Në platformë do të publikohen me bazë ditore çmimi i kuotave, vlera neto e aseteve dhe profili i riskut për secilin prej fondeve të pensionit dhe investimeve të licencuara në Shqipëri.
Bursa ALSE ka ngritur një platformë elektronike ku publiku do të gjejë informacion të qendërzuar për të dhënat kryesore të fondeve të pensionit dhe fondeve të investimit. Në platformë do të publikohen me bazë ditore çmimi i kuotave, vlera neto e aseteve dhe profili i riskut për secilin prej fondeve të pensionit dhe investimeve të licencuara në Shqipëri. Tabela e platformës parashikon edhe mundësinë e publikimit të normave të kthimit të secilit fond për periudha të ndryshme, në momentin kur vetëm shoqëritë administruese vendosin t’i bëjnë edhe këto të dhëna si pjesë të platformës në fjalë. Drejtori i Bursës ALSE, Artan Gjergji, tha se platforma është një hap në drejtim të rritjes së transaparencës financiare, por edhe të edukimit financiar.
“Kur e shohim nga këndvështrimi qytetarit, sigurisht një qytetar që është i interesuar të shoh të dhënat krahasimore të fondeve, e kishte pak të vështirë pasi duhet të bridhte nga një faqe interneti në tjetrën për të parë se sa ofron njëra kompani apo tjetra nga pikëpamja e normave të kthimit. Kjo nismë rrit transparencën financiare dhe e bën më user-friendly për konsumatorët. I bën goxha dobi pasi kemi tashmë të publikuara të gjitha të dhënat në një tabelë dhe konsumatori mund të shohë aty të gjitha produktet duke bërë edhe krahasimet, pasi një kompani ka disa produkte për të shfaqur.”
Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, tha se ky institucion ka prioritet hartimin e një dokumenti strategjik për zhvillimin e tregut të kapitalit në Shqipëri. Sipas tij, një nga hapat e parë në këtë strategji do të jetë vlerësimi i parametrave të kompanive publike, për të mundësuar listimin e disa prej tyre në Bursë, në modelin e vendeve të Rajonit.
“Një nga hapat e parë do të jetë vlerësimi i atyre kompanive shtetërore që mund të listohen nisur nga shëndetshmëria e tyre dhe parametrat siç ka qenë eksperienca edhe në një sërë vendesh të rajonit. Patjetër që do të duhet që edhe kompani kryesore private në vend, por edhe grupe kompanish, ku kam parasysh tatim-paguesit e mëdhenj, të vlerësojnë listimin e tyre dhe të bëhen pjesëmarrës në bursë.”
Bursa Shqiptare e Titujve u licencua në korrik të vitit 2017, ndërsa nisi operacionet në shkurt të vitit 2018, me tregtimin e letrave të borxhit të qeverisë shqiptare. Tashmë, Bursa ALSE dhe depozitari ALREG kanë ngritur të gjithë infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe teknike për të mundësuar listimin e titujve të kompanive private.