Legjenda e futbollit italian, Andrea Pirlo, është duke u bërë gati ta nisë karrierën e tij si trajner, pasi që Goal raporton se Juventusi do t’ia besojë atij drejtimin e ekipit U23. Ish-mesfushori italian raportohet të ketë arritur marrëveshje me gjigantin e Serisë A për ta marrë pozitën e trajnerit të ekipit U-23, të cilën e mbante Fabio Pecchia, i cili i dërgoi bardhezinjtë deri në çerekfinale të barazhit për ngritje në Serie B. Kjo marrëveshje mes Pirlos dhe Juventusit pritet të zyrtarizohet gjatë ditëve në vijim.

Pirlo e kishte shijuar një karrierë mbresëlënëse si futbollist profesionist, një pjesë të së cilës, nga viti 2011 deri më 2015, e kaloi në Juventus. Ndikimi i tij si personalitet dhe aftësitë e tij si mesfushor i ndihmuan Juventusit t’i fitojë katër tituj radhazi të Serisë A gjatë kohës së tij në klub, si dhe Kupën e Italisë 2014/15 dhe Superkupën e Italisë në vitin 2012 dhe 2013.

Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, tani Pirlo do ta nisë karrierën me ekipin U23 të Juventusit, pasi u pensionua në vitin 2017, pas tre vjetëve me klubin amerikan New York City FC. Goal raporton se edhe ish-portieri i Juventusit, Marco Storari, do të jetë pjesë e stafit të Pirlos në ekipin U23, pasi që 43-vjeçari do ta marrë rolin e drejtorit sportiv.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!