Sapuni përbën mënyrën më efikase për shkatërrimin e viruseve që qëndrojnë në lëkurë, përfshirë Covid-19 që është ulur këmbëkryq në të gjithë globin. Ekspertët thonë se viruset mund të qëndrojnë në lëkurë për orë, në mos për ditë të tëra. Dezinfektantët, solucionet e lëngshme, letrat e lagura me alkol janë të mira, por jo aq efikase sa sapuni.

Tingëllon e çuditshme apo jo? Shkencëtarët nuk po shpikin dot një vaksinë kundër Covid-19, ama sapuni e shkatërron atë. Virusi është një grimcë me një diametër shumë të vogël. Pjesa më e dobët e virusit është shtresa e lipideve, ose yndyrore. Sapuni e shkrin këtë membranë dhe virusi shpërbëhet si një kështjellë rëre dhe çaktivizohet. Virusi Covid-19 si edhe shumë viruse të tjera përbëhen nga tre shtylla kryesore: acidi ribonukleik, proteinat dhe lipidet. Një qelizë e infektuar nga ky virus prodhon shumë blloqe të tilla të cilat më pas montohen për të formuar virusin.

Nëse një qelizë e infektuar vdes, të gjitha viruset pushtojnë qeliza të tjera, derisa disa prej tyre përfundojnë në rrugët e frymëmarrjes. Kur njeriu tështin apo kollitet, grimca të sekrecioneve lëshohen në ajër deri në 10 metra distancë. Grimcat më të mëdha mund të qëndrojnë në një distancë deri në 2 metra. Ato që bien në sipërfaqe të sheshta thahen, por virusi mbetet aktiv. Lëkura e njeriut është sipërfaqja ideale për virusin. Nëse njeriu prek një sipërfaqe ku ndodhet virusi, ai transferohet menjëherë në lëkurë.

 

Nëse më pas njeriu prek fytyrën, veçanërisht sytë, flegrat e hundës dhe gojën, atëherë ai infektohet. Njerëzit e prekin fytyrën çdo 2 deri në 5 minuta, prandaj mund ta kuptoni qartë sa të rrezikuar jemi prej virusit Uji nuk mjafton për eliminimin e virusit nga lëkura. Sapuni nga ana tjetër është aleati ynë më i madh. Duke qenë se virusi ngjitet në lëkurë si dylli (ndonëse i padukshëm), sapuni është më efikas ta shkrijë atë. Produktet me alkol mbi 70 për qind kanë të njëjtën mënyrë operimi, por sapuni është më i mirë sepse shkumon dhe pastron të gjithë sipërfaqen e lëkurës.

30 PËR QIND E NJERËZVE I LAJNË DUART

Sipas vëzhgimit të studiuesve, vetëm 30 për qind e njerëzve lajnë duart pasi shkojnë në banjë. Vetëm pesëdhjetë për qind prej tyre i lajnë duart siç duhet. Larja e duarve nuk ka të bëjë vetëm me shpëlarjen me ujë të bollshëm. Ju duhet të përdorni sapun dhe të fërkoni mirë pëllëmbët e duarve, pjesën e sipërme, në mes të gishtave dhe thonjtë. Larja e duarve duhet të zgjasë mbi 20 sekonda dhe vetëm më pas, ato mund të shpëlahen me ujë të bollshëm dhe të ngrohtë. Pas larjes, duhet të sigurohuni që t’i thani duart mirë me një peshqir të pastër./AgroWeb