Veteranë lufte, përfaqësues të ekzekutivit dhe institucioneve kryesore shtetërore, deputetë e drejtues të pushtetit vendor, përkujtuan sot në një ceremoni të veçantë 77-vjetorin e Konferencës së Pezës, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar për bashkimin kundër pushtuesve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehur mirënjohje për sakrificën dhe kontributin që dhanë, jo vetëm ata që morën pjesë në këtë Konferencë, por edhe për të gjithë ata të rinj e të reja që iu bashkuan luftës antifashiste-nacional kundër pushtuesve.

“Sot ka filluar shkolla dhe sigurisht që është një hapësirë fantastike për të mësuar gjuhë të huaja e kompjuter, por është edhe një hapësirë fantastike për të mësuar historinë tonë jo pak të lavdishme. Ndaj dhe shpresoj shumë që shumë mësues duhet të kenë parasysh që jo vetëm të përgatisin fëmijët për të ardhmen, por do t’ju kujtojmë edhe disa nga mësimet e të kaluarës. Dhe unë besoj se një shkollë më të madhe se fshati Pezë, se kultura e Pezës, se patriotizmi i Pezës, ende nuk kemi në librat e Shqipërisë, ndaj edhe shpresoj që kjo shkollë e gjallë që e celebrojmë sot, ato vendprehjeje para të cilave do të përkulemi pas pak të jenë mësime të virtytshme për të siguruar që shqiptarët e gjeneratës së re të jenë me memorie, të dinë nga vijnë dhe ku po shkojnë dhe shqiptarë që janë të ndërgjegjshëm që ky komb nuk ka lindur nuk do të vazhdojë dhe nuk ekziston prej hiçit, por prej njerëzve të përkushtuar që kanë dhënë jetën për ditët e lira që kemi sot”, tha Veliaj.

Më tej ai shtoi se falë luftës së atyre mijëra shqiptarëve që u ngritën me pushkë në dorë kundër pushtuesve, Shqipëria arriti të çlirohet me forcat e veta. “Është një moment për të kthyer kokën nga fshati, por edhe nga të gjitha trevat tona, që dhanë kaq shumë kontribut, sidomos gjatë viteve të luftës dhe viteve më të vështira që ka kaluar Shqipëria nën pushtim. Shqipëria u pushtua para Polonisë, sepse i pamë edhe përkujtimet. Shqipëria është i vetmi vend që u çlirua pa forcat sovjetike, me forcat e veta, me djemtë dhe vajzat e vet. Le të jemi krenarë për këtë. Shpesh herë themi 101 të zeza për njëri-tjetrin, edhe në politikë edhe kudo ku bëjmë debate publike, por le të themi disa fjalë të mira që shqiptari i meriton dhe një nga gjërat që meritojmë është se jemi çliruar vetë, jemi organizuar vetë, jemi sakrifikuar për të arritur këtë ditë dhe nëse ka një mesazh që duhet të çojmë në çdo kancelari të huaj është: Ne shqiptarët jemi europian autentikë nga sheshi “Skëndërbej” deri në Pezën heroike edhe në çdo vatër tjetër ku flitet shqip”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Por ai u shpreh se nën shembullin atyre që në momentet më të vështira për vendin u ngritën dhe luftuan për atdhe, edhe sot shqiptarët duhet të lënë mënjanë dasitë dhe të mendojnë më shumë për interesat e vendit edhe kur shkojnë në kancelaritë apo qeveritë e huaja.

“Ka qenë edhe një hapësirë pluralizmi, ka qenë edhe një hapësirë ku njerëzit pa dallim feje, krahine, dallim bindjesh politike u mblodhën bashkë. Megjithatë të gjithë e dimë që pluralizmi ishte këtu në Pezë por kur u shkrepën armët vetëm partizanët vajtën për të luftuar, ndaj patjetër që duhet ta inkurajojmë pluralizmin por kudo edhe kur shkojmë në kuti të votimit edhe kur shkojmë dhe flasim me kancelarit e huaja edhe kur përfaqësojmë bindje të ndryshme, ama kurrë nuk do të shkrehim pushkë kundër Shqipërisë edhe pushka sot nuk është vetëm me plumb, pushka është edhe me çfarë flasim edhe me çfarë shkruajmë edhe me mënyrën se si ndonjëherë sikterisim vendin tonë. Ndaj dhe unë dua ti bashkohem asaj thirrje “duhet pluralizëm por kudo” në çdo fushë edhe kur kemi këto betejat, nuk mundet pluralizëm në tavolinë dhe vetëm partizanët në luftë kurse të tjerët bëjnë komentin se si u luftua në luftë”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ndërsa në kuadër të 75 vjetorit të çlirimit të vendit, Veliaj theksoi se do të organizohen një sërë aktivitetesh në mënyrë që lufta antifashiste të marrë vlerësimin e duhur. “Është shumë e rëndësishme që të gjithë të mobilizohemi që ky vit jubilar të na gjejë jo vetëm me aktivitete por edhe me shumë dinjitet. Sot duhet ta pranojmë; ky dinjitet nuk na shoqëron kudo. Ju e patë se si u përfshi gjithë parlamenti shqiptar kur Bashkia vajti të çlironte bustin e Vojo Kushit sepse kishim deputetë që ishin pronarë të bingove e basteve aty. Tani, o do jetojmë këto që flasim sot ose do jemi hipokritë; të tjera gjëra themi këtu e të tjera gjëra bëjmë atje. Do t’ju lutem të gjithëve, të 27 administratorëve të Tiranës, 61 kryetarëve të Bashkisë. Identifikojini këto vende, çlirojini nga zaptuesit, mos lejoni asnjëri me pushte, qoftë deputet apo kushdo tjetër, i fortë, oligark, nuk ka asnjë rëndësi. Vendet e shenjat janë vende të shenjta dhe për ne, vendet ku ra Vojo Kushi, Qemal Stafa, janë vende të shenjta e nuk mund të zaptohen nga asnjeri me pushtet, ndaj o burra të bëjmë një aksion qytetar siç bëmë për pastrimit, ashtu të bëjmë edhe për çlirimin e çdo hapësire publike!”, tha Veliaj.

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]