Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka thënë se pezullimi i procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë është tregues i degradimit që vazhdon t’i bëhet sundimit të ligjit në Kosovë.

GLPS ka kërkuar nga Qeveria që të fusë në agjendën primare të saj një proces vettingu që do të kishte për qëllim kontrollin e përshtatshmërisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve sa i përket pastërtisë, profesionalizmit dhe të kaluarës së tyre.

GLPS ka thënë e së fundi Ministria e Drejtësisë dhe Qeverisë kanë vendosur të ndalin procesin e dizajnimit të vettingut, duke “shpikur” kështu një proces kinse të reformës në sistemin e drejtësisë në vend të vettingut të gjyqtarëve e prokurorëve. GLPS vlerëson që kjo është padiskutim e gabuar.

“Rrjedhimisht, një proces vetingu në sistemin e drejtësisë është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë një reforme serioze në fushën e sundimit të ligjit. GLPS beson që hisedarë të këtij procesi, dhe bartës praktik të tij, nuk mund të jenë ata që duhet t’i nënshtrohen vetingut. Plani i Minstrisë së Drejtësisë që të dizajnoj – pa asnjë nevojë – një reformë në sistemin e drejtësisë me figurat e larta të vet këtij sistemi është paradoks dhe tautologji. Si mund t’i lësh në dorë dizajnimin e një procesi të tillë atyre që duhet thirrur në përgjegjësi për këtë gjendje? Apo mos Qeveria dëshiron që përmes kinse reformave t’i mbroj ata që duhet të thirren në përgjegjësi për këto dështime? GLPS i kërkon Qeverisë që të fus në agjendë primare të saj një proces vetingu që do të kishte për qëllim kontrollin e përshtatshmërisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve sa i përket pastërtisë, profesionalizmit dhe të kaluarës së tyre. Një proces i tillë do të duhej dizajnuar në formë të tillë që elementi ndërkombëtar, konsensusi politik dhe garancionet e forta ligjore për paanshmëri e pavarësisë të trupave vetues të ishin emëruesit e përbashkët të tij. Asgjë më pak sesa kjo nuk është e pranueshme. Çdo tendencë për të dizajnuar një kinse reformë tjetër është qartazi e qëllimshme për t’i ofruar mbrojtje papërgjegjësisë dhe inkriminimit të figurave brenda sistemit të drejtësisë. Prandaj, i kërkojmë Kryeministrit Hoti dhe Ministrit Selimi që të reflektojnë mbi këtë thirrje dhe të mos lejojnë degradimin e mëtejshëm të nevojës serioze për një veting substancial në sistemin e drejtësisë”, është thënë nga GLPS.