Lufta tregtare midis SHBA dhe Kinës vazhdon të përshkallëzohet. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në Twitter që do ti rrisë tarifat ndëshkuese për importet nga Kina. Tarifat ndëshkuese tashmë të vendosura prej 25 përqind për mallrat kineze me vlerë 250 miliardë dollarë do të rriten deri në 30 përqind filluar nga muaji Tetor. Për importet shtesë me vlerë 300 miliardë dollarë do të paguhen 15 për qind të detyrimeve, në vend të 10 për qind të planifikuar.

Në anën tjetër Ministria e Tregtisë kineze ka njoftuar se do të vërë taksa shtesë doganore nga pesë deri në dhjetë përqind për mallrat me vlerë 75 miliardë dollarë për prodhimet amerikane. Tarifat do të rriten në dy hapa në 1 Shtator dhe 15 Dhjetor.

Qëllimi fillestar i taksimit amerikan ishte mbrojtja e prodhimit vendor nga importetet e lira kineze si dhe detyrimi i palës kineze për respektimin e mbrojtjes së patentëve dhe të drejtës autoriale të prodhimeve të caktuar, por me kalimin e kohës ky taksim gati përfshiu çdo prodhim kinezë.

Kjo luftë tregtare mund të prodhoj pasoja për ekonomin botërore dhe mund të shkaktoj recesion në shumë shtete, ngase prek vlerën valutore dhe ndikon në rritjen e çmimeve për shumë produkte.

Alban Ademi,
MekuliPress