Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, sot ka mbajtur takim me trupën menaxhuese të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e themeluar sipas Planit të Veprimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për Menaxhimin e Krizave me ç’rast është marrë vendim të pezullohen seancat gjyqësore, bëhet e ditur përmes një njoftimi në Facebook.

Tutje bëhet e ditur se në takim u diskutua lidhur me gjendjen e fundit të krijuar në gjykatë, pas konfirmimit të disa rasteve pozitiv me virusin COVID 19.

“Trupa Menaxhuese e kësaj gjykate, bazuar në rekomandimet e IKSHP-së dhe situatën e krijuar vendosi të pezullojë mbajtjen e seancave gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përveç në rastet e natyrës urgjente ku ka të bëjë me lëndët e shënjestruara për liberalizim të vizave, rastet e dhunës në familje, lëndët me paraburgim, caktimi i masave të sigurisë si dhe lëndët ku rrezikohet procedimi i tyre nga fillimi, për shkak se mund të kalojnë tre muaj nga seanca e fundit e mbajtur”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se ky vendim nuk vlen për degët e Gjykatës Themelore të Prishtinës, degës në Podujevë, Graçanicë, Lipjan dhe Drenas.

Këto masa do të mbesin deri në normalizimin e situatës pandemike në Gjykatë.