Një pilulë antivirale duket premtuese në luftën kundër Covid-19. Molnupiravir, e prodhuar nga Merck & Co ka rezultuar efektive në reduktimin e shtrimeve në spital dhe mortalitet, duke i ulur këto me 50%. Rezultatet premtuese të dala nga fazat e fundit të testeve klinike kanë bërë që gjiganti i farmaceutikës dhe partneri Ridgeback Biotherapeutics LP të ndalojnë studimin dhe bëhen gati për të kërkuar autorizim për përdorimin emergjent të ilaçit nga SHBA. CEO i kompanisë farmaceutike, Merck Davis, thotë se Administrata e Ushqimit dhe Barnave, FDA, duhet ta shqyrtojë këtë kërkesë me emergjencë.

“Nuk mund të ishim më të kënaqur se kaq me rezultatet. Pacientët nuk kanë pse të shkojnë në spital dhe as në qendra shëndetësore për injeksion. Është një pilulë që mund ta marrin vetë në shtëpi”, citohet ai nga Bloomberg.

Lajmi u reflektua menjëherë në bursë, ku aksionet e Merck u rritën me 4.9%.

Molnupiravir është menduar për përdorim te pacientët jo të hospitalizuar të Covid-19 të cilët kanë pasur simptoma për pesë ose më pak ditë dhe janë të rrezikuar nga forma të rënda të infeksionit.

Testet klinike ishte parashikuar të përfundonin në nëntor. Por rezultatet e mira bënë që një komitet i pavarur në bashkëpunim me FDA-në të merrte vendimin se nuk kishte nevojë për teste të mëtejshme.