e bërë këtë sëmundje shkakun infektiv kryesor të vdekjeve të fëmijëve në botë.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e pneumonisë mund të përfshijnë:

  • Dhimbje kraharori kur merr frymë apo kollitesh
  • Paqartësi apo ndryshime në vetëdijen mendore (në personat mbi 65 vjeç)
  • Kollë, që mund të jetë dhe me sekrecione
  • Lodhje, pafuqi
  • Temperaturë, djersë dhe ethe
  • Temperaturë më të ulët se normalja ( në personat mbi moshën 65 vjeç dhe tek ata me sistem të dobët imunitar)
  • Marrje mendsh, të vjella dhe diarre
  • Vështirësi në frymëmarrje

Të porsalindurit dhe fëmijët shumë të vegjël mund të shfaqin shenja të infeksionit. Ose, ata mund të kenë të vjella, temperaturë dhe kollë, të mos kenë energji, apo të kenë vështirësi në frymëmarrje dhe ushqyerje.

Faktorët e riskut

Pneumonia mund të prekë çdokënd. Por, dy grupmoshat më të rrezikuara janë:

  • Fëmijët e moshës 2 vjeç ose më të vegjël
  • Personat mbi moshën 65 vjeç

Faktorë të tjerë risku përfshijnë:

  • Shtrimi në spital – shtrimi në spital e shton riskun për t’u prekur nga pneumonia. Sidomos nëse shtroheni në repartin e kujdesit intensiv apo nëse keni nevojë për makineri për të marrë frymë.
  • Sëmundjet kronike – ka më shumë gjasa të prekesh nga pneumonia nëse vuan nga astma, sëmundja pulmonare obstruktive kronike apo sëmundjet e zemrës.
  • Duhanpirja – duhanpirja dëmton mbrojtjen natyrale të trupit kundër bakterieve dhe viruseve që shkaktojnë pneumoni.
  • Sistemi imunitar i dobët – personat e prekur nga HIV/AIDS, ata që kanë organe të transplantuara, apo ata që i nënshtrohen kimioterapisë janë në risk më të madh.

Parandalimi

  • Vaksinohu – Ekzistojnë vaksina për parandalimin e disa llojeve të pneumonisë.
  • Praktiko higjienë të mirë – Për ta mbrojtur veten ndaj infeksioneve respiratore që mund të çojnë në pneumoni, lani rregullisht duart.
  • Shmangni duhanpirjen – Duhanpirja dëmton mënyrat natyrale të mbrojtjes që kanë mushkëritë ndaj infeksioneve respiratore.
  • Mbajeni të fortë sistemin tuaj imunitar – Bëni gjumë të mjaftueshëm, bëni rregullisht aktivitet fizik dhe konsumoni një dietë të shëndetshme ushqimore.