“Europa i bashkohet përleshjes globale për mineralet kritike”, mban titullin një artikull i publikuar së fundmi nga Reuters e që e vë theksin te fakti se, Europa po e humbet betejën globale për metalet dhe se këto të fundit janë duke i mbaruar. Në artikull përmendet edhe Shqipëria. “Kapaciteti prodhues i Europës, sidomos në fazën e rafinimit dhe të procesimit  është reduktuar ndjeshëm, sidomos nga konkurrenca me çmime më të ulta, kryesisht nga Kina.

Alarmin e ka ngritur së fundmi edhe shoqata europiane, Eurometaux. “Pesë vitet e ardhshme do të përcaktojnë nëse ne do të kemi sukses në rimëkëmbjen tonë në këtë drejtim, apo nëse të tjera rajone në botë do të futen në garë”-thotë shoqata. Të njëjtin mendim ndan edhe vetë Komisioni Europian. Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian ka detajuar një plan të gjerë, sidomos për të ulur varësinë nga importet, gjë që është ekspozuar ndjeshëm pas shpërthimit të pandemisë.  Bashkimi Europian është duke ndjekur tani të njëjtën rrugë si Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krijimin e zinxhirit të vetë furnizues të metaleve.

Unioni ka të hartuar një listë të mineraleve kritike, mes të cilave edhe platinin.  Pikërisht për këtë arsye, Komisioni Europian këmbëngul për integrimin e Ballkanit Perëndimor në zinxhirin europian të furnizimit, thotë Reuters, duke e arsyetuar këtë me faktin se, Shqipëria ka depozita platini. Edhe Serbia, sipas Komisionit Europian ka rezerva të një grupi metalesh kritike. Edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë rezerva të shumta mineralesh.

Roel Korkuti