Shoh dallëndyshet q’ikin larg
dhe gjethet që u zverdhën pak,
mbi vreshta tutje bryma ra –
përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

Eja në krahë të të mbaj
të t’admiroj, të vdes pastaj,
dhe ta vë kokën që më dhëmb
mbi gjoksin tënd, mbi gjoksin tend.

A të kujtohet koha vallë,
kur të dy bridhnim në livadhe
kur unë të ngrita pupël n’erë
me mijra herë, me mijra herë.

Ju pëlqen!

Në botë gjenden femra plot
që sytë i kanë zjarr e lot,
të arta qofshin ato gra,
si ti nuk ka, si ti nuk ka.

Ti dritë do sjellësh e kthjellim
në jetën time, shpirtin tim,
ti mbi çdo yll ke bukuri
e dashur moj, e shtrenjta ti.

Vjeshta tani mbi fushat zverdh,
rafshultat i shkretoi përreth
po bien fletët ca nga ca –
përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

– Mihai Eminesku

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën me 1 Euro!