Disa pesticide janë të dëmshme për bletët jo vetëm në kohën e ekspozimit, por për pjesën tjetër të jetës së tyre dhe madje edhe për brezat e tyre të ardhshëm.

Nëse vitet e fundit keni ndjekur lajmet që vijnë nga bota e bletarisë, që kanë të bëjnë me një kolaps të popullatave të bletëve në të gjithë planetin dhe ndoshta edhe me zhdukjen e tyre, sigurisht që do të keni dëgjuar disa herë të përdoret fjala “neonikotinoids”, d.m.th. klasa e insekticideve më të përdorura në botë, dhe ajo që po i shkakton më shumë dëme bletëve.

Një studim i publikuar në PNAS jep një pamje edhe më të keqe: përveç dëmit të menjëhershëm të shkaktuar nga ekspozimi ndaj neonikotinoideve, bletët vuajnë edhe të tjera, të padukshme, por të qëndrueshme dhe që mund të ndikojnë negativisht edhe në brezat e tyre të ardhshëm.

Ju pëlqen!

Neonikotinoidet ishin, deri në vitin 2018, insekticidet më të përdorura në botë; fama e tyre filloi të lëkundet kur u zbulua se, megjithëse është e vërtetë se ato nuk janë të dëmshme për gjitarët dhe zogjtë, megjithatë ato janë të dëmshme për insektet – duke përfshirë bletët, veprimi i pjalmimit të të cilave është thelbësor për vetë bimët dhe insekticidet të cilat presupozohet t’i mbrojnë. Për këtë arsye, në vitin 2018 neonikotinoidet kryesore u ndaluan në Bashkimin Europian dhe përdorimi i tyre u kufizua edhe në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ato nuk përdoren më (në vitin 2020 Franca vendosi të lejojë përdorimin e tyre në situata specifike) dhe se ato nuk dëmtojnë më bletët.

Clara Stuligross, një nga autoret e studimit, vendosi të përqendrohej jo te bleta klasike e kosheres, por te një bletë e vetmuar, Osmia lignaria, e cila e bën folenë e saj në vrimat e pemëve, në strofullat e braktisura të insekteve të tjera ose edhe në tokë. Një herë në vit, në fillim të pranverës, këto bletë kalojnë disa ditë duke ngrënë sa më shumë polen që të munden përpara se të pjellin vezët dhe të ngordhin – kjo periudhë e shkurtër e ngrënies me bollëk është kritike për shumë bimë frutore, dhe është gjithashtu ajo gjatë së cilës bletët janë më të ekspozuara tek insekticidet.

Dihet mirë se neonikotinoidet janë të dëmshme për bletët. Ajo që Stuligross ka treguar, megjithatë, është se kjo “e keqe” ka efekte shtesë. Në fakt, bletët e ekspozuara ndaj “neonikave” kanë një rënie të fertilitetit, e cila përkeqësohet me çdo ekspozim të mëpasshëm. E njëjta gjë është e vërtetë për pasardhësit e tyre: pasardhësit e një blete “të kontaminuar” prodhojnë gjithashtu më pak pasardhës, dhe një bletë që vjen në kontakt me helmin ndërsa është ende një larvë do të ndjejë efektet e saj për jetën, edhe pas kalimit në fazën e rritur.

Sipas Stuligross, ky është një problem që duhet trajtuar gjatë formulimit të strategjive ekologjike: deri më tani, planet për mbrojtjen e bletëve bazohen në efektet e pesticideve në një gjeneratë të vetme dhe nuk marrin parasysh dëmet e vazhdueshme edhe për gjeneratat e ardhshme. Focus

Edel Strazimiri

©MekuliPress/ Dhuro sot vetëm 1 euro dhe shpëtoje MekuliPress. Ndihmo gazetarinë e pavarur nga partitë politike dhe oligarkët. FOTO: No copyright infringement is intended.