MekuliPress publikon pjesën e tetë të librit informativ, publicistik, kritik, politik e historik, “Gjurmë dhe fërkem” (ose Jusuf Gërvalla dhe…), të shkruar nga gazetari, kritiku, publicisti dhe aktori politik, Ibrahim Kelmendi.

Komitetet e LNÇKVSHJ / LR(S)SHJ

[Jusuf Gërvalla:]

Mbrëmë ishim me Besnikun (Bardhosh Gërvalla-shënim i Xh.D.) te ai personi në Visloh, që na i patë dhënë 3 mijë markat. Sa më shumë që po njihemi me të, aq më i matur, i pjekur dhe i mirë po na duket ai neve dhe me gjasë, edhe ai po fiton gjith­një simpati më të mëdha për punën tonë. Unë, Shpendi [Xhafer Durmishi-shën im] e Besniku, duke analizuar anët e mira dhe virtytet e këtij njeriu, kemi vendosur se do të kish qenë mirë ta bënim menjëherë anëtarë të Komitetit të degës së këtushme.

[Letër Sabri Novosellës, 20 gusht 1981, Marrë nga Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje- Qëndresë, Tiranë 1997, f. 451-452][1]

[Koment:]

Akoma më interesant rezulton të jetë ky dezinformim. Për çfarë dege ose komiteti mund të jetë fjala? Jusufi duhet ta ketë pyetur “udhëhe­qësin” e tij, rrobaqepësin e padijshëm SN (po vetëkuptohet, po qenë letrat autentike!) në prill 1981, nëse i lejohet t’i organizojë 7-8 veta që e meritonin organizimin, kurse këtu tashmë flet për degë!? Si mund të flitet për “degë”, nëse në krejt Gjer­mani ka organizuar vetëm 7-8 veta të cilët nuk mjaftojnë as për “komitet të degës”, nëse nuk është fjala kë­tu për një lojë mashtruese për t’ia hedhur njëri-tjetrit. Faridin Tafa­llari dezin­formon se anëtarësimi dhe betimi i 7-8 vetave kishte ndo­dhur më 7 dhjetor 1981. Gjitha­shtu nuk duket serioze të vendoset për anëtarësim të njeriut që sapo e kishin njohur, madje drejt e në “komi­tet”, kur kjo duhej të ndodhte vetëm pasi t’ua kishte dhënë bekimin rrobaqepësi “udhëheqësi”.

Aty e tutje do të fillojnë simulimet e “komiteteve”, emërtim që mbartte në vete fuqi, pushtet…

[Xhafer Durmishi:]

Çka tregon letra e mësipërme? Kjo letër është vërtetimi i parë se më 20 gusht 1981 (brenda një muaji pas arritjes sime) në Shtutgart ka ekzistue “Komiteti i degës së këtushme” , do me thënë jo Komitet Qendror. Anëtarë të këtij “Komiteti të degës së këtushme” janë Jusuf Gërvalla, Xhafer Durmishi [Shpendi] dhe Bardhosh Gërvalla [Besniku] të cilët i analizojnë anët dhe virtytet e mira të një bashkatdhetari në Visloh afër Heidelbergut dhe vendosin se do të kish qenë mirë ta bënim atë menjëherë anëtarin e katërt të “Komitetit të degës së këtushme.”[2]

[Koment:]

Pse kam nevojë të marrë unë mërzi për t’i komentuar e inter­pre­tuar broçkullat që përmbajnë të tilla “letra të Jusufit”, kur këtë e bën vetë “trashëgimtari” i Jusufit, Xhafer Durmishi!? Vërtet, krenari e arsye­shme për të qenë anëtar i “komitetit” të sapoformuar dhe prandaj e ka merituar të përgëzohet Xheferi për këtë lloj avancimi, i cili do t’i siguro­nte avancimet e mëtejme deri në “trashëgimtar” (edhe pse njo­hja mes Jusufit dhe Xhaferit përmes rrobaqepësit SN ishte vetëm rreth njëmujore, po ku t’i gjente të tjerët fatziu Jusuf?).

 [Shkolla e UDB-së (Nuhi Sulejmani):]

Jusuf Gërvalla kishte qenë anëtar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), që datonte qysh nga viti 1975. Arresti­met e 14 dhjetorit të vitit 1979, e detyruan Jusufin të emigrojë në Gjerma­ni, ku ishte i pu­në­suar vëllai i tij, Bardhoshi. Duke i parë lëvizjet ilegale të diaspo­rës, ai e pa të arsye­shme që ta riorganizojë edhe njëherë Lëvizjen, duke e the­me­luar Komitetin Qend­ror me këtë përbërje:

Jusuf Gërvalla, me pseudonim – Sokoli

Bardhosh Gërvalla, me pseudonim – Besniku

Nuhi Sylejmani, me pseudonim – Luani (…)

Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), që ishte shkapërderdhur pas goditjes së 14 dhjetorit të vitit 1979, për herë të parë ishte riorganizuar në Un­tergruppenbach të Gjermanisë, nën përkujdesjen e Jusuf Gërva­llës (Sokolit) dhe në praninë e dy anëtarëve të emëruar nga Jusuf Gërva­lla. Anëtari i parë ishte emëruar Bardhosh Gërvalla (Besn­iku), kurse anëtari i dytë ishte emëruar Nuhi Sylejmani [Luani].

[Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 60 / 124][3]

[Koment:]

Të të mbërthejë vaji po që se i zihet besë këtij shpifësi, të cilit Xhafer Durmishi tashmë i paska vënë nofkën: “Shkolla e UDB-së”.Bëhet fjalë për Nuhi Sulejma­nin e rrethit të Kumanovës. Në verë të vitit 1979 shkuam me Hysen Gegën në Sindelfin­gen për të shpërndarë pamfletin “Bashkimi” në konviktet e punë­torëve të fabrikës “Mercedes”. Unë prita në makinë, në parking, derisa Hyseni t’i shpërndante. Kur u kthye ma dha një copëz letër me sqarim se ishte e njërit për njërin të cilët të gjithë kolegët po i frikësohen se është informator i UDB-së dhe, në prani të tij, as­njëri nuk po guxon të marrë asgjë nga unë. E shoh atë shkresurinë. Ishin shënime personale të Nuhi Sulejmanit. Ishin të dhë­na afirmative ku shprehte gatishmërinë për të qenë kuadër kryesor i Frontit në atë rrethinë. E bëra shuk dhe e hodha. Hyseni u habit me gjestin tim van­dal. I propozova që ta izolojmë, por ai të mos e kuptojë.

Me arratisjen e Jusufit iu rikthye shansi për t’u imponuar. Dhe ja, na qen­kësh bërë, hiç më pak se anëtar i “komitetit qendror”. Edhe ky gjysmana­lfabet, tashmë, sipas dezinformimit të tij, rezulton i barabartë me Ju­su­fin e Bardhoshin.

Ndërsa pas vrasjes së kobshme, Sabri Novosella e kishte caktuar pikë­risht Nuhiun për “kryeplak” të ceremonisë mortore në Familjen Gër­valla, njëherësh edhe arkëtar të “komitetit”. Për mua kjo ishte irri­tuese dhe provokuese, meqë pa ditur se ai do të bëhej “kryeplaku”, të hënën, ditën e parë pas vrasje­ve, rreth orës 10.00, gjatë inter­vi­stimit në SOKO (ekipi hetimor i vrasjeve), e kisha shprehur dyshimin për këtë Nuhi, si survejues të mundshëm të lë­vizjeve tona fizike të natës së fundit. Sapo arriti Xhafer Durmishi, më 21 janar, gjeti aty “kryepla­kun” Nuhi. Duhet të ketë ndodhur edhe telefo­nata e rrobaqepë­sit nga Turqia: Xhafer Durmishi emërohet në përgje­gjë­sitë organizative që kishte Jusufi. Tashmë “vendi” kishte “trashëgim­ta­rin” Xhafer dhe “kryepla­kun” Nuhi. Preokupimi kryesor i të dyve: si ta përzinin Ibrahim Kel­mendin nga shtëpia e Familjes Gërvalla, rrjedhi­misht nga ceremonia mortore, e cila po zgjaste, meqë injorantët e xhe­matit të rrobaqepësit anadollak kishin angazhuar avokat për të bërë kërkesë në konsullatën jugosllave që trupat e të vrarëve nga UDB-ja të barteshin për t’u varrosur në Kosovë.

Në komplote kundër meje ishin kooperues, por paralel po shfaqej ga­ra për primat se cili prej tyre duhej të ishte aty NJËSHI? Këtë luftë për t’u bërë NJËSHI e kanë bartë që të dy pastaj, kur gara ka eskaluar në konflikt e armiqësi edhe në “librat” të tyre. E, siç po lexojmë, Xhaferi ish-bashkë­punëtorin e tij të ngushtë, ish-anëtarin e “komitetit qen­dror”, Nuhi Sulej­manin, rrallëherë e quan me emër të tij, veçse “shko­lla e UDB-së”.

[Jusuf Gërvalla:]

…Kështu e pata kuptua më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit [Xhafer Durmishit-shën im] dhe timen në KQ [Komitetin Qendror-shën. i Xh.D.].”

[Letër Sabri Novosellës, më 14 janar 1982. E botuar për herë të parë në librin e Faridin Tafallarit, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f.452-454][4]

[Koment:]

“Trashëgimtari” Xhafer Durimishi, nga shqetësimi se mos ndokush po i beson dezinformimit të Nuhi Sulejmanit dhe ky po rezul­ton të ketë qenë DYSHI, në listën e kuadrove të Jusufit, thërret në ndihmë Jusufin. Në këtë letër të Jusufit, (gjithnjë po qe autentike) bëhet fjalë për emër­timet e Jusufit dhe të Xhafër Durmishit, njëherazi, në “komi­tet qen­dror” nga kryebossi i tyre, rrobaqepësi anadollak, manipuluesi superlativ, SN, në korrik të vitit 1981. Marrëzi mjerane dhe fatkeqe, gjithsesi!

[Xhafer Durmishi:]

Jusufi nuk ka qenë i autorizuar me themelua e as me riorganizua Komitet Qendror. Këtë punë nuk ia ka lejua vetes. Këtë çështje ai, si anëtar me disiplinë shembullore ia ka besuar Sabri Novosellës. Riorganizim e thirrje në Komitet Qendror është bërë vetëm përmes Sabri Novosellës. Bardhosh Gërvalla nuk ka qenë anëtar i Komitetit Qendror.[5]

[Koment:]

Vërtet për keqardhje e neveri ky lloj sqarimi mashtrues. Sikur nuk i shkon as “trashëgimtarit” të Jusufit? Pra, Jusufi, “si anëtar me disiplinë shembullore ia ka besuar Sabri Novosellës”. Të vjen për të qeshur e për të qa­rë njëherazi. Se mos i ka dhënë shans ndonjëherë rrobaqepësi fatziut Jusuf që t’ia besojë të tillë përgjegjësi bosit të tij? Edhe pas kaq shumë vi­tesh fatkeqi Xhafer Durmishi nuk paskësh qenë në gjendje të kuptojë se “ko­mi­teti qendror” ishte vetë Sabri Novosella dhe vetëm Sabri Novosella, ndërsa Jusufi, Xhaferi, Shefqeti, Ramdani, Asllani, etj., ishin vetëm perso­nazhe virtuale. Pothuajse e harrova “kryetarin” Metush Krasniqin, emrin e të cilit, fatkeqësisht shumë, tepër shumë, e ka shpërdorur dhe po e shpërdor Sabri Novosella.

[Xhafer Durmishi:]

Të dhënat e sakta për Bardhoshin janë si vijon:

U bë mbështetja më e fortë e Jusufit në vazhdimin e punës patri­otike jashtë at­dhe­ut. Anëtar i LNÇKVSHJ ishte nga viti 1977. Për meritat e mëdha dhe besni­kërinë ndaj atdheut u zgjodh sekretar i degës së LNÇKVSHJ për Gjermaninë Perëndimore. Bardhosh Gërvalla si shumë bashkatdhetarë shkoi me mall të Kosovës, sepse pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi larg saj. Vdiq, duke e mundur vdekjen, më 17 Janar 1982, si luftëtar i pakompromis për të drejtat e popullit shqiptarë në Jugosllavi. Bardhoshi [Besniku] do të jetoj përgjithmonë në zemrën e popullit.

Të dhënat e sakta për Jusufin janë si vijon:

“Ishte drejtues i Komitetit të LNÇKVSHJ për Evropën Perëndi­more. Me plotë suksese redaktoi dhe udhëheqi revistën patriotike “Lajmëtari i Lirisë”, e cila bëri aq jehonë tek shqiptarët e Kosovës. Ishte anëtarë i KQ të LNÇKVSHJ. Aktivitet të bujshëm zhvillon sidomos pas demonstratave të Pranverës 1981. Si anëtarë i KQ, ai ishte edhe kryeredaktor i organit qendror të LNÇKVSHJ “Zëri i Kosovës”, detyrë në të cilën ishte deri në çastin e vdekjes.”

[Nekrologji, Zëri i Kosovës, nr. 3, mars 1982, faqe 2][6]

[Koment:]

Mos u bëfsh nevojtar as të të lavdërojë dhe as të të vajtojë Xhafer Durmishi, meqë duke u munduar të ta ngjisë vetullën, ta nxjerrë edhe syrin! Po si ka harruar, në 20 “librat” e tij elektronikë, të na i thotë emrat e anëtarëve të “Komitetit të LNÇKVSHJ për Evropën Perëndi­mo­re”, kur dhe ku u formua, cilët ishin pjesëmarrës, kishte parapra­kisht një­si bazë të organizuara në ndonjë qytet a shtet që të formohej pastaj “komiteti qendror”!? Pothuajse asgjë prej gjëje. Në prill 1981 Jusufi e kishte lutur për leje SN që t’i organizonte 7-8 veta të rrethit të Shtutgartit. Duhet t’i ketë ardhur amin nga bosi Sabri i cili, siç rezul­ton, e kishte kapur Jusufin dhe tani po i kapte edhe ata 7-8 veta. Shto edhe Xha­ferin, të cilin SN e ankoron pranë JG në korrik 1981. Do të isha kureshtar të paraqiten, po të kishte të tjerë!? Ndoshta më vonë del edhe Xhevat Ramaba­ja, Besim Rexha e Misin Mavraj!

Ndokush edhe mund të ketë dilemë: cilit t’i besojë më shumë, “krye­pla­­kut” Nuhi, apo “trashëgimtarit” Xhafer, sepse të dhënat e tyre janë te­për kundërthënëse!?

[Xhafer Durmishi:]

Faktin se 7-8 shokë të Rrethit të Shtutgartit janë betuar si anëtarë të LNÇKVSHJ-së para Jusufit, më 7 dhjetor 1981, në mesin e të cilëve kanë qenë Remzi Ademaj, Sefedin Tafallari, Mejdi Rexha, Faridin Tafallari, Nuhi Sylejmani e disa të tjerë, e ka përmend për herë të parë Farin Tafallari në librin Terror Dhimbje Qëndresë (faqe 46) të botuar më 1997.[7]

[Koment:]

Po tani, “trashëgimtari” Xhafer na ofron edhe variantin e tretë të dez­informimit, duke mos qenë i vetëdijshëm se kjo “pro­vë” vetëm sa shton kakofoninë e zërave kontroverse. Me lart lexuam pohimin e Xhaferit: “më 20 gusht 1981 (brenda një muaji pas arri­tjes sime) në Shtutgart ka ekzistue “Komiteti i degës së këtushme”, domethënë jo Ko­mitet Qendror.”[8] Pastaj ofroi dezinformimin e Nuhi Su­lejmanit, tani këtë të Faridin Tafallarit. Sipas Faridinit rezulton se organi­zi­mi i parë konkret në kuadër të “lëvizjes së Sabri Novosellës” paskësh ndodhur më 7 dhjetor 1981. Mbase, gjithë këto dezinformata nuk me­ri­tojnë as komente, meqë vetvetiu e shprehin gjithë mjerimin e gjen­djes organi­zative të asaj lëvizjeje, për të cilën është zhurmuar e mitizuar aq shumë.

Faridin Tafallari:

Më 7 dhjetor të vitit 1981 Jusufi ftoi disa nga shokët e këtij rrethi për të bërë betimin. Më ftoi edhe mua… U nisëm dhe unë mora me vete vëllaun tim, Sefedi­nin, pasi isha marrë vesh edhe me Jusufin. Vëllai kishte shfaqur dëshirë për këtë gjë. [Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 46][9]

[Koment:]

“Trashëgimtarit” Durmishi nuk i ka mjaftuar dezinformi­mi i bazuar në dezinformimin e F. Tafallarit, prandaj, për t’u impo­nuar si më i besue­shëm, e citon Faridinin. Por, në këtë citim, nuk rezulton se çfarë ka ndodhur tamam. Ndoshta po na e ofron mundësinë që të dezin­for­mo­hemi akoma më keq se, meqë bisedat për riorganizim ose bash­kim dë­shtuan në Stamboll në te­tor 1981, Jusufi ka filluar t’i thërrasë bashk­atdheta­rët për t’u “betuar” (ç’anakronizëm i llojit të vet që ka shoqe­ruar organizimit klandestin).

[Xhafer Durmishi:]

Letër drejtuar Komitetit të degës së LRSHJ ”Hasan Prishtina”

Të dashur shokë!

Udhëtimin e Shpendit e quajtëm si shumë të suksesshëm. Ardhja e Halimit është me vend dhe angazhimi i tij i menjëhershëm me siguri do të jetë i frytshëm…

Meqë këndej shokët janë të shpërndarë në pika të ndryshme dhe që në atë javë nuk kishin automjet, mbledhja zgjedhore e Komitetit nuk mundi me u thirrur gjer më 26 shkurt 1982. Atë mbrëmje në një qytet larg nga këtu u mblodhën: Shpendi [Xhafer Durmishi], Halimi [Osman Osmani], Drita [Suzana Gërvalla], Agimi [Nuhi Sylejmani], Agroni dhe Guximi [Haxhi Berisha].

Mbledhjen e hapi Shpendi i cili në fillim i njoftoi të pranishmit mbi bashkimin me organizatën e re dhe me detyrën e qëllimin e ardhjes së Halimit.

Ai për këtë mbledhje propozoi këtë rend dite:

Formimi i degës së LRSHJ për Evropën Perëndimore.

a] Që kjo degë e LRSHJ ta merr emrin e dëshmorëve Gërvalla, pra të quhet ”Ko­mi­te­ti Vëllezërit Gërvalla”.

b] Që Komiteti të përbëhet nga pesë anëtarë.

Të ndryshme.

Ky rend dite u aprovua njëzërit nga të pranishmit.

1. Që në fillim u propozua të zgjidhen anëtarët e Komitetit, pra pesë veta. Meqë Agimi ishte edhe më parë si arkatar, Agroni si anëtarë së bashku me Dritën dhe Shpendin nuk u diskutua shumë rreth tyre se a duhet të jenë anëtarë të Komitetit të riorganizuar apo jo. Halimi propozoi që Komiteti t’i ketë edhe dy kandidatë. Ky propozim u quajt me vend dhe i arsyeshëm dhe si i tillë u aprovua. Arsimi që në fillim tha se pyetjen për arkatar nuk ka nevojë ta përsërisim pasi arkatarin e vyeshëm e kemi që nga fillimi.

Propozimi i Arsimit që edhe më tutje të jetë arkatar Agimi u aprovua.

Shpendi pasi i numëroi disa detyra që i ka pasur Drita, si shoqja më e ngushtë e Sokolit [për të cilat disa nga të pranishmit nuk kanë qenë në dijeni], e njëherit i njoftoi se ajo pas një kohe do të shkoj në A. Ai atë e propozoi si sekretare deri sa ajo të jetë në mesin tonë. Ky propozim u aprovua unanimisht. Fjalën pastaj e mori Drita e cila u falënderua dhe në vazhdim i njoftoi të pranishmit se Shpendi [Xhafer Durmishi-shën. im] ishte njeriu që ishte udhëzuar ta ndihmonte Sokolin dhe për këto detyra të kryera ai kohët e fundit ishte pranuar edhe anëtarë i KQ [Komitetit Qendror-shën. im] të ish-LNÇKVSHJ. Duke pas parasysh këtë, vazhdoi ajo, unë mendoj se ai duhet të jetë kryetar i komitetit të degës së LRSHJ për Evropën Perëndimore. Edhe me këtë propozim të pranishmit u pajtuan. Për anëtar mbetën Halimi dhe Agroni.

Me shkuarjen e Dritës [Suzana Gërvallës në Shqipëri-shën i Xh.D.] ne do të mblidhemi prapë dhe në vendin e sekretarit do të zgjedhet Halimi. Ndërsa anëtarë i ri i komitetit do të jetë Arsimi. Kandidati i ri besojmë se në bazë të punës së tij do të zgjidhet Luli.

a] Propozimi që komiteti të quhet ”Vëllezërit Gërvalla” u aprovua njëzërit.

b] Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës duke pasur parasysh faktin se ishte i

pranishëm anëtari i ri Halimi edhe ca anëtarë të tjerë të ish-LNÇKVSHJ nuk dinin shumë në lidhje me përbërjen në numër të një komiteti, mbretëroi pak heshtja. Me këtë rast Shpendi shpjegoi se Lëvizja NÇ me këtë praktikë punon qe disa vjet dhe se kjo formë është treguar mjaftë e suksesshme. Halimi vazhdoi se ai me shokët e tij kanë vepruar ndryshe dhe se nuk kanë shumë eksperiencë lidhur me funksionimin e një komiteti të tillë sidomos në kushtet jashtë atdheut dhe pasi ne ishim të pranishëm tetë ndërsa komiteti do të kishte vetëm pesë anëtarë. Halimi tha se faktikisht për anëtarët e këtij komiteti po dinë 8 veta. Ai tha se edhe ata aktivist të dalluar të jen si kandidat për komitet. Ky propozim dhe arsyetimi i cekur më lartë u pranua. Pra komiteti i degës së LRSHJ ”Vëllezërit Gërvalla” për Evropën Perëndimore me shkuarjen e Dritës ai do të duket kësisoji:

1. Shpendi [Xhafer Durmishi] Kryetar

2. Drita [Suzana Gervalla] /Halimi [Osman Osmani] Sekretar

3. Agimi [Nuhi Sylejmani] arkatar

4. Agroni [Faridin Tafallari] anëtar

5. Halimi [Osman Osmani] anëtar

6. Halili [Hafiz Gagica] kandidat

7. Guximi [Haxhi Berisha] kandidat

8. Arsimi [Naim Haradinaj] përgjegjës i rinisë

2] Në pikën të ndryshme diskutimet u zhvilluan rreth anëtarësisë, çështjet ma­teriale, puna rreth vendosjes në një bazë të re dhe nxjerrjes sa më të shpejtë të numrit të ri të organit.

Për këto dhe të tjerat herën e ardhshme.

Ju përshëndesin shokët e ”Komitetit Vëllezërit Gërvalla”

Kosova – Republikë”

 [Shkurt 1982; marrë nga: Faridin Tafallari,

Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 357-358][10]

[Koment:]

Kjo “letër” është raportim krye-bosit Sabri Novosella, i cili ka­mu­flo­hej me “Komitetin Hasan Prishtina” në Turqi. Përse Xhafer Durmi­shi i ka raportuar Sabriut, kur tashmë në organi­zatë të re, LRSHJ, kishin përgjegjësi të barabartë?! Domethënë, po vazhdonin të ruheshin rapor­tet, Sa­briu epror, Xhaferi vartës/argat i tij.

Interesant është tashmë roli i Suzanës, e cila në “komitet” zgjidhet se­kretare. Për të dezinformohet si në vijim:

Shpendi pasi i numëroi disa detyra që i ka pasur Drita, si shoqja më e ngushtë e Sokolit [për të cilat disa nga të pranishmit nuk kanë qenë në dijeni], e njëherit i njoftoi se ajo pas një kohe do të shkoj në A. Ai atë e propozoi si sekretare deri sa ajo të jetë në mesin tonë. Ky propozim u aprovua unanimisht.

Pikërisht ky dezinformim tregon mënyrën si është faktorizuar Suzana (alias Dri­ta), meqë deri tani në letra, ditar e shënime të tjera të Jusufit, nuk kemi ha­sur se ajo, pos që ishte gruaja, paskësh qenë “shoqja më e ngushtë e So­ko­­lit”. Tani, si i bëhet hallit që unë kam informuar në romanin “Atenta­tet”, për raportet organizative të tyre; Jusufi porosiste bashkëveprimtarët të mos bisedonin asgjë për çështje të organizative në prani të asnjë anëtari të familjes, as në prani të Suzanës. Drita, si kundërvlerë për faktorizim Shpendit (Xhaferin Durmishit), ia kthen:

Fjalën pastaj e mori Drita e cila u falënderua dhe në vazhdim i njoftoi të pranishmit se Shpendi [Xhafer Durmishi-shën. i Xh.D.] ishte njeriu që ishte udhëzuar ta ndihmonte Sokolin dhe për këto detyra të kryera ai kohët e fundit ishte pra­nuar edhe anëtarë i KQ [Komitetit Qendror-shën. im] të ish-LNÇKVSHJ. Duke pas parasysh këtë, vazhdoi ajo, unë mendoj se ai duhet të jetë kryetar i komitetit të degës së LRSHJ për Evropën Perëndimore. Edhe me këtë propozim të pranishmit u pajtuan.

Këtu na rezulton që Xhaferi na qenkësh “zgjedhur” anëtar i Komitetit Qen­dror të LNÇKVSHJ “për merita të përkrahjes së Jusufit”! Ajo du­ket e pa in­formuar se Xhaferi ishte “zgjedhur” anëtar në “komite­tin qendror” në të njëjtën kohë, kur ishte “zgjedhur” edhe Jusufi, në korrik të vitit 1981.

Legjitim duhet të ketë qenë ky organizim, meqë merrnin pjesë përfa­që­su­esit e të dy subjekteve që kishin bërë “bashkimin” më 17 shkurt 1982 – LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, sepse ende nuk kishte ndodhur “bashkën­gji­tja” edhe e “OMLK-së” fiktive të Xhafer Shatrit.

Në të vërtetë, në Gjermani dhe në Evropën Perëndimore ato dy subje­kte nuk kishin pasur më shumë anëtarë se sa ishin prezent në atë mble­dhje dhe po ata po zgjidhnin veten e tyre në “komitet qendror” për krejt Evropën Perëndimore. Potencial organizativ se jo mahi! De­mo­kratike? Lëre mos e nga!

Rëndom të tilla simulime e improvizime na reklamoheshin me pompo­zitet, prandaj nuk përmbahesha dot pa u tallur ndonjëherë. Pasoja: më diskualifikonin si “destruktiv” dhe “të padisiplinuar”.

[Sabri Novosella:]

„Letrën e juaj e muarëm dhe u njohtuam se e paskët riorganizuar Komitetin e Degës dhe e paskët zgjedhë udhëheqësinë e re. Shumë mirë paskët bërë…“

[Letër dërguar „Komitetit Vëllezërit Gërvalla“ në Shtutgart.][11]

[Koment:]

Jam kureshtar të di se kush duhet t’i ketë shkruar letrat e gjysmanal­fabetit rrobaqepës? Më ka rastisur të shoh kopje të letrave të tij, të shkruara me dorë. Niveli dhe kaligrafia të bënin të të vinte keq për njeri­un, i cili nuk po i bën hyzmet zanatit të tij, por po shkruante “le­tra”! Me­gjith­atë ia dilte të manipulonte burra e burra, si Jusuf Gër­vallën, Rama­dan Pllanën, Xhafer Durmishin, Asllan Muharremin, etj. Shefqetin duhet ta ketë pasur kolegë pune.

Patjetër që do të pasonte miratimi dhe urimi i “udhëheqësit”, pa asnjë kon­te­stim, edhe pse ishte përvoja e parë e formimit të organeve udhë­he­qëse të organizatës, që kishte “lindur” nga “bashkimi” i 17 shkurtit 1982. Dhe udhë­­heqësi, si rëndom, nuk përgjigjej vetëm në emrin e tij, por manipu­lonte sikur po shkruante përgjigje “komiteti qendror”. Po kryetari Metush? Askund.

Fatmirësisht për të gjitha këto zhvillime “klandestine” nuk dija atë­he­rë. Edhe po t’i dija nuk kisha si t’i përballja, meqë ata tashmë kishin uzurpu­ar “ballin e oxhakut” në shtëpinë e Vëllezërve Gërvalla.

Edhe një gjë interesante. Ndër të parët Sabriu ishte informuar për “arra­­tisjen” e Xhafer Shatrit, prandaj e kishte ngarkuar Xhafer Durmi­shin t’i binte mbrapa. Ja çfarë u shkruante udhëheqësi “komitetlive”:

[Sabri Novosella:]

…Punën që e keni bërë rreth shokut Xh. [Xhafer Shatri-shënim i Xh. D.] për ta nxje­rrë nga kampi i Romës keni bërë shumë mirë, pa marrë parasysh se atë nuk e keni gjetur në Romë. […] Edhe deri më tani është punuar në bashkimin e organizatave tona, nga ana tjetër nuk ekzistojnë kurrfarë divergjencash parimore, mund të themi se çështja e bashkimit mund të merret si punë e kryer…[12]

[Koment:]

Në tetor 1981, katër muaj më herët, kur Sabri Novosella u takua me Ka­dri Zekën, refuzoi formimin e organizatës me OMLK-në që e për­faqësonte Kadri Zeka, ndërsa tani me “OMLK-në” që po e “përfaqë­so­n­te” Xhafer Shatri nuk ekzis­tonin kurrfarë divergjencash parimore dhe prandaj paralajmëron: “Mund të themi se çështja e bashkimit mund të merret si punë e kry­er”. Nga e dinte Sabriu se “bashkimi” me OMLK ishte punë e kryer!?

Tani, kur po i mësoj këto të dhëna, po më përforcohet bindja që kisha atë­herë se Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica dhe Xhafer Shatri ishin komanduar nga eprorët e tyre që t’i bënin këto “bashkime”, për t’i kom­plo­tuar edhe radhët e simpatizantëve të Jusufit e Kadriut, duke u impo­nu­ar si drejtues i tyre. Sabriu bënë edhe një dezinformim që ia vlen të komentohet:

[Sabri Novosella:]

Kushtrimi dhe Qemajli kanë vendosur me ardhë në Evropë. Janë të mendimit që të vendosen në Austri, për mua vend jo i përshta­tshëm për shumë arsye. Mendimi im është që të vendosen në Zvicër, bashkë me shokun tonë që vepron atje dhe me të ta formojnë Komitetin e Degës së LRSSHJ. Fjalën e kam, me anëtarin e derita­shëm të Lëvizjes. Për këtë duhet të na përgjigjeni sa më shpejt.“[13]

[Koment:]

Këtu “Kushtrimi” është Abdullah Prapashtica. “Qemajli” është Faton Topa­lli. Siç rezulton Sabriu duhet të jetë epror, pos i dy i Xhaferëve, tani edhe i Abdullahut dhe i Fatonit. Por, ai harroi që po në këtë letër bëri për­gëzimin e themelimit të “Komiteti Vëllezërit Gërvalla”, të cilit i atribuo­hej funksioni udhëheqës i Degës së LRSHJ-së për krejt Evro­pën Perëndi­more. Tani, ndërkaq, paralajmëron formimin edhe të një komiteti.

Tjetër, po në këtë letër Sabriu e quan organizatën e dalë nga “bashki­mi” i 17 shkurtit 1982: LRSSHJ. Pas disa javësh do të fillonte shamata nëse kishin themeluar LRSHJ ose LRSSHJ!? Sabriu dhe Xhafer Dur­mishi do të këmbë­ngulin se kishin themeluar LRSHJ, kurse këtu e ka përdorur akro­nimin LRSSHJ. E kam thënë edhe atëherë, zënkat e tyre ishin vetëm simulime (marrëveshje natën, si të grinden ditën), për të na imponuar klimë e fry­më të zënkave e grindjeve, që të mos na tep­ron­te energji për t’u marrë me veprimtari konstruktive patriotike.

Këtë letër Sabriu e përmbyll me përshëndetjen: “Të fala vëllazërore e re­volucionare”! Ndoshta edhe kjo përshëndetje informon për mendë­sinë e tij të atëhershme ideopolitike, prandaj nuk ka pse krekoset se ka re­fuzuar bashkimin me Kadri Zekën për shkak se ishte antikomunist, meqë po ia kërkon aktualisht “moda”. Pse jo, pjesëtarët e shërbimeve inteligjente nuk kanë mendësi autentike ideopolitike, ato duhet t’u shërbejnë sun­dimtarëve përkatës.

Në një shkresë tjetër, të 14 qershorit, SN i drejtohet “KD të LRSHJ për botën e jashtme”, në të cilën shtrohen propozimet se si duhet të fun­­ksionojë kryesia. Pra, tashme është përdor akronimi “LRSHJ” dhe jo “LRSSHJ”, si në letrën e mëhershme. Në përmbyllje shkruan: “Kry­e­tarët e KD të LRSHJ (për Botën e jashtme), Kamberi (Sabri Novose­lla), Kushtrimi (Ab­du­llah Prapashtica), Qemajli (Faton Topalli)”.

Këtë rrëmujë llojllojshmërie të organeve drejtuese nuk duhet ta ketë kuptuar as vetë Sabriu, me rëndësi të simulohen sa më shumë, që të këna­qen me “poste” ata që duhet të manipulohen e viktimizohen.

Jusuf Gërvalla dhe emigracioni “reaksionar”

[Jusuf Gërvalla:]

Vehbi Ibrahimi, i vrarë në Belgjikë, ishte sekretari personal i Emin Fazlisë (alias “Emil Kastrioti”). Ky far Emili i së ashtuquajturës “Besëlidhja shqiptare”, është një nga reaksionarët më të mykyr të shqiptarëve në Perëndim.

Enver Hadri, për sa jam iinformuar, i takon gjoja një partie komuniste, por me orie­ntim prorus.

Edhe Martin Camaj, për sa dimë, është kundër Shqipërisë. (…) Ne s’po u dërgojmë tash përtash asgjë, derisa të mos vërtetohet puna e tyre. Në qofshin si këta që përmendëm më lartë, s’kemi pse ua dërgojmë as “helmin”, lëre më shtypin tonë… 

 [Letër Sabri Novosellës, 14 janar 1982; Faridin Tafallari,

Terror-Dhimbje-Qëndresë,Tiranë 1997, f. 454][14]

[Koment:]

Jusufi kishte përcaktime tepër strikte kundër emigracionit “reaksio­nar”, i cili përfshinte të gjitha organizimet e shqiptarëve, përpos tri organizatave tona.

Rëndom i flisja për përpjekjet që kishim bërë për bashkëpunim edhe me të ashtuquajturin emigracion reaksionar, por ai i qortonte ato anga­zhimet si oportuniste, borgjeze, dekadente.

Kjo letër në mënyrë shumë konkrete e përmban përcaktimin e Jusufit ndaj emigra­cionit “reaksionar”, në të cilin e përfshinte edhe Enver Ha­d­rin, edhe pse e diskreditonte si të organizuar në një parti komuniste (proruse), që nuk do të duhej të diskualifikohej si reaksionar…

[Digresion:]

Me sa mbaj mend Jusufi dhe Enver Hadri kanë qenë shokë klase në gjimnazin e Pejës. Ia përcolla një përshëndetje nga ana e Enver Hadrit, por me tha: “merre mbrapa!” Arsyetimi ishte i gjatë. E kishte hidhe­ruar sidomos një konferencë e tij shtypi në prill 1981, ku kishte lëshuar një broçkull: “Republikën do ta fitojmë me përkrahje të Bashkimit Sovjetik” (parafrazim i lirë). Akuzonim se atë konferencë edhe ata shpifje Enver Hadri i kishte bërë me urdhër të eprorëve të tij (UDB-ja federative).

Në vitin 2004 po ndihmoja veprimtarët e Klubit Shqiptar në Dyseldorf të përgatisnin një monografi për klubin. Në monografi do të duhej të ishte edhe përkrahja e ish-Sekretarit të parë të ambasadës së RSFJ-së në Gjermani, Zotëri Shefqet Hashani. Në këtë detyrë ishte caktuar në vitin 1978. Paraprakisht ishte njëri nga drejtorët kryesor të Shërbimit Sekret të Jugosllavisë për KSA të Kosovës, i cili edhe më tej, në zhargonin popullor, kishte emrin famëkeq UDB. Ai drejtonte Drejto­rin e 5-të të UDB-së, e cila kishte për fushëveprim emigracionin.

Në vitin 1978 dhe 1979, në konfliktin që kishte Klubi Shqiptar në Dy­seldorf, gjatë fazës së emërtimit të tij, Zotëri Hashani kishte përkrahur e trimëruar anëtarët e Klubit, duke u dhënë të drejtë ta emërtonin Klub Shqiptar. Konsullata jugosllave në Dyseldorf, përmes nëpunësit Zenel Syka, impononte emërtimin “klub jugosllav”. Sekretari i Parë i ambasadës, Zotëri Hashani, në prani të stafit të konsullatës tha se shqiptarët e RSFJ-së kanë të drejtë kushtetuese ta quajnë veten shqiptarë kudo që të ndodhen. Me atë rast ai pati disiplinuar edhe “korrespon­dentin” Jusuf Buxhovi, i cili ia mbante krahun konsullatës.

Para se ta intervistoja Zotëri Hashanin, tashmë në pension dhe shtetas i Gjermanisë, ia shtruam bisedës së lirë. Por, unë po i bëja një pabesi: kisha hapur diktafonin digjital të incizonte bashkëbisedimin pa e ditur ai. Biseduam më gjatë se dy orë. Dikur, meqë u lodh paksa, pyeti: “Do ta bësh intervistën se u lodha!?” Nxora nga xhepi i këmishës dikata­fonin miniatural dhe i thashë: “E kreva edhe intervistën”.

Kësaj radhe do të veçoj dy gjëra, meqë jemi te tematika e emigracionit “reaksionar”.

Pohoi se para vitit 1978 kishte qenë shumë herë me shërbim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje e kishte riangazhuar Hysen Terpe­zën që të punonte më shumë për UDB-në dhe ia kishte caktuar nof­kën “Bruklini”. Ishte kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Atij ia ka kri­juar mundësitë, edhe financiare, të takohej me gruan dhe djalin në Stamboll pas shumë viteve. Herëve të tjera ia ka mundësuar të vinte fshehurazi në Kosovë dhe t’i takon familjarët në vila të UDB-së në Brezovicë.

Edhe për Enver Hadrin rrëfeu një ndodhi interesante, atë të konfliktit me UDB-në e Serbisë, gjatë riorganizimit të UDB-së “autonome” të KSA të Kosovës. Për shkak të shpenzimeve të larta UDB-ja e KSAK-së refuzon ta paguajë Enver Hadri. Plas konflikti. Me ndërhyrje të Mahmut Bakallit pagesën pranon ta marrë përsipër UDB-ja federative e RSFJ-së.

Për organizatën e Emin Fazlisë dhe sherrnajën që kisha pasur për shkak të Fekë Dautajt në Vjenë, e kisha informuar Jusufin gjerësisht. Atë organi­za­të nuk e quaja si emigracion reaksionar, por se strukturë e UDB-së, sepse të gjithë kuadrot e saj merreshin me veprimtari të kanali­zu­ar nga eprorët e saj dhe shumë veta i kishin gratë ose dash­norët serbe. Këto gjëra m’i kishte rrëfyer Fekë Dautaj në vitin 1979. Në kreun e Besëlidhjes demokratike së Emin Fazlisë ishin edhe të inkriminu­arit Vehbi Ibrahimaj, Maliq Cakaj, Rasim Zeneli, Fekë Dautaj, etj.

Për Martin Camaj ndërkaq kishte qëndrime përçmuese e urrejtëse, meqë kishte dëgjuar nga kolegët e moshuar në “Rilindje” se ai, pasi ishte arratisur nga Shqipëria në Mal të Zi, ishte vënë në shërbim të UDB-së në Jugosllavi. Disa kohë UDB-ja e kishte caktuar shef në ndërmarrjen botuese “Rilindja”. Kur përmbyset ish-ministri i brend­shëm federativ, famëkeqi Rankoviç, shumë nga emigrantët e Shqipë­risë, të cilët i kishin shërbyer UDB-së (si Nderim Kupi i Legalitetit), kalojnë në Perëndim. Martin Camaj vendoset fillimisht në Romë, pastaj në Gjermani.

Kam pasur fatkeqësinë të jemi dëshmitar i një takim mes kryetarit të Lidhjes së studentëve të Universitetit në Mynih dhe Martin Camajt. Në atë Universitet organizohej tubim informativ për Kosovën. Krye­tari Michael Stenger e luti Martin Camaj të paraqesë aspektin e kon­tekstit his­torik të çështjes së Kosovës dhe Serbisë. Ai refuzoi me arsyetim se li­gjë­ruesit e kanë të ndaluar të marrin pjesë në tubime po­litike të studen­të­ve. Michaeli e sqaron se tubimi mbahet nën patronatin të përbashkët të rektorit dhe kryesisë së Lidhjes së studentëve. Atëherë Martini i tha troç: “Nuk më intereson fare Kosova…”. Nuk u përmbajta dhe i thashë: “Të lumtë, Marin UDB-ashi!”. Ai u trondit meqë nuk priste që aty rastësisht të ndodhej një “kosovar”.

Ndoshta këto detaje duhet ta kenë irrituar JG që të kishte paragjykime kundër gjithë emigracionit “reaksionar”.

[Jusuf Gërvalla:]

Tani sapo e lexova letrën tënde (e treta me radhë që morëm këto kohët e fundit pa të dhënë përgjigje) të datës 14 gusht, me të cilën arriti edhe mendimi yt lidhur me I.K. Mendimet që shfaq ti lidhur me këtë person, janë jo vetëm të urta, po edhe shumë të njerëzishme. (Një fakt e ke lanë anash në përfundimin që ke nxjerrë duke analizuar sjelljen e këtij personi nga vërejtjet e mia për të: gatishmërinë e tij që të hyj vetë dhe t’i fusë edhe shokët në shërbim të forcave më reaksionare e mercenare të Perëndimit, siç janë ba­llistët dhe zogistët, madje duke u bërë vetë mercenar i tyre, pra mer­cenar i mercenarit). Megjithatë, pas analizash edhe më të the­lluara, pasi të kemi mbledhur edhe ndonjë fakt për sqarimin e punës dhe të personalitetit të tij, nëqoftëse ai e meriton edhe pas kësaj kujdesin tonë për së mbari, atëherë nuk do të ngurrojmë edhe sa i përket punës lidhur me të. Të shpresojmë se ai e meriton. Sot për sot nuk po zgjatem më shumë lidhur me këtë çështje, sepse vetë kjo letër, për shkak të kohës së kufizuar, është vetëm njëfarë kapari për një përgjigje më të gjatë e më të thelluar.

(Letër SN, 20 gusht 1981; botuar për herë të parë nga Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 451-452)[15]

[Koment:]

Lajthitje e mendësi skandaloze! Po e përsëris edhe një herë, edhe shu­më herë: Nëse kjo letër dësh­­mohet se është autentike, bëhet i do­mos­­doshëm rivlerësimi i figurës së JG dhe do parë ku ndahen miti dhe realiteti deri te dekorimi me titullin e Heroit!

[Jusuf Gërvalla:]

…Që të mos zgjatem me detaje, ja vrojtimet e mia në pika të shkur­tra lidhur me veprimtarinë dhe personalitetin e I. Kelmendit. (…)

Pikërisht në kohën që jam njohur unë me të, ai ka pasur kontakte, madje edhe negociata me emigracionin reaksionar shqiptar për një veprimtari të përbashkët në mbledhje armësh dhe mjetesh ma­teriale. (…)

(Lidhur me këto çështje kemi pasur një dialog të përbashkët dhe bukur të rreptë në praninë e tij unë dhe dy shokë nga Vjena, lidhur me këtë është dashur të jetë i informuar patjetër Profesori, në qoftë se është i informuar për çkado lidhur me I. Kelmendin.)

(“Raport”; botuar për herë të parë në albaniapress.com, 2 tetor 2011, nga Faridin Tafallari, së bashku me punimin Kur Jusuf Gërvalla shkruante)[16]

[Koment:]

Këto dezinformime e raportime spiunazhi, të falsifikuara mbase me qëllime për të kompromentuar JG, edhe nuk do të meritonin të komen­toheshin, ngaqë nuk përputhen aspak me rrjedhën e ngjarjeve!

Themelimi i Lëvizjes dhe vrasjet e 17 janarit 1982

[Mehmet Hajrizi:]

Në natëne 17 janarit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, kanë ndodhur tri ngjarje historike për Kosovën: në bazë të Tezave të Frontit Popullor për Repu­blikën e Kosovës, u arrit marrëveshja e tri organizatave çlirimtare shqiptare, u vranë tre sendërtuesit e atij bashkimi dhe pushoi së vepruari OMLK….”

[Histori e një organizate politike…, Tiranë 2008, f.11][17]

[Koment:]

Ky konstatim është i saktë pjesërisht.

Në mëngjesin e hershëm të 17 janarit të kobshëm kemi vendosur të bash­­ko­hemi në një organizatë, jo sipas “tezave”, por duke bërë një gjetje e akce­ptueshme për rrethanat politike, meqë përcaktimi për formim e organiza­tës së masa­ve, duke pas për pararojë OMLK-në nuk qe akceptuar në tetor. Tre muaj paraprakë, të dominuar me hatërmbetje të kamufluara dhe grindje e garë irracionale, ndihmuan që të refle­ktohet dhe të pranohet gjendja e rëndë or­ga­nizative, sido­mos brenda në Kosovë. Hapur u pranua që orga­niza­tat OMLK dhe LNÇKVSHJ në Kosovë ishin godi­tur aq rëndë, sa që ki­shin humbur funksionalitetit organi­zativ. Prandaj edhe po bëheshin bisedimet për bashkim në emi­gracion. Pastaj qe pranuar se edhe përjashta asnjëra prej tri organiza­tave nuk kanë anëtarësi të atyre përmasave sa t’i impo­nohet tjetrës si më e fortë.

Për shkak të lodhjes se madhe fizike qe vendosur të formulohet doku­men­tacioni përkatës, pas pak orësh gjumë. Emërtimi bazë i organiza­tës së re qe vendosur të ishte LËVIZJA, edhe për shkak se emërtimin FRONT e kishim konsumuar ne të Frontit të Kuq Popullor. Duhet të ketë qenë rreth orës gjashtë të mëngjesit kur u mor vendimi definitiv para se të shtriheshim për të fjetur. Zgjuar dhe të pranishëm ishim vetëm Jusufi, Kadriu dhe unë. Sylë Nuha dhe Bardhi kishin fjetur rreth orës 03.30 pas mesnate, për­ka­tësisht të mëngjesit, pak minuta pasi kemi arritur në shtëpi.

Në mesditë na kanë zgjuar për të ngrënë drekë dhe, pasi kemi bërë paksa teraqillëk, u vendos që unë dhe Syla të udhëtonim për Dyseldorf, meqë ishte paralajmëruar shfaqja e tv-dramës “Prisja e komitëve”. Isha kureshtar dhe dëshiroja të rrija që t’u ndihmoja Jusufin e Kadriun, qoftë edhe me ndonjë shaka relaksimi, në përpilim të dokumentacionit për bashkimin, por bashkërisht gjykuam se nuk kishte kuptim të mos ishte asnjëri nga ne të tre në Klubin Shqiptar në Dyseldor për të organizuar diskutimin pasi të përfun­donte shfaqja përmes videofonit, meqë atë aktivitet e kishin paralajmëruar një javë përpara.

Edhe më herët ne të Frontit ishim dëshmuar se nuk kishim ndonjë pre­ten­dim imponues eksta, por vetëm të ndodhte bashkimi. Qysh në fillim ua kishim deklaruar Jusufit dhe Kadriut gatishmërinë tonë se do mirë­prisnim cilëndo mënyrë të bashkimit që do të vendosnin.

Tipave të sojit të Sabri Novosellës dhe të Xhafer Durmishit më duhet t’ua them edhe njëherë, duke anashkaluar për një çast modestinë, se pothuajse të gjithë kurbetçarët e politizuar që po u përgjigjeshin thi­rrjeve tona për demonstrata e tubime, ishin të aktivizuar para se Kadriu dhe Jusufi të kontaktonin me bashkatdhe­tarë. Përkundër faktit se ne të Frontit, për shkak të modestisë dhe gatishmërisë për bashkim, duke­shim sikur ishim pak dhe të pandikim ngaqë nuk bënim yrysh për të qenë flamurtarë. E konkretizuar në shifra, Lëvizja e Jusufit, respekti­visht lëvizja e rrobaqepë­sit Novosella, mund të kishte e shumta rreth 10 anëtarë në krejt Evropën Perëndimore, OMLK-ja nuk duhet të ketë pasur anëtarë të tjerë, pos Kadri Zekës, ndërsa “kandidatë” duhet të kenë qenë: Hasan Malaj, Saime Jusufi, Kadri Avdullahu, Nexhmedin Ahmetaj, Haqif Krasniqi, Zijah Shemsiu, Jakup Halimi, Ismet Rashiti, Hasan Kadrija, Rashit Rashiti e Shyqëri Ukshini në Zvicër (sipas pohimit të Ismet Rashitit).

Simpatizantë u shtuan gjatë demonstratave të vitit 1981, por ata ishin simpatizantë të bashkëveprimtarisë dhe jo të ndonjërës prej organiza­tave veq e veq. Më saktësisht ishin pjesëtarë të lëvizjes Kosova-Re­publikë, e cila po na detyronte t’i rrudhnim e modifikonim platformat kombëtare e ideopo­litike që i kishim deri në mars të vitit 1981.

Se ishte ashtu dëshmon edhe prononcimi i ish-kryetarit të OMLK-së, Me­hmet Hajrizi, i cili konstaton se “OMLK-ja pushoi se vepruari” për shkak të vrasjes së Kadriut. Ndërsa se ishte ashtu edhe sa i përket LNÇKVSHJ po dëshmojnë shkresat dhe dezinformimet e ekspo­nen­tëve të saj.

Duhet të ketë qenë ora rreth 15.00-15.30 kur unë dhe Syla kemi udhë­tuar, ndërs Kadriu mbeti aty që t’i hartonin materialet e Bashkimit, përndry­she ishim marrë vesh që ta nxirrnim ne deri në stacion të Shtut­gar­tit, që ai të vazh­don­te rrugëtimin me tren për Sant Gallen (Zvicer).

Është e pandershme të botohen lloj-lloj materialesh të ruajtura në shtë­pi të Gër­vallëve, e të fshihen vetëm shkresat që duhet t’i kenë përgati­tur Jusufi e Kadriu mes orës 15.30 deri në orën 22.00, kur duhet të jenë thirrur për të ngrënë darkë. Paraprakisht, me insistim të Jusufit, sipas rrë­fimit të mëvonshëm të bashkëshorteve Suzanë e Tushë, kanë dalë përjashta, në kabinë telefonike të fshatit, për t’i bërë tele­fo­natë Saimes që ta njoftonin se edhe atë natë Kadriu do të rrinte te Gërvallët, sepse Gërvallët ende nuk kishin telefon në shtëpi.

Nga kjo rezulton se formimi i Lëvizjes kishte ndodhur, edhe si për inat të komplotistëve që na mësynë për të na e vrarë edhe vazhdimin e veprimtarisë çlirimtare, pasi na i kishin vrarë dy ideologët kryesorë!

[Xhafer Durmishi:]

Këtu vlen të theksohet se në mesnatë, në dy orët e para të 17 janarit 1982 [nga 00-02], në Bernhausen, në banesën e Murat Kryeziut në Nord-West-Ring 30, 70794 Filderstadt, Jusufi, Kadriu dhe Bar­dhoshi dhe 15-16 aktivistë tjerë, në kohën kur operacioni i UDB-së ka qenë në kulmin e veprimit, kanë shikuar filmin “Mësonjë­torja”, ku përshkruhet heroizmi i një mësueseje, Dafinës – Roza Anagnosti, dhe atyre që e kanë mbajtur gjuhën shqipe të gjallë.[18]

[Koment:]

Po të vlente proverbi “e di luga çka ka vegshi”, do t’i binte sikur “tra­shë­gimtari” Xhafer duhet të kishte qenë i informuar çfarë po ndodh­te atë natë, edhe pse ishte në Kosovë. Më mirë do të ishte të mbështetej në rrëfi­met e ndonjërit nga pjesëmarrësit, ta zëmë të argatëve të tij, Nuhi Sulejma­nit ose Faridin Tafallarit, se sa të paraqesë hamendësime kuturu.

Duhet të ketë qenë rreth orës një, pas mesnate, kur u prish ndeja e atysh­me, meqë Nuhi Sulejmani i bëri një si pyetje provokuese Kadri­ut. Në atë çast Jusufi propozoi që të shpërndaheshim, meqë e irritoi “pyetja” e Nuhiut, i cili ende nuk e dinte se sqarimet dhe mirëkupti­met ishin bërë gjatë dasmës. Prandaj Jusufi na mori në konak, ndoshta edhe për t’u treguar myhibëve të tij se bashkëveprimtaria do të vazhdojë atje ku qe ndërprerë.

Pothuajse që të gjithë e morën vesh kush po shkonte te Gërvallët.

Po ta kujtojmë kohën pas krimit, specialistët e policisë ishin të men­dimit se vetëm njëri nga dorasit vras­tar ka pirë cigare në pusi (pritë) dhe ka pirë, nëse e kam mbajtur mend saktësisht, 47 ci­gare, derisa kanë dalë nga shtëpia viktimat. Sipas anali­zave të mbetjeve të cigareve vlerësonin se të paktën 8-9 orë pritësit kanë qëndruar aty, meqë ishte kohë me mjegull e shoqëruar edhe me reshje bore.

[Xhafer Durmishi:]

Pas radhitjes, Jusufi i shumëzoj këto teza, i dërgoi një numër ekzemplarësh Kadri Zekës në Zvicër dhe vet i shpërndau në krejt rrethin e Shtutgartit. Bashkimi shikohej si një çështje dite, bisedat dukej se do të ishin vetëm formalitet me një procedurë shumë të shkurtë. Jusufi kurrë nuk do të përshkruante [radhiste] ato teza e t’i shpërndante sikur të mos pajtohej pikë për pikë me pikëpamjet e tyre.

Ibrahim Kelmendi nuk ishte i involvuar në këtë punë sa i përket pjesës së Jusufit, siç e dëshmon letra e 20 gushtit. Se në çfarë mase ka qenë i involvuar nga ana e Kadri Zekës do ta shohim më vonë. […]

Jusufi qoftë me shtypjen e shpërndarjen e Tezave qoftë gojarisht ia shpreh Kadri Zekës përkrahjen e vet të pa rezervë për Tezat e majit. Tani në kohë jemi në gjysmën e dytë të shtatorit. Se sa arsye të madhe ka Jusufi të pajtohet e të jetë i kënaqur me këto Teza, duket më së miri nga artikulli i tij programatik “Bashkimi bënë fuqinë”, nga dhjetori 1980. […]

– Formimi i partisë pararojë [Partisë Komuniste] e cila do ta udhëheqë Frontin,

– Në Partinë Komuniste do të hyjnë kuadrot më të formuara dhe më të dëshmuara.

Këtë lloj interpretimi e ka lënë të nënkuptohet Kadri Zeka gjatë kontakteve me Jusufin. Kadri Zeka nuk e ka bërë asnjë koment të vetëm shtesë para Jusufit, se si duhet kuptuar tezat në të vërtetë. Duke u sjellur në rreth, sa i përket kësaj çështje, Jusufi i thotë Kadriut, se unë me Tezat pajtohem por për t’u sqaruar konkretisht është shoku më kompetent i LNÇKVSHJ, Sabri Novosella, që gjendet në Turqi. Ti e ke përkrahjen time, me vete i merr Tezat që ua kam radhitur, dhe përveç kësaj si shok të rrugës që të mos mërzitesh e ta kesh krah po ta jep Bardhin.[19]

[Koment:]

Do të thosha informim korrekt, duke e arsyetuar me ina­tin ndaj meje që gjithsesi të më përjashtojë nga bisedimet. Me­gjithat, kemi pasur debate dhe nuk i ka miratuar “tezat” menjëherë as Jusufi.

[Shefqet Jashari-Strovci:]

Saime Isufi ka për detyrë të përgjigjet edhe në një pyetje po qe se dëshiron të zbardhet kjo vrasje nga organet e drejtësisë së Koso­vës: Nga shumë burime flitet se kur është nisur Kadri Zeka për Gjermani, bashkëshortja e tij e ka porositur, që kur të shkojë në Gjermani të lajmërohet nëpërmjet telefonit se si ka kaluar rrugës. Plotësisht ka qenë e drejtë dhe e arsyeshme brenga e Saimes për bashkëshortin e saj. Por Saimja duhet të tregoi se kur ia ka thënë atë porosi Kadriut, a ishte aty pari Ibrahim Kelmendi apo ndokush tjetër? A ka pasur njohuri Ibrahim Kelmendi se Kadri Zeka ishte i detyruar t’i lajmërohet bashkëshortes së tij me telefon nga Gjerma­nia për t’i treguar se si ka kaluar rrugën.

[“Pse u vranë dhe kush mund të jenë të përzier në vrasjen

e Jusuf Gërvallës…, Bota sot, 26 shkurt -9 mars 2002][20]

[Koment:]

Këto broçkulla i ka shprehur avdalli Shefqet Jashari-Strovci, dë­sh­mi­tari vërtetues kujdestar i të gjitha shpifjeve dhe intrigave të rrobaqe­pësit Novosella. Por i pakuptueshëm del fakti se përse i ka cituar “tra­shëgimtari” Durmishi? Krejt e pakuptimtë të sajohen të tilla insinuata. Kadriu ishte larguar nga Zvicra qysh më 12 janar. E di këtë ky torollak apo nuk e di? Është e vetëku­ptu­e­shme se ai do t’i para­qi­tej herë pas here bashkëshortes, me të cilën ishin martuar vetëm para dy javësh. Por, në ditën e kobshme, Saimja nuk ka asnjë rrol, meqë nuk ka qenë në natyrën e marrëdhënieve që bashkëshorti t’i telefonojë gruas vetëm në orë të caktuar. Rëndom orare janë paracaktuar, kur njeriu nuk ka poseduar telefon në shtëpi, por kanë kontaktuar përmes telefonit të fqinjit, ta zëmë. Pastaj, dorasit duket se kanë zënë pusi meqë janë informuar se të Gërva­llët janë bashkë të gjithë “armiqtë” kryesorë, të cilët kësaj radhe do ta mi­ratojnë bashki­min. Këto informata duhet t’i kenë pasur urdhërdhënësit dhe dorasit ose vetëm dorasit, meqë ur­dhërdhënësit në Beograd duhet ta kenë komunikuar vendimin më herët, ndërsa realizuesit duhet të kenë qenë në lidhje me informatorët prej të cilëve do të duhej të informoheshin për lëvizjet fizike të vikti­mave. Që të mos irritohet Xhaferi po e përjashtoj veten, sepse UDB-ja nuk duhet të ketë pasur interesim të më vrasë edhe mua, meqë nuk kam qenë i rrezikshëm sa Jusufi dhe Kadriu.

Insinuatën Shefqeti duhet ta ketë sajuar pasi i ka dëgjuar insinuatat e ngja­shme, madje edhe më skandaloze nga njeriu i “krahut” të tij, Zo­tëri Xhafer Durmishi.

[Saime Isufi:]

Sa qëndroi në Gjermani, më merrte çdo ditë në telefon. Më njof­tonte për punët që bën­te dhe për të rejat në takimet me punëtorët. Pikërisht në natën e kobshme ku ai ishte bashkuar me vëllezërit Gërvalla, kishte dalë për të më telefonuar se atë natë nuk mund të kthehej. Pati të tillë që i thanë Kadriut se nuk ka nevojë t’i telefo­nosh, se ia ke frikën gruas etj., por ai iu kishte thënë se atë e kam shoqe dhe të gjitha i ka lënë për mua, ndaj nuk dua të bëhet merak. Kjo ishte e natyrshme, por natyrisht jo për të gjithë.

[Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f.102][21]

[Koment:]

Shefqetiduket se tashmë e paska përgjigjen e Saimes, apo ai nuk di as kaq? Sidoqoftë, sado hamendësime të Saimes, duken afirmative. Po të kisha qenë unë aty edhe mund t’i thosha të tilla shaka Kadriut, sepse unë isha ngucakeqi. Por, nuk ka qenë fare në kulturën dhe mirësjelljen e Jusufit e Bardhoshit t’i thoshin llafe të tilla. Madje mua më kanë fo­lur Suzana dhe Tusha se ishte pikërisht Jusufi që insistonte t’i bëhej telefonatë “Bulës”, për të mos e lënë të shqetë­suar gjithë natën kur dihej se Kadriu heret në mëngjesin e së hënës du­hej të ishte në punë në Sant Gallen të Zvicrës.

Pastaj Kadriu ka qenë i prerë sa i përket konspiracionit. Nuk e besoj se s’i i ka rrëfyer Saimes për angazhimet e tij as gojarisht, e lëre më përmes biseda­ve telefonike.

Mendoj se edhe ky tekst duhet të jetë i zbukuruar, tashti nga “stilisti” Apostol Duka dhe nuk është rrëfim tekstual i Saimes.

Diku rreth ose pas mesnatës na ka ardhur lajmi në Dyseldorf. Isha në ba­nesë të Hysri Rekës dhe sapo u shtrimë për të fjetur na kanë infor­mu­ar. Deri në mesnatë kemi qenë në Klub. Pjesëmarrja e bashkat­dheta­rëve ka qenë e madhe, meqë njoftimi për shfaqje filmi ishte bërë të paktën një javë më herët. Edhe diskutimet rreth tv-dramës zgjatën paksa. Por, të dielave, bashkatdhetarët shpërndaheshin më herët se sa të premten dhe të shtunën në mbrëmje, meqë e hëna ishte ditë pune dhe punë rëndom ishte punë e rën­dë fizike.

Pas marrjes së lajmit të kobshëm kemi udhëtuar nëpër rrugë me ngrica. Në mëngjes ishim në Untergruppenbach. Suzana nuk ishte në shtëpi. Ndo­shta në spital ose në polici. Shefi i SOKO-s, Zotëri Odaisch, më mori rreth orës 10.00 dhe shkuam në ndërtesën ku ishte ngritur shtabi hetues. Aty duhet të kemi bashkëbiseduar rreth dy orë.

Duke mos ditur për porosinë e Jusufit, “nëse dorasi është shqiptar, mos u zbuloftë kurrë”, unë kam rrëfyer aty sinqerisht për çdo gjë që më kanë pyetur dhe kam konkretizuar dyshimet e mia: si informatorë të mundshëm për lëvizjet e fundit fizike kam përmendur “mysafirin” që e gjetëm në shtëpi të Gërvallëve (nga Bllaca e Suharekës) dhe Nuhi Sulejmanin. Kurse për doras, Riza Salihun. Natyrisht se më kanë pyetur edhe për bazën e dyshimeve dhe unë i kam paraqitur arsyetimet përkatëse.

Të gjithë ata që kanë lehur e llomotitur se përse unë nuk e kisha de­noncuar Riza Salihun me kohë, por pas 25 vjetëve, kanë qenë kryesisht kasta e atyre që nuk janë merakosur e nuk merakosen të zbulohen do­rasit, por që të ma nxijnë sa më shumë jetën mua dhe ta denigrojnë personalitetin tim.

Edhe në Kosovë, pas çlirimit, kur janë formuar institucionet jam pa­raqitur për të bërë denoncimin, por secilën herë më është thënë se he­tuesinë e bëjnë organet e shtetit ku kanë ndodhur vrasjet.

Bashkimet dhe komplotet

[Xhafer Durmishi:]

Në orët e para, në momentet e para e thërrasin shokun e Jusufit, eprorin e Jusufit, i mbë­shteten pikërisht atij që është dashtë dhe me të cilin është konsultuar Jusufi përpa­ra, Sabri Novosellës në Ada Pazar. Sabriu, pasi i merr informatat e nevoj­shme për sho­kët më të afërt të Jusufit e të Lëvizjes në Shtutgart jep udhëzime pikërisht ashtu siç duhet. E cakton njeriun më të moshuar dhe ndër aktivistët më të dalluar të rrethit të Jusufit, Nuhi Sylejmanin, nga rrethi i Ku­manovës që të jetë ai i cili do t’i pres e do t’i përcjell bashkë­luf­tëtarët, bashkatdhetarët, shokët, mysafirët gjatë ditëve të ngushëlli­mit që do të pasonin. (…) Nga mesi i punëto­rëve për të gjitha punët praktike aq të shumta, barra më e rëndë bien mbi Faridin Taf­allarin, e pastaj Nami Ramadanin, Remzi Ademajn e Mejdi Rexhën etj. (…)

Në këtë ditë të rikthimit në Untergruppenbach, të enjten më 21 janar 1982 rreth orës 14.00, për herë të parë në jetë e kam takuar Ibrahim Kelmendin. Por para se ta takoj e të ndërroj ndonjë fjalë me te, të gjithë shokët e Jusufit, pa asnjë përja­shtim më kanë tre­guar se si Ibrahimi ka qenë me ta në natën e të shtunës dhe paradi­tën e të dielës dhe se dyshojnë në te se është i implikuar në ndonjë mënyrë në këtë atentat. (…)

Duke pasur parasysh gjendjen shumë të rënd të krijuar pas atenta­tit dhe mos­përvojës tonë në çdo pikëpamje, unë dhe Haxhi Berisha pas disa ditësh kemi udhëtuar në Dort­mund për ta takuar Peter Platz­manin (komunist gjerman, kryetar i Shoqatës Gjerma­ni-Shqi­përi – sqarimi XhD). Peterin e kemi pyetur kryesisht si të sillemi ndaj policisë e cila vazhdimisht vinte ato ditë në shtëpinë e Jusufit si dhe ia kemi shprehur dyshimet tona për I. Kelmendin. Ai na i ka dhënë disa këshilla të përgjithshme dhe na ka thënë se ato dyshime që i keni në Ibrahim Kelmendin nuk kanë baza të mjaftueshme.[22]

[Koment:]

Pohim pjesërisht korrekt. E kontestoj dezinformimin se aty, të enjten, më 21 janar, në ora 14.00, në shtëpi të Gërvallëve jemi ta­kuat për herë të parë. Unë vazhdoj të besoj se jemi takuar të paktën në një fundjavë, në ca livadhe në afërsi të Untergruppenach-ut. Jusufi, Bardhi e fëmijët thanë se do të dalim të shëtisim dhe do t’i takojmë disa studentë. Por, se si më është fiksuar se duhet të jemi parë edhe një verë më herët, në vitin 1980. Pastaj, edhe në disa aktivitete. Madje Jusufit i kam thënë se “Sken­deri” (XhD) po ha shumë m…, duke u munduar ta nxisë xhe­lo­zinë sikur po afirmohet më shumë Kadriu. Sa do të kisha dëshiruar të mos kisha të tilla kujtime, qofshin ato reale a fiktive!

Tashmë, si aksidentalisht, edhe Xhaferi e titullon Sabri Novosellen si epror të Jusufit. Uroj të mos ketë qenë vërtet epror, sepse është emër­tim që përdoret në hierarkinë policore, ushtarake e të shërbimeve, por jo në or­ganizatat politike. Ndërsa unë e quaj epror, sepse Sabriu si ep­ror i ka ko­manduar vartësit e tij, të cilët e kanë ditur vetën se janë anëtarë të një or­ganizate nacional-çlirimtare dhe jo të një kompanie virtuale private të Sabri Novosellës. Pra, ai, Sabri nga Ada Pazari cak­ton Nuhi Sulejmanin për “kryeplak” dhe nuk caktohet nga “komiteti qendror” i Evro­pës Perëndimore, as nga “komiteti” i rrethit të Shtutgartit dhe as nga ata 7-8 veta që janë betuar më 7 dhjetor 1981! Goxha interesante kjo strukturë komandimi!

[Xhafer Durmishi:]

Prapë shtrohet pyetja: Shokët e Jusufit, në shtëpinë e Jusufit, ata që e kanë njohur më së miri dhe që kanë bërë për te më së shumti, Remzi Ademaj, Haxhi Berisha, Faridin Tafallari, Nuhi Sylejmani, Naim Haradinaj etj. a kanë pas aso qëndrimesh dhe asi karakteri sa me të vërtetë kanë menduar se Jusufi e ka lënë një vend që mund të zihet, një boshllëk që mund të mbulohet në përgjithësi apo nga Skënderi i Shtutgartit në veçanti?[23]

[Koment:]

Të kishte qenë Jusufi i atij niveli, siç po provon ta idealizojë me glorifikim “trashëgimtari”, gjithsesi që përmes tij ta lartësojë vetveten, nuk do ta kishte për epror Sabri Novosellën; nuk do të manipulohej e komandohej deri në atë shkallë prej tij sa të shfaqet si injorant ose si i kapur prej tij.

[Xhafer Durmishi:]

I. Kelmendi, vetëm pasi kanë kaluar katër ditë nga atentati, kur në shtëpinë e Ju­su­fit, tërë kohën nuk është biseduar asgjë tjetër pos asaj se si i kanë kaluar punët e bisedat më 16 e 17 janar, tek më 21 janar nisë të tregoj ‘se në orët e fundit para atentatit ndaj dëshmorëve tanë, ne kemi marrë vendime me rëndësi dhe na duhet t’i konkretizojmë pasi të kemi kryer ceremoninë e varrimit’…[24]

[Koment:]

Dhuntia e farkuar nga praktika shpejt më mundësoi të kuptoj se aty po thureshin komplote të rrezikshëm duke shpërdorur edhe çuna të pa­përvojë dhe të painformuar, por që padyshim ishin trima, siç shquhe­shin: du­ka­gjinasi Naim Haradinaj dhe dibrani Agron Sela. Prandaj, e shumta që mund të bëja, ishte të manovroja që të mos detyroheshim të vriteshim me ndonjë provokator a sulmues të manipuluar dhe të shpëtonte ajo që mund të shpëtohej, meqë aty po merrte formë një si shtab i komploteve të rrezik­shme. Fatkeqësisht, Shtëpia e Gërvallëve kishte mbetur pa zot, meqë gratë fatzeza ndiheshin të detyruara të respektonin eprorin e burrave të tyre, rrobaqepësin Novosella dhe “kryeplakun” Nuhi e “trashëgimtarin” Xha­fer, të cilët eprori i kishte graduar. Më nuk ishte vendi e as kuvendi të tregoja çfarë kishim vendosur dhe si duhej ta jetësonim vendimin.

Shumë bashkatdhetarë që po ktheheshin nga pushimet e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, po shfaqnin habi që po me shihni aty, meqë lufta speciale ishte ndezur e mërdhezur gjithandej në Kosovë, sa që thuhej se “Policia gjermane po e kërkon Ibrahim Kelmendin si vrasës!”.

[Shkolla e UDB-së Serbe (Nuhi Sulejmani):]

Me Skënder Skënderin [Xhafer Durmishin-shën im] isha takuar vetëm njëherë në familjen Gërvalla, në shtator të vitit 1981, nëprezencën e Islam Rafunës. Pastaj, as nuk e kam parë, por as nuk kam dëgjuar më për të. Nuk e mora vesh se nga erdhi, nga Kosova apo nga ndonjë vend tjetër, ndodhej ilegal në Gjermani, apo kishte ndonjë leje qëndrimi. Në fillim mendova se qëllimi i vizitës së tij ishte ngushëllimi, por pak kohë më vonë, për befasinë time, Suzana ma prezantoi si “zëvendës” të Jusufit! “Tani e kuptova qëllimin e vërtetë të ardhjes së tij,” ia ktheva Suzanës, “se Jusufi nuk ka qenë në dijeni se do të vritej dhe të parapër­caktonte një zëvendës… as nuk ishte mbret që të linte në fron trashëgimta­rin.” Suzana më sqaroi se Skënderi ishte i dërguar i Mërgimit, i cili ishte udhëheqësi i ynë, dhe se pa urdhrin dhe lejen e tij ne nuk guxonim të merrnim asnjë vendim. Pas këmbënguljes sime për të marrë vesh se kush fshihej pas pseudonimit Mërgimi, ajo më tregoi se ishte Sabri Novosella.

[Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, f. 88][25]

[Koment:]

Ja si rrjedhin ngjarjet. “Kryeplaku” Nuhi ishte argati kryesor i “trashë­gimtarit” Xhafer, për të sajuar “fakte” komprometuese kundër me­je, siç ia kërkon­te Xhaferi, të cilin rrobaqepësi e kishte graduar një shka­llë më të lartë se Nuhiun, për çka Nuhiu ishte hidhëruar.

Befasi e radhës (tani që lexova “librat” e autorit Durmishi) ishte se ai tashmë Nuhiun nuk po e quante me emër të tij, por me nofkën “Shko­lla e UDB-së Serbe”! Pra, lufta e brendshme se cili të bëhet trashëgimtar i fat­keqit Jusuf i kishte armiqësuar të dy kuadrot kryesorë të favorizuar nga Jusufi dhe të graduar nga SN.

Kur u informova se çfarë relatash kishte pasur Jusufi me Nuhiun u irri­tova jashtë mase. Isha munduar ta bindja se kolegët e tij në Merce­des dyshonin se Nuhiu ishte informator i UDB-së, prandaj i ruheshin. Ai qe edhe shpifës, përfolës, intri­gant e përçarës. Tash po më vjen të mendoj sikur Jusufi për inat timin e paskësh zgje­dhur pikërisht Nuhiun ta bëjë të parin e “shokëve”, duke i shpërfillur të tjerët.

[Shkolla e UDB-së Serbe (Nuhi Sulejmani):]

Pas vrasjes së Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, udhëheqjen e orga­nizatës, në mëny­rë misterioze, e mori Xhafer Durmishi. Ky emërim apo vetemërim kishte ndodhur pa dijen dhe pëlqimin tim, kur dihet se Sabri Novosella [Mërgimi], emigrant në Turqi, asnjëherë nuk e kishte marrë mundimin për riorganizimin e LNÇKVSHJ-së, por e kishte krijuar [apo ishte kyçur] në një organizatë krejt tjetër, të qua­jtur „Komiteti Hasan Prishtina“. Prandaj, emërimet e tilla, pa ndonjë marrëveshje paraprake me anëtarët e mbijetuar të kësaj Lëvizjeje, do ta degradonin LNÇKVSHJ-në, duke e shtyrë drejt dobësimit apo shuarjes totale.”

[Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, f.124][26]

[Koment:]

Po shfrytëzoj rastin ta falënderoj Xhaferin për mundë­sinë që më ka dhënë për të parë çfarë kanë shkruar të tjerët në emër të gjysmanal­fabetit Nuhi Sulejmani (meqë nuk e dija as se kishte botuar edhe “li­bër”), por nuk po e kuptoj se përse ka publikuar aq shumë fra­gmente të tij? Unë po i sjell vetëm disa prej tyre këtu për ta shpërfaqur nai­vitetin e Jusuf Gërvallës se çfarë jashtëqitje ka favorizuar si kua­dër.

[Shkolla e UDB-së Serbe (Nuhi Sulejmani):]

Skënder Skënderi [Xhafer Durmishi – shën Xh.D.], duke e parë se unë nuk e ki­sha „vërejtur“ situatën, nuk i kisha „zbuluar“ tra­dhta­rët në mesin tonë, nuk po i kuptoja „rrotullat“ që luheshin për­reth dhe nuk kisha vënë dyshimin mbi askënd, hapur më tha: „Kemi in­formata se në këtë vrasje të trefishtë kanë gisht vetëm dy veta, e këta janë: Bulja dhe Ikaja! [Të gjitha nënvizimet në tekst e huazuar nga “librat” e Durmishit, janë bërë nga Z. Durmishi.]

Derisa po çuditesha nga ato që po i dëgjoja, e pyeta se kush ishte Ikaja! I çuditur me mua që nuk e dija se kush ishte Ikaja, më tha me zë paksa të ulët: Ibrahim Kelmendi. Pasi e kundërshtova në mendimet e tij të krisura, i thashë se këto janë mendime të tij personale, dhe se do të bënte mirë t’i shikonte punët e veta!

[Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, Prishtinë 2010, faqe 89][27]

[Koment:]

Edhe këso sajimesh ndodhin, kur plas lufta brenda llojit. Nuk besoj të jenë zhvilluar atëherë këto biseda në shtabin e komitet­live të lëvizjes së rrobaqepësit Novosella. Përkundrazi, “krye­plaku” Nuhi i ka ofruar “prova” trashëgimtarit Xhafer, se unë nuk jam pjesë e logjistikës së vrasëseve. Edhe ai mund të kishte nuhatur se unë e kisha paraqitur për të dyshuar si informator, meqë Nu­hiu kishte dhunti për të hetuar se kush e kishte skanuar me kohë karakterin dhe angazhimin e tij. Por, fatkeqë­sisht, Jusufi nuk më paskësh mirëkuptuar kur e kam këshilluar që ta mbajë sa më larg dhe sa më të izoluar Nuhiun. Pastaj, nuk ishte ndonjë personalitet kreativ, me autoritet, që të kishte leverdi për ta angazhuar, gjithnjë duke pasur parasysh edhe pasojat e mundshme.

[Xhafer Durmishi:]

Askush prej shokëve të Jusufit nuk ka shfaqur dyshime ndaj gruas së Kadri Zekës. Këto shpifje, para Shkollës së UDB-së Serbe i ka sajuar Ibrahim Kelmendi për ta larguar vëmendjen nga vetja. Këto fjalë për interesa tjera riprodhohen nga ish inspektori i UDB-së serbe Abdullah Prapashtica përmes Nuhi Sylejmanit.[28]

[Koment:]

Ende besoj në dinjitetin e disa pjesëmarrësve të ngjarjeve se mund të dësh­mojnë lidhur me mbledhjen për të më bërë gjyq për “paratë që kisha tentuar t’i vjedhë”, inskenuar nga “kryeplaku” Nuhi, ndoshta me porosi! “Trashëgimtari” Xhafer e ngriti akuzën për Bulën, duke përdo­rur fjalor rrugaçësh. Por, kur unë e kërcënova se “do t’ia shkerdheja…, kush guxon ta përgojojë Bulën”, zuri të modifikonte akuzën e shpifur. Ndërsa tani, i njëjti Xhafer, pardon Xhaferi i “ndërgjegjësuar”, nuk ka kurajë të pranojë se çfarë kishte akuzuar atëherë, por edhe akuzat e tij m’i mvesh si sajesa të miat për të mbuluar gjurmët. Me nder me thënë “të lajë m… me sh…”.

Po të kishte qenë Xhfer Durmishi vetëm viktimë e rrjedhave të tri­shtuara tashmë do të reflektonte me sinqeritet, pa u frikësuar se do ta denigronte vetveten më shumë se sa e ka denigruar atëherë. Për­ndry­she, le hapësirë për të dyshuar se nuk ishte Xhafer Durmishi siç na prezantohet, por më shumë ngjan të ketë qenë njëri nga ata argatët e argatit të Ibush Kllokoçit!

[Xhafer Durmishi:]

Atentati ka ndodhur pak pas orës 22.00 në mbrëmjen e 17 janarit. Prej rreth 10 dhje­torit 1981 deri më 20 janar kam qenë në Kosovë për punë të Lëvizjes së Jusuf Gërva­llës. Në Untergruppenbach kam mbërri rreth orës 14.00 më 21 janar 1982. Në mo­mentin e marrjes së lajmit përmes leximit të “Rilindjes” mërzia ime mun­det me u marrë me mend vetëm nga shokët e Jusufit. Pos kësaj pas disa çastesh më është lajmë­ruar edhe frika se çka mund të mendojnë shokët në Shtutgart. E kam pyetur veten se mos ata, apo ndonjë i vetëm prej tyre mund të mendojë se unë pa vetëdije, pa asnjë kontakt dhe 1600 km nga vendi i ngjarjes mund të kem kontri­buar në atë që kishte ndodhë. Këtë pyetje e këtë shqetësim ua kam shfa­qur Haxhi Berishës, Naim Haradi­najt dhe shokëve të tjerë brenda disa orëve pasi kam mbërri. Të njëjtat shqetësime i kanë pasur edhe ata, të njëjtat pyetje ia kanë bërë vetes edhe ata. Këtu është pastruar atmosfera jonë, për t’u marrë pastaj me punët tjera…

Në mesin e atyre që ka dyshuar në Ibrahim Kelmendin, në radhë të parë ka qenë Nuhi Sylejmani. Por jo vetëm ai. Çka është më së interesanti, nuk ka ekzistuar asnjë shokë i Jusufit që nuk ka dyshuar në Ibrahim Kelmendin. Këtyre dyshimeve, në dashtë le të quhet dobësi, në dashtë le të quhet naivitet e papjekuri, në dashtë le të quhet mençuri, iu kam bashkua edhe unë. Këto dyshime kurrë nuk i janë shpre­hur policisë, pasi ajo e ka ditur punën e vetë. Këto dyshime në sy i janë thënë Ibrahim Kelmendit, nga ne, para të gjithë neve duke e përfshi edhe Osman Osma­nin, para se Suzana, përmes nipit të vet Haxhi Berisha ta përjashtoi nga shtëpia, 40 ditë pas ditës së varrimit, rreth 15 marsit 1982.[29]

[Koment:]

Interesant, edhe Xhaferi paskësh pasur shqetësime, mos po dyshohej edhe ndaj tij! Dreq punë, në kuadër të debateve në rrjetin social pas provokimeve televizive që kishte nxitur tashmë milioneri Novosella, rastisi të komunikojmë edhe me Shaban Muharremin e Mi­haliqit të Vushtërrisë. Ai zuri të plasonte fragmente të letrave të Jusufit në pro­filin tim ku po zhvillohej debati. Nuk i kisha të njohura. Me orie­ntoi se ku po i gjente. Me informoi se edhe vëllai i tij, Asllani, kishte botuar libër me kujtime, “Ëndrra lirie”. Më dërgoi linkun ku mund ta gjeja versi­onin elektronik. E lexova në mënyrë diagonale dhe konstatova shpejt: edhe një vik­timë e rrobaqepësit Novosella. Edhe atë e kishin “zgjedhur” për të qenë anëtar i “komitetit qendror” të LNÇKVSH dhe me arsye e kishte habi­tur ai shpërblim. Krijova përshtypjen si të ishte shkruar me porosi për të dëshmuar praninë e shokut të tij, Xhafer Durmishit në Kosovë, prej 10 dhjetorit 1981 deri më 20 janar 1982, kur e kishte përcjellë në stacion të trenit në Fushë-Kosovë.

Dyshimet i quaja legjitime, meqë shumica e “shokëve” të Jusufit nuk ki­shin qenë të informuar për rrjedhat. Por, aty, tashmë jo në shtëpinë e Vë­llezërve Gërvalla, por në çerdhe të komitetlinjve, nuk është bërë për­pjekje për të sqaruar dyshimet, por për të sajuar prova që të mund të realizohej komploti i bashkëskenaristit Novosella. Krye­pla­ku dhe trashëgimtari ishin të interesuar të shpërdornin sidomos të rinjtë e padjallëzuar, Naim Haradinaj dhe Agron Selajn që të më sulmonin, sepse atyre u duhej një gjakderdhje komprometuese me pasoja zinxhir. Sa i përket rrugaçit ordiner dhe të degjeneruarit Haxhi Berisha, për të cilin nuk kishin ndonjë preferencë as “dajat” e tij, nuk ka pasur staturë për të më përzënë nga shtë­pia e shokëve Gërvalla.

Unë di që pas varri­mit nuk jam kthyer më në atë shtëpi, tashmë të uzur­puar nga komitetlinjtë e lëvizjes së rrobaqepësit Novosella. Qën­dri­mi aty prej 18 janarit e deri me 5 shkurt më kishte sfilitur. I desh­përu­ar për fatin e bashkëshorteve fatzeza, tashme të veja dhe fëmijëve, ika që andej me bindjen se duhet sakrifikuar ata për të jetësuar ven­dimin që kishim marrë.

Tingëllon surealiste, por asnjëherë nuk më është shqitur nga mendja skena e llahtar­shme kur dikush nga vizitorët e ngushëlloi Donikën, vaj­zën 10-vjeçare të Jusufit dhe ajo ia ktheu: “Nuk po mërzitemi shu­më, meqë ka shpëtuar xhaxhi Ibrahim…”. “Kryeplaku” ose kryem… Nuhi, iu ngërmua në mënyrë vulgare që të ikte nga dhoma e mysa­firëve dhe të mos ia dëgjonte më njeri atë përgjigje. Ishte dita e dytë pas vrasjeve të kobshme dhe akoma nuk e kishin “disiplinuar” Doni­kën. Ajo, Premtoni dhe Ergoni kishin afërsi të ma­dhe me mua sa mre­kulloheshin të gjithë. Nuk mungonin sqarimet, “gjithandej e duan fëmijët, sepse di t’ua bëjë qefin”!

Donika, vëllezërit Hysen e Avdyl Gërvalla dhe shumë të tjerë ishin vik­tima të atyre komploteve që kishin për synim të vrisnin edhe veprimtarinë e Vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe të Kadri Zekës. Sa interesante do të ishte të rrëfente sinqerisht, ta zëmë Mehmet Hasku, ofi­ceri madhor i UDB-së, se çfarë e kishte “këshilluar” Hysen Gërvallën, ndërsa Hyseni e arsyetonte “shoqërimin” me të si mundësi për të zbuluar vra­së­sit e vëllezërve. Në një ndejë me Mehmetin, me kërkesë të tij, para 5-6 viteve, me ndërmjetësim të një ish-bashkëve­primtari dhe në prani të edhe disa të tjerëve, ai rrëfeu për ca “këshilla” e angazhime, por nuk ishim të interesuar të dëgjonim shumë.

[Xhafer Durmishi:]

Rruga ime në Turqi më 13 shkurt 1982, në radhë të parë ka qenë për ta informuar Sabriun për gjendjen e krijuar pas atentatit të 17 janarit dhe për të planifikuar punën e ardhshme.

Sabriu thotë se Shtabi i partisë me Abdullahun në krye, me gjithë gjërat qesharake e budallallëqet e tyre çmohet shumë nga diplomacia shqiptare e Bujar Hoxha.

Ne do të bisedojmë me ta për bashkim. Mos ta nënçmojmë gjendjen, përkundër budallallëqeve që ke me i dëgjuar nga goja e tyre, mund të ndodhë që të vij deri te bashkimi.

Udhëheqja e Partisë përbëhej nga:

– Abdullah Prapashtica, Kryetar i Partisë Marksiste Leniniste Shqiptare në Jugosllavi [PKMLSHJ],

– gruaja e tij [e cila do të zgjidhej] kryetare e organizatës së gruas,

– Osman Osmani, sekretar,

– Faton Topalli, kryetar i organizatës së rinisë dhe nip i Abdullahut.

I vetmi prej tyre që din diçka, thotë Sabriu, është Fatoni, por si nip i Abdullahut nuk guxon të ketë mendime të pavarura.

Dhe me të vërtetë kur u takuam më vonë dukej se Fatoni ishte në aso pozite të keqe ku e kishte vu Abdullahu sa nuk di se a mund të gjendet ndonjë rast i ngjashëm tjetërkund. Vuajtja dhe mundimi i Fatonit qëndronte në atë se ai shpesh ngatërro­hej dhe e kishte vështirë se si ta thirrte Abdullahun; shoku Kryetar apo dajë.

Thelbi i aktivitetit të partisë në gjithë “modestinë” e vetë ishte ky:

– Partia është autore e kërkesës Kosova Republikë dhe organizuese e demonstratave të vitit 1981,

– Abdullahu, në cilësinë e inspektorit të sigurimit shtetëror, ka pas mundësinë ta studioi aktin e Adem Demës. Për këtë arsye Adem Dema i takon PKMLSHJsë, ai është ideologu i saj.

– Kriteri kryesor për zgjerimin e radhëve të partisë janë lidhjet familjare,

– Partia ka nxjerrë organin e vetë “Revolucioni”, në të cilin Kryetari i partisë dhe sekretari i saj shpallen heronj të popullit, si dhe organin e rinisë “Atdheu”,

– Partia i ka shkruar KQ të LKJ-së dhe e ka thirrë në bisedime nga pozita të barabarta,

Prandaj, vazhdohet me stilin e “modestisë”,

– çdo gjë e mirë nga demonstratat e vitit 1981 janë vepër e popullit, ndërsa për pasojat merr përgjegjësinë partia,

– të gjithë ata që kanë luftuar për bashkim kombëtar janë njerëz të komprometuar nga pikëpamja e Kosovës Republikë, dhe si të tillë duhet të tërhiqen mënjan ose t’i vihen në dispozicion politikës e shtabit të partisë, i cili ka dalë jashtë t’i bashkoi organizatat në PKMLSHJ.

Ndaj budallallëqeve të këtyre kalorësve të situatave, unë reagova ashtu siç ishte e natyrshme për të reaguar. Përkundër të gjithave ne do të duhej të bisedonim me ta.

Pas tri ditë bisedash në Adapazar, në mbrëmjen e 16 shkurtit u nisëm me Sabriun për në Ankara, atje ku ishte vendosur udhëheqja e PKMLSHJ-së. Së pari në Ankara, në paraditën e 17 shkurtit, takuam Bujar Hoxhën dhe biseduam për gjëra të përgjithshme.

Ai e dinte se ne do të bisedonim për bashkimin. Ai shtroi një pyetje të drejtpër­drejtë: Pse unë isha kundër asaj që organizata e krijuar të quhet parti, dhe shtoi më pas:

“Bashkohuni!”

Ndërhyrja e tij kishte peshë. Por kryesorja ishte ajo që ne [unë e Sabri Novosella] nuk ishim kundër bashkimit, ndërsa “motivi kryesor” i udhëheqjes së partisë për dalje jashtë, thuhej se ishte pikërisht që t’i bashkoj organizatat. D.m.th. ekzistonte baza për fillimin e bisedimeve pa kushte, me mundësi për marrje vendimesh, pa u fshehur pas mungesës së autorizimeve.[30]

[Koment:]

Solla një fragment më të zgjeruar të dezinformimeve të “tra­shë­gim­tarit” Durmishi, që të informohen të interesuarit se si i kanë vle­rësu­ar “përfaqësuesit” e LNÇKVSHJ, Sabri Novosella e Xhafer Durmishi, “për­faqësuesit” e PKMLSHJ, Abdullah Prapashticën e Faton Topallin, me të cilët kishin ndërmend të “bashkoheshin”. Kurse, sa i përket broçkullave që u mveshen diplomatëve shqiptarë, hulum­tuesit do të gjejnë në arki­vat përkatëse në Tiranë se çfarë shënimesh kanë deponuar ata. Pastaj mund të bëjnë krahasime me këto për të cilat dezinformon kjo kategori e protagonistë­ve. Ibrahim Çavolli, konsull në Stamboll, ka botuar libra me ca kujtime, por nuk kam mbajtur mend se si e diskreditonte rrobaqepësin Novosella.

[Xhafer Durmishi:]

Pasi i kam treguar gjithçka që dija për gjendjen në Untergrup­penbach e Shtut­gart, Sabriu më ka thënë se duhet të shkojmë në Ankara që të takohemi me Bujar Hoxhën, pasi Bujari i paska thënë që kur të vijë shoku nga Gjermania, merre pa u vonuar e eja tek unë. Sabriu thotë se Bujari është shumë i interesuar që shumë gjëra t’i dëgjoj vetë prej teje. Duke pasur parasysh përvojën e para disa ditësh me diplomatët në Vjenë, unë isha shumë i befasuar [për të mirë] që një diplomat tjetër i të njëjtës parti të kërkonte patjetër ta takoja duke bërë qindra kilometra rrugë. Sabriu më tregon se në Ankara gjendet Abdullahu [“komunisti” ish-inspektori i UDB-së Serbe] me osmanët e vetë.[…]

Bujari, në cilësinë e të birit të Kadri Prishtinës, kërkoi nga ne, përfaqësuesit e Lëvizjes së Jusuf Gërvallës, që edhe ne, në frymën e Jusufit, të tregohemi edhe më bujar ndaj këtij ish-udbashi dhe t’ia dhamë një second chance. Për hir të frymës e shpirtit të Jusuf Gërvallës, Kadri Prishtinës dhe amanetit të gjeneratës së tij, ne shokët e Jusufit pranuam të bisedojmë me këtë ish-udbash të UDB-së Serbe, me këtë përdorues të zgjuar të kërbaçit i cili i kishte duart e përgjakura me gjakun e shokëve tonë. Pa influencën e Bujar Hoxhës bisedime për bashkim nuk do të kishte.[31]

[Koment:]

As meritojnë të komentohet pasazhet e këtij citimi, meqë nuk dihet se cila ishte e vër­tetat në ato rrjedha. Të paktën në këto rrethana unë dëshiroj të rezervohem.

Xhaferi rezulton të keqkuptohet si qesharak e naiv, kur dezinfor­mon: “Bujari, në cilësinë e të birit të Kadri Prishtinës, kërkoi nga ne, përfa­qësu­e­sit e Lëvizjes së Jusuf Gërvallës…”. Pra, ta degradosh eprorin e Jusufit, Sa­bri Novosellën, në përfaqësues të “Lëvizjes së Jusuf Gërva­llës”, është një broçkull që të nxit të qeshësh, por edhe që të shqe­tësohesh se sa dhe si mund të shpërdorohet gjuha dhe shkrimi.

[Shefqet Jashari-Strovci:]

Hetimet zgjatën 7-8 muaj. Është vështirë të përmenden gjithë hetu­e­sit që merr­nin pjesë në maltretime. Veçmas kanë qenë të pashpirt Asllan Sllamniku, Sllavkoviqi dhe njëfarë Muharremi. Kam pasur rastin ta njoh edhe Abdullah Prapashticën, e cili e shikonte duke më rënë me kërbaç këmbëve i pashpirti Asllan Sllamniku. Ai me zgjuarsi ia mori kërbaçin A. Sllamnikut, duke më ngritur në këmbë dhe duke më goditur shumë pak hundëve, prej nga më doli gjaku. Si duket A. Sllamnikun gjakun i dalur nga hundët e mia e zbuti. Ai pastaj dha urdhër që të më kthejnë në burg. Me gjestin që e bëri Abdullah Prapashtica, kam qenë i bindur se nuk është i shitur për serbosllavët, por ka hyrë të punojë në SPB-në e Kosovës për qëllime patriotike.

[Drita, Trelleborg-Suedi, nr. 15/1997, faqe 18][32]

[Koment:]

Ja, kështu bën mazohisti, i vetëkënaqur me torturën! Kur duan ustalla­rët dinë të prodhojnë “argumente”, për të arsyetuar “bashkimin” mes ish-udbashëve

[nëse rezulton se rroba­qe­pësi Novosella vërtet ishte argat i Ibush Klokoçit]

.

[Abdullah Prapashtica, ish-inspektor i UDB-së]:

Por, pas vrasjes së tyre [Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës-shë­ni­m i Xh.D.], neve na paraqitet Sabri Novosella si përfaqësues i LNÇKVSHJ. Ne i besuam atij, duke ditur se ai ishte dënuar së bashku me Adem Demaçin! Mirëpo me që vetëm ai do të ishte i pa pranueshëm për vazhdimin e bisedimeve, Sabri Novosella e sjell me vete një Durmishin.

Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësojnë anëtarët e KQ Mërgimi [Sabri Novo­se­lla] dhe Shpendi [Xhafer Durmishi]. Ishte hera e parë dhe fundit që jam takuar me këtë njeri në Ankara, me 17 Shkurt 1982. Përshtypja ime ishte se Sabri Novosella e kishte ma­rrë me vete formalisht, sepse Durmishi me as një fjalë domethënëse nuk morri pjesë në ato bisedime. Ishte i pranishëm, por me asgjë nuk mbaj mend praninë e tij, sepse dukej si i humbur andaj ishte dhe mbeti një njeri anonim për mua!” [www.albaniapress.com, 2 maj 2011][33]

[Xhafer Durmishi:]

Para takimit të 17 shkurtit 1982, Sabriu kishte në kujtesë të freskët takimin e dështuar me Kadri Zekën, në tetor 1981, prandaj ishte i interesuar që të mos ketë një dështim të ngjashëm me “komunistin” e ish-inspektorin e UDB-së, Abdullah Prapashtica. Edhe ish-UDBashi “komunist” i kishte dy tentativa e përjetime shumë të hi­dhura më heret. Njëri takim i kishte dështuar me KQ të LKJ, ndërsa tjetri me “komunistin” Berat Luzha. Të dy takimet e lartpër­men­dura nuk ishin mbajtur për shkak të mospërputhjes së ideologjisë. Për këtë arsye takimi me Sabriun për te ishte i treti, pra “E treta e vërteta”! Ja kësaj radhe, ja kurrë! Si rrjedhim i gjithë kësaj, edhe Sabriu edhe ishudbashi “komunist” ishin të gatshëm që për të arritur një bashkim, të bënin sakrifica të mëdha.

Përdorimi me zgjuarsi i kërbaçit nga Abdullahu, në përgjakjen e hundës dhe buzëve të Shefqet Jasharit ishte një bazë e mirë për përgatitjen e për-puthjes së ideve të Lëvizjes me Partinë “Komu­niste” të ish-udbashit. […][34]

[Xhafer Durmishi:]

Në orën 21.10 të datës 17 shkurt 1982 [në Ankara – vërejtja ime] fi­lluan bisedi­met për bashkimin e organizatave MOTRA, LNÇKV­SHJ dhe PKMLSHJ, gjegjë­sisht për shkrirjen e këtyre dy organiza­tave NË NJË TË VETME.

Të pranishëm ishim Fatoni, unë, Osman Osmani, Abdullahu dhe Sabriu. Askush tjetër nuk ka qenë i pranishëm.

Pasi Sabriu u tregoi se fusha ime e interesit ishte teoria, Abdullahu me shokë nuk u interesuan fare të rrahin asnjë mendim në këtë fushë dhe thanë se në atë drejtim ideologjia e Partisë “Komuniste” përputhet pikë për pikë me ideologjinë e Lëvizjes dhe se diskutimi të bëhet vetëm rreth emrit të Organizatës dhe emrit të gazetës. Abdullahu tha se është shumë me rëndësi me ia fillua prej zeros, le të kuptohet që kemi të bëjmë me një fillim të ri dhe se kjo duhet të shprehet në emrin e Organizatës dhe të gazetës.

Duke ia nisë prej zeros, ne me shembull konkret po tregojmë se çfarë sakrifice të madhe jemi duke bërë para shokëve tanë dhe gjithë të tjerëve. Ky shpirt i sakrificës e i bujarisë dëshiroj të vjen në shprehje edhe te Baci Sabri.

Osmani propozoi që ORGANIZATA E VETME që do të dalë nga bashkimi të quhet LËVIZJE, për hir, apo si vazhdim i drejtpërdrejt i LËVIZJES SË JUSUF GËRVALLËS. Sabriu, shumë i kënaqur me propozimin e Osmanit dhe për ta bërë idenë e tij më komplete tha: “Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot sukses e edhe pas tashit do të punohet me atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbaj emrin ”Zëri i Kosovës”.

Abdullahu me sekretarin dhe nipin iu drejtuan Sabriut: Baci Sabri, pajtohemi me propozimin tënd, megjithëse duhet ta them atë që na e ndjen shpirti [“komunist” – se komunistët i thonë gjërat hapur], se shpirti i sakrificës e bujaria për të cilën fola më parë dhe të cilin kisha dëshirë ta shihja kah vjen në shprehje, sikur po mungon prej anës tënde. Nëse pajtohemi krejtësisht me ty, kjo do të linte hapësirë për kritika ndaj nesh prej komunistëve tanë kur të takohe­mi me ta ndonjëherë në të ardhmen. A ke ndonjë die se si duhet ta parashtrojmë para tyre e qëndrimin e Partisë “Komuniste”?

[Sabri Novosella:] Nuk pajtohem me mendimin tënd Abdullah se shpirti im i sakrificës nuk ka ardhur në shprehje, as me akuzën tën­de krejt të pabazë se jam tahmaçar. Përkundër përdorimit me zgjuarsi të kërbaçit, unë, si shok i Adem Demaçit, Shefqet Jasharit, Jusuf Gërvallës po pranoj me bisedua me ty nga pozita të bara­barta. A sakrificë e vogël po të duket kjo! A e meritoj vërtetë me thënë tahmaçar?! Nuk e di se a je i vetëdijshëm se çka do të thotë kjo për reputacionin tim? Ku kam fytyrë me u dalë përpara Mulla Hamitit, Mulla Ramës apo futuristit-Mulla Izetit, po ta dinin ata, se unë po bisedoj me komunistë për çështje të Kosovës?!

Sa i përket çështjes se çka t’u thoni “komunistëve” kur t’i takoni në të ardhmen, nëse u bien rasti me takua ndonjë, unë kisha me ua propozua këtë formulim: “Në natën e 17 shkurtit 1982, në Ankara të Turqisë, kanë ndodhur tri ngjarje historike për Kosovën: 1.Në bazë të Lëvizjes dhe Zërit të Jusuf Gërvallës u arritë marrëve­shja për bashkimin e Dy Organizatave çlirimtare shqiptare; 2. U nderuan me një përkujtim të veçantë në ditën e njëmujorit të rënies edhe në këtë mënyrë të vrarët në Kështjellën e Jusuf Gërvallës dhe 3. Pushoi së vepruari Partia “Komuniste”.[35]

[Koment:]

Mbase është edhe pak argëtuese sesi vlerësojnë njëri-tjetrin protago­nistët e “bashkimit” të 17 shurtit 1982, dhe si i kanë zhvilluar bisedi­met këta “përfaqësues”. Megjithatë, ty të dhëna në këtë mjedis janë kaq pëlcitëse sa nuk i duron as veshi i mësuar me kakofoni: Flitet për Lëvizje të Jusufit… Ku është këtu statusi i eprorit SN që propozonte rrethe e komitete për Evropën Perëndimore? Si u zhbë ai “në cilësinë e të birit të Kadri Prishtinës”? Dhe, së fundi, maja e marrëzisë “çfarë do t’i thuhet anëtarësisë nëse i takojnë një ditë!?”. O Zot, për ç’anë­tarësi e kanë fjalën përfaqësuesit e dy “komiteteve qendrore”? Më lehtë do ta kisha të besoja se po flisnin me gjuhën e Gogolit për “Shpir­trat e vdekura”, po i bindur se këta halldupë as e kanë lexuar e dëgjuar Gogolin, mbeta i pangushëlluar.

[Xhafer Durmishi:]

D O K U M E N T nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfa­qësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

Në orën 21.10 të datës 17 shkurt 1982 [në Ankara – vërejtja ime] fi­lluan bisedi­met për bashkimin e organizatave motra, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, gjegjësisht për shkrirjen e këtyre dy organizatave në një të vetme.

Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësojnë anëtarët e KQ [Komite­tit Qendror-shën.Xh.D.] Mërgimi [Sabri Novosella] dhe Shpendi [Xhafer Durmishi].

Organizatën e PKMLSHJ e përfaqësojnë Kushtrimi [Abdullah Pra­pashtica] dhe Halimi [Osman Osmani], anëtar të KQ. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe anëtari i KQ të PKMLSHJ Qemali [Faton Topalli] si përfaqësues i këtyre bisedimeve.

Pas afër tre muajsh bisedime dolëm me propozime konkrete.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Halimi [Osman Osmani] doli me këtë propozim; të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin ”LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGO­SLLA­VI” [LRSHJ].

LRSHJ të ketë një platformë, program e statut të vetëm, një KQ, një organ [revistë, gazetë] qendrore.

LRSHJ do të formojë organizatat e veta të brendshme; të gjitha organizatat që i ka një Republikë Federative Jugosllave.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Shpendi [Xhafer Durmishi] deklaroi:

-Pajtohem që organizata në fjalë [LRSHJ] të ekzistoj si e tillë deri në momentin kur të realizohet kërkesa për formimin e Republikës.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Kushtrimi [A. Prapashtica] deklaroi:

-Pajtohem me propozimin e dhënë për bashkimin e organizatave tona dhe për

mënyrën e organizimit të cilën e parashef ky propozim. Gjithashtu jam i mendimit që organizata në fjalë [LRSHJ] të ekzistoj deri te arritja e kërkesës së klasës punë­tore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Mërgimi [Sabri Novosella] deklaroi:

– Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Halimi [Osman Os­mani] dhe i përkrahur nga Shpendi [Xhafer Durmishi] e Kush­trimi, kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotike revo­lu­cionare dhe të popu­llit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj: të dy komitetet e organi­zatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSHJ kurse udhëheqësia e Komitetit Qendror të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.

Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpili­min e programit dhe statutit të LRSHJ.

Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot suk­ses e edhe pas tashit do të puno­het me atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbaj emrin ”Zëri i Kosovës”.

V E N D I M i mbledhjes së përbashkët të përfaqësuesve të dy organizatave motra patriotike revolucionare LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

1. Organizata e formuar nga dy organizatat e mëparshme

 LNÇKVSHJ dhe

PKMLSHJ të quhet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi [LRSHJ].

2. Organizatat e brendshme do të organizohen simbas shembullit të republikave tjera të Federatës Jugosllave.

3. Më vonë të formohet komisioni nga anëtarët e KQ për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSHJ.

4. Në KQ të hyjnë anëtarët e dy KQ të mëparshme në përbërje të plotë.

5. Udhëheqja e KQ të zgjidhet në mbledhjen e ardhshme të KQ.

6. Organi i LRSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës” pasi ky emër shpreh zërin e Kosovës, kurse organi i Rinisë të quhet ”Republika”.

Qemali [Faton Topalli],

Shpendi [Xhafer Durmishi]

Halimi [Osman Osmani]

Kushtrimi [Abdullah Prapashtica]

Mërgimi [Sabri Novosella]

17 shkurt 1982″

[Huazuar nga Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, f. 217-218][36]

[Koment:]

Ky vendim zuri të kontestohet fillimisht nga vetë “përfa­qësu­esit” që e sajuan “bashkimin”, ende pa u tharë ngjyra e bojës së nënshkri­me­ve, siç thuhet figurativisht. Në krye të herës u kontestua emër­timi. Por, unë i merrja zënkat e tyre si simulime, sipas motos, merru vesh natën si duhet të shahen/zihen ditën. Pra, skenari i komploteve duhet të ketë përmbajtur edhe imponimin e zënkave, që organizata të merret vetëm me menaxhimin e tyre. E zënka, mundësisht, duhet të nxiteshin që të kishin pasoja sa më të rënda, për t’ua neveritur bashkatdhetarëve ve­primtarinë e organizuar patriotike. Të mos e harrojmë edhe marrëzinë e radhës me këtë rast, “sakrifikimin e Kryetarit Metush Krasniqi dhe të imamëve” nga SN si të ishin monedha kusuri: të jap dy Metusha më jep një udbash! Hajde mendje, hajde!

[Xhafer Durmishi:]

Pas marrjes së vendimit kemi shkuar prapë në ambasadë. Më 18 shkurt jemi kthyer me Sabriun në Adapazar. Pastaj kemi shkuar në Stamboll në banesën e Tefik Strajës ku kemi qëndruar disa ditë dhe jemi takuar prapë me Bujarin. Bujari na e ka paguar rrugën e aeroplanit mua dhe Osmanit. Unë kisha marrë të holla prej Suzanës të cilat më mjaftonin edhe për biletën kthyese por Bujari nuk më ka lejuar ta paguaj vetë biletën.

Unë dhe Osman Osmani kemi marrë aeroplanin Stamboll-Myn­hen më 22 shkurt 1982. Para se me u nisë apo thënë me konkretisht në aeroport Abdullahu e Osmani disa herë e kanë pyet Sabriun se a ka shokë tjerë në Shtutgart që janë si Skënderi?[37]

[Koment:]

Aha, u shfaq tani ai “në cilësinë e të birit të Kadri Prishtinës”! Sa bujar ky Bujar Hoxha i Sigurimit! Mbase ua paguante biletat “përfaqë­suesve” për bukurinë që kishin!?

[Xhafer Durmishi:]

Një dokument i kohës në të cilin përshkruhet puna prej 18 janarit 1982 deri në korrik 1982, e sidomos përjashtimi i Ibrahim Kelmendit nga shtëpia e Jusufit është ky:

“Procesverbal i mbledhjes së Komitetit Vëllezërit Gërvalla i mbajtur më 11/7-1982

Rendi i ditës:

Një analizë e punës së gjertanishme

Diskutimi rreth Projektstatutit të Lëvizjes

Puna rreth revistës

Caktimi i datës për takimin e ardhshëm

Të ndryshme

Shtatë të pranishmit: Skënderi [Xhafer Durmishi], Halimi [Osman Osmani], Naim Haradinaj, Faridin Tafallari, Haxhi Berisha, Hafiz Gagica dhe Nuhi Sylejmani, njëzëri e aprovojnë propozimin mbi rendin e ditës. Skënderi hapë diskutimin rreth pikës së parë.

Fjalën e merr shoku Faridin.

Shpjegim: Në diskutim u vendosë që analiza të bëhet nga 17 janari e gjer më sot.

Faridin Tafallari: Pritja e njerëzve sipas Faridinit ka qenë e mirë dhe ndihmat për këtë kanë ndikua. Kjo nuk është bërë me një organizim të mirëfilltë por është veprua në atë mënyrë që secili ka veprua si ia ka marrë mendja më së miri. Dalja e numrit të tretë të ZK ka qenë ngjarje e madhe.

Sjelljet e Ibrahim Kelmendit [I.K.] nuk kanë qenë të mira. Veprim i ngut­shëm nga ana jonë, pra nga Skënderi dhe Haxhiu, si dhe vonimi i Nuhiut që të thotë fjalën e tij me një shumë të hollash prej njëmbëdhjetëmijë DM. Mosmarrëveshja në mes veti për këtë veprim. Demonstratat kanë kaluar mirë. Udhëtimi i Suzanës për në Shqipëri ka qenë në rregull. Formimi i KVG [Komitetit ‘Vëllezërit Gërvalla-shën i Xh.D.] konsiderohet ngjarje e madhe. Riorgani­zimet në rregull. I dyti jo aq i mirë sepse mungoi Haxhiu. Fushata e shfaqjes së filmave çmohet lartë. Demonstrata e Bonit çmohet lartë e gjithashtu e Vjenës përkundër vështirësive. Haxhiu nuk e sqaroi situatën gjer në fund. Demonstrata e Bernit në rregull. Nu­mri i fundit i revistës dhe komunikata të mira. Me kaq shoku Fari­din e mbylli fjalën e tij.

Pas kësaj Skënderi i drejtohet Nuhiut që ta merr fjalën por ai për­gji­gjet se donë të dëgjoj të tjerët e vetë do të flasë në fund. Të tjerët pajtohen me këtë.

Fjalën e merr Naimi:

Naim Haradinaj: Pritjen e quan të mirë megjithëse ram në konflikt me I.K. [Ibrahim Kelmendin]. Hapat tonë i quan të drejtë sidomos përjashtimin e tij [I. Kelmendit-shën i Xh.D.] nga shtë­pia e Jusufit. Edhe Nuhiu ka qëndrua mirë një kohë të gjatë në pritjen e njerëzve. Marshet protestuese në rregull. Varri­mi kishte me qenë më i mirë sikur për inçizimin me videokamerë të anga­zhohej një punëtor profesional. Numri i tretë i revistës i realizuar mirë. Demonstrata e Vje­nës më e mirë se e Bonit. Formimi i KVG me vend. E sheh si rënie dhe në kundër­shtim me komunikatën. Heqja e citatit të Jusuf Gërvallës e gabueshme. Me kaq Naimi e mbaron fjalën e vetë.

Haxhi Berisha: Pritja në rregull. Për shkak të mosorganizimit më të mirë kanë lindur mospajtime. Ka pasur sabotim dhe zhagitje të punëve nga ana e I. K. I është tërheq vërejtja disa herë. Sipas mendimit tim ai nuk ka jetuar fare me atmosferën ato ditë. Angazhimin e një punëtori profesional për inçizimin e varrimit e quan të panevojshëm. Përmes formimit të KVG u vazhdua puna e mëparshme. Vështirësitë me demonstratën e Vjenës kanë të bëjnë me qëndrimin anësor të policisë të cilët na thonin herë po e herë jo. [Haxhiu ka qenë i angazhuar për leje dhe ka bërë një udhëtim gjer në Vjenë ditën e enjte më 22 prill 1982]. Megjithatë këtë e çmoj më shumë se të tjerat.

Halimi [Osman Osmani]: Formimi i KVG i domosdoshëm [ky ia fillon nga kjo ngjarje pasi më parë nuk ka qenë këtu]. Puna ka vazhdua por ka pasur dobësi. Për shkak të mospërvojës mund të kemi bërë gabime, por largimi i tij [I. Kelmendit-shën i Xh.D.] nga familja i mirë për të mos thënë i do­mos­doshëm. Gabim strategjik që ia kemi thënë të gjitha. Puna e komitetit dhe vetë ekzistenca e tij kanë qenë formale.

Nuhi Sylejmani: Pritja ka mund me qenë më e mirë, por ngjarje të tilla të befa­sishme s’kemi mund ndryshe. Nuk është i kënaqur. Pritja ka qenë formale. Nuk kemi diskutue në mes veti. Ditën e varrimit nuk dilnin njerëzit prej dhome. Ka shkua si në diktaturë. Videofilmimin e varrimit është dashur ta bëjë një profesi­onist ashtu siç thotë Naim Haradinaj. Formimi i KVG i mirë por është dashur më parë të formohen celulat e pastaj komiteti dhe jo anasjelltas. S’kemi pasur asnjë shokë afër veti. Organizimi i brendshëm jo i mirë. Dekonspirimin e dënon dhe e quan krim të madh. Veprime me gjaknxehtësi dhe pa marrëveshje i kanë dhënë I. K. fakte për sulm megjithëse përjashtimi nga shtëpia e Jusufit ka qenë i drejtë. Udhëtimi i Suzanës në Shqipëri i mirë, megjithëse nuk jemi marrë vesh në mes veti. Demonstrata e Bonit e mirë por me Skenderin ka pasur mosma­rrë­­veshje sepse kam brohoritur Kosova-Republikë dhe lavdi Marksizëm-leninizmit e ai më ka thënë mos bëjë ashtu. [Shkaktohet një qeshje kur Nuhiu thotë se më ka thënë mos thuaj Kosova- Republikë, Marksizëm-Leninizëm dhe Nuhiu e përmirë­son veten dhe thotë se më ka thënë vetëm mos me brohoritë Marksizëm-Leninizëm.

Skënderi [Xhafer Durmishi]: “…Shfaqja publike e dyshimeve ndaj I. K. e

gabueshme. Demonstrata e Vjenës përkundër vështirësive është historike sepse është demonstrata e parë shqiptare që bëhet për Kosovën në Austri. Përgjigjja e masave në thirrjet tona është fakti më demantues kundër gënjeshtrave se njerëzit janë dëshpëruar.”[38]

[Koment:]

“Procesverbal” goxha informues. Po nga na doli tani ky institucioni i “Përzënies nga Shtëpia e Jusufit”!? Vazhdoj të kontestoj se komitet­linjtë kanë mundur të më përzënë nga Shtëpia e Gërvallëve. Pas varri­mit nuk jam kthyer më në atë bazë të komitetlinjve. Por, ustallarët dhe viktimat e luftës speciale kanë propaganduar sikur Ju­sufi më ka përzënë nga shtëpia, ndërsa po këta komitetlijtë tani po lavdërohen se ishte vendim dhe zbatim i tyre. Nejse, pak rëndësi ka kjo. Fatkeqësitë kanë ndodhur, pasojat dihen, por me rëndësi është se Vendimi që kemi marrë më 17 Janar 1982 ka dalë ngadhënjyes, kurse “shokët” e Jusuf Gërvallës, në ko­rrik të vitit 1985 e kanë përmbyllur veprimtarinë e “Lëvizjes së Jusuf Gër­vallës”, më saktësisht është përmbyllur lëvizja e rrobaqepësit Novosella. Ndo­shta menjëherë ose pak më vonë rrobaqepësi Novosella që angazhu­ar në sektën e Dësh­mitarëve të Jehovajt në Malmë dhe qe izoluar për sa kohë na shqip­taria. Patjetër se ndija keqardhje. Për argatin e tij, “trashëgimtarin” Xhafer Durmishi, pata dëgjuar se qe sëmurë psiqikisht dhe disa vite është marrë me kurim. Vetë, si revanshist i pamëshirshëm, dyshoja se mos po si­mulonte, meqë kishte frikë se mund t’i hakmerresha.

[Xhafer Durmishi:]

Pas demonstratës së Bernit në muajin korrik Osman Osmani u lar­gua nga rrethi ynë. Për këtë qëllim kishte jo vetëm përkrahjen nga shokët e vetë në Turqi por edhe nga diplomatët shqiptarë në Vjenë. Prej shokëve të afërm të Jusufit, Nuhi Sylej­mani ishte i vetmi që iu bashkua. Efektet e mungesës së Jusufit në planin e Lë­vizjes së tij, si dhe në atë të përgjithshëm është vështirë me i analizua. Por mund të thuhet se atentati i 17 janarit në rrethin organizativ të Jusufit nuk krijoi ndonjë huti. Ato fërkime që ndodhën ishin pasojë e pranimit të Osman Osmanit, pjesëtar i një organizate të huaj në shtëpinë e Jusufit, i cili kishte ardhë me mision ta lartësoj punën e ish-inspektorit të UDB-së Abdullah Prapashtica dhe ta deni­groj atë punë që ishte bërë në Shtutgart dhe në Zvicër më parë. Nuhi Sylejmani, një aktivist i dalluar në rrethin e Jusufit, pas vdekjes së Jusufit u lëkund në qën­drimet e tij, por për këtë nuk ndiej kurrfarë mllefi ndaj tij, pasi në histori pas vdekjes së një personaliteti të madh janë lëkundur shumë e shumë burra më të mëdhenj se sa Nuhi Sylejmani. Forca tërheqëse e Jusufit kishte ndikuar që Nuhiu të tregonte anët e veta më të mira për një kohë. Pas vdekjes se Jusufit, forca tërheqëse e jonë nuk ishte e mjaftueshme për te dhe ai për një kohë tregoi veti që nuk ishin në mesin e më të mirave.

[Koment:]

Kaq zgjati “bashkimi” i tyre, në mos si tepër, rreth ka­­tër muaj “bashkë­veprimtari” mes kreatorëve ideorë të “bashkimit” të 17 shkurtit 1982.

Sa i përket “rrethit organizativ të Jusufit” të mos krijohen iluzione. Ndo­shta ende nuk ishin bërë dhjetë veta, nga 7-8 veta, sa ishin betuar më 7 dhje­tor 1981 dhe stërbetuar, më 26 shkurt 1982.
 /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress



[1] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 370

[2] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 370

[3] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 370-371

[4] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 371

[5] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 371

[6] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 372

[7] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 208

[8] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 370

[9] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 208

[10] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 463-467

[11] Xh. Durmishi, FAKTE PËR LËVIZJEN E JUSUF GËRVALLËS, f. 85;

http://www.pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Levizja-e-JG.pdf

[12] Xh. Durmishi, FAKTE PËR LËVIZJEN E JUSUF GËRVALLËS, f. 85

[13] Xh. Durmishi, FAKTE PËR LËVIZJEN E JUSUF GËRVALLËS, f. 85

[14] Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 29-30

[15] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 250-251

[16] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 246-250

[17] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 357

[18] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 58

[19] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 179

[20] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 302

[21] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 302

[22] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 312-314

[23] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 317

[24] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 323

[25] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 315

[26] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 317

[27] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 411

[28] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 414

[29] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 410

[30] Xhafer Durmishi, PA TRAZIME, pashtriku.org, 2013, f. 6-7.

[31] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 350-351

[32] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 354-355

[33] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 355

[34] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 355

[35] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 355

[36] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 357-358

[37] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 356-358

[38] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 361-362

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]