Gazeta “Tema” ka bërë sot një zbulim sipas të cilit prej kohësh ka një plan për të katapultuar Vetëvendosjen në Tiranë me synim përçarjen e të majtës. Sipas kësaj gazete që vetëreferohet në këtë shkrim, plani është hartuar nga “zyrat strategjike të Metës dhe Berishës”. Por këta të dy, që paskan edhe zyra strategjike po lënë t’u shkojë pak si ters ky investim, sepse Albin Kurti dhe aleatja e tij, Vjosa Osmani, po shprehin simpati dhe lidhje me të djathën. Pa dhënë ndonjë provë për këtë, gazeta vë në dukje gabimin që po bën Kurti me këtë sorollatje politike:

…çdo pjesë e një elektorati të majtë real në Shqipëri, që nuk ka pakënaqësi, do të votojë PS-në dhe nuk e bën më kaq kollaj të hedhë votën në një grupim tjetër, ngaqë u dogj në vitin 2005 dhe 2009, kur Ilir Meta u fut në qeveri me Sali Berishën. Aq më shumë kur asaj i është edhe shtuar historia e 12 viteve.

Hapja e një dege të Vetëvendosjes në Shqipëri, nuk është se i vlen shumë Albin Kurtit në politikën e Kosovës, pasi ai kërkon të vijë në pushtet në Prishtinë, e të mos krijojë telashe politike që mund të sjellin një dëm të imazhit të tij politik. Pra politikisht nuk e ka të nevojshme një krah të partisë së tij në Shqipëri, edhe pse Albin Kurti e ka bërë ves që të ndërhyjë në politikën e brendshme të shqiptarëve në treva duke mbajtur anë.

Në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, Kurti mbajti publikisht krahun dhe u bëri thirrje shqiptarëve atje të votonin për partinë e Zijadin Selës, e cila nuk arriti të fitonte gjithsesi.

Por ky veprim krijoi një çarje të madhe tek votuesit e BDI-së së Ali Ahmetit, e cila përpos së gjithave është një parti që ka qeverisur vendin në kohët më delikate dhe prapë arrin të fitojë.

Hyrja e Kurtit në mes vetëm helmoi situatën.

Më keq akoma kjo po ndodh në Shqipëri, ku Albinin e Vetëvendosjen e simpatizojnë mjaft të majtë dhe mbështetës të Partisë Socialiste, që është edhe e natyrshme

Po atëherë si do u përçaka e majta kur sipas kësaj analize të majtët e kanë ndarë mendjen që të ndahen nga kjo botë me kokën në prehrin e Partisë Socialiste?

Si mund të flitet për përçarje të një elektorati, kur tanimë PS-në e votojnë vetëm ata që janë të lidhur me të me interesa dhe kanë një trashëgimi familjare?

Apeli i Vetëvendosjes nuk shkon te kjo kategori që e ka votën pjesë të patologjive të veta kulturore dhe politike, pro te pjesa e re e shoqërisë. Këtu është stresi që ka mbërthyer plakun e politikës në Tiranë, Edi Ramën, i cili ndjehet i sfiduar nga Vetëvendosja sepse nuk ka se për çfarë ta akuzojë.

Një ilustrim? Shikoni se sa stres ka ky njeri edhe nga Ditmir Bushati, një personazh pa relevancë politike vetëm e vetëm sepse ky i fundit nuk është i njollosur. Pra që dëshmon se mund të jesh në politikë edhe duke mos vjedhur. Nga ana tjetër, Vetëvendosja ofron një model sjelljeje politike, mobilizimi dhe organizimi, por edhe një mënyrë të menduari që nuk i konformohet inteligjencës së gjymtuar të Tiranës dhe të formuar me manuale e lexim parathëniesh.

Ky është i vetmi stres që lidhet me Vetëvendosjen, e cila siç mund të shihet nuk kompromentohet as nga sulmi për marrëdhënie me Berishën dhe Metën. Dhe është ky lloj sulmi që në fakt tradhëton frikën që ekziston tek e ashtuquajtura e majtë në Shqipëri për depërtim të forcave të reja në elektoratin pasiv, depërtim të cilin e trajton për të mikluar veten ndoshta si “të majtë”.

Plaku i politikës së Tiranës- i roitur nga përsëritja e të njëjtave gjëra dhe i politikës publicitare –e di më mirë se kushdo se politika e tij e tokës së djegur e ka lënë fushën bosh për këdo që di dhe do të nisë betejën. Deri më tani ka arritur të blejë ata që hynë në lojë, mesa duket është dikush që nuk blihet dhe kur refuzon ofertë të tillë patjetër që i ke futur të dridhurat krijesës së fundit bizantine në Ballkan.

s.zaimi