Skerdilajd Zaimi

Sot në media ka dalë një përgjim i kryer në Itali që sugjeron se sipërmarrës italianë, të lidhur me botën e krimit atje flasin për lidhje me një person të afërt me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. Japin garanci për marrje lejesh për ndërtim etj.. Një histori tipike ku ndërmjetës të caktuar kanë akses në zyrat e pushtetit të një vendi pa adresë në këtë botë. Sigurisht që një situatë e tillë e vendos në siklet të madh Veliajn, i mësuar të vetërekomandohet si shpëtimtar i vendit dhe të fshehë kokën si struci sa herë ka probleme.

Por ajo që na vjen këtu përpara nuk ka pse të na çudisë. Nëse shohim me pak kujdes se çfarë ka ndodhur në këto 8 vjet në qeverisjen e Edi Ramës, do të duhet të na mësojë se të vetmit që do të duan të rrezikojnë për të investuar diçka në Shqipëri janë pikërisht ky kontigjent: KRIMI.

Shqipëria e Edi Ramës mbajti parametrat makrofinanciarë duke referuar për vite me radhë dy investime të mëdha: TAP dhe Devollin. Të dyja investime të firmosura nga qeveria e mëparëshme. Qeveria e PS-së bëri çmos të krijonte idenë e një vendi me politika fiskale favorizues, miratoi një ligj të paprecedentë për intestimet strategjike, po mburret prej vitesh për një reformë të pashembullt në drejtësi, por sërish ajo nuk ka qullosur gjë.

Sepse poshtë cipës së kësaj propagande qëndron realiteti që denoncon dhe nxjerr lakuriq të vërtetën. Në fillim ishte ish-ambasadori gjerman Hoffman që ishte kudo me ankesën e biznesit gjerman për vonesat dhe korrupsionin. Më pas Dhoma Amerikane e Tregëtisë, pa folur për biznesin shqiptar.

Zhurma e madhe e përkrahjes së biznesit u katandis në një politikë që favorizon vetëm disa. Dhe natyrisht që klima e përgjithshme e një vendi ku kanabizimi mandej pasohet nga vrulli në ndërtim nuk lë askënd indiferent. Është ajo lidhja logjike e verifikuar në mjaft vende të tjera ku aventura të tilla janë eksperimentuar më parë.

Zoti Rama provoi gjithçka me partnerin e vet Erdogan, por ai nuk arriti të sjellë dot në Tiranë një kompani serioze turke p.sh për aeroportin e Vlorës. U përfolën lloj lloj investimesh dhe projektesh, por p.sh për një kompani serioze si koreania Yura u desh një vit negociim për të krijuar kushte pune. Sot p.sh një tjetër projekt si HEC i Skavicës që u pretendua se do të ndërtohet me paratë e buxhetit, është afruar kompania Behtel Enka, e cila ka qenë më herët në Shqipëri me rrugën Durrës-Kukës.

Cilin investitor ka sjellë z. Rama? Cili investitor serioz është afruar? Cili investitor do merrte seriozisht një kryeministër që flet në vetë të parë për rrjetin 5G duke mos patur asnjë ide reale për çfarë bëhet fjalë? Dhe kur kjo ide diskutohet në shumë plane në mbarë botën?

Askush. Asnjë investitor serioz nuk mund të afrohet në një vend që listohet si vend i korrupsionit dhe krimit të organizuar, një vend ku prona mbetet elementi kyç i destabilitetit ekonomik e ndoshta edhe i pamundësisë për të strukturuar ekonominë. Një vend ku një shtet i tërë nuk është në gjendje të caktojë një drejtues të një dege të Kadastrës dhe ku projektet e ndërtimeve imponohen nga një njeri i vetëm.

Kushdo në botën e biznesit do mahnitej nga afera e DH Albania-s, apo projekteve që funksionalizohen me Unazën e Madhe, por askush nuk do t’i futej detit me këmbë për të investuar në Tortuga.

Ndaj duke mos mbrojtur aspak Erjon Veliajn, duhet të themi se incidenti në fjalë me përgjimet në Itali janë në fakt një simptomë e faktit se struktura jonë ekonomike dhe politike do të pranojë dhe mund të arrijë të përthithë vetëm këtë lloj infuzioni financiar, që është edhe serumi bazë për të mos rënë në kolaps. Është mishela fatale e një kombinimi ekonomik, politik, social dhe gjeografik ku Erjon Veliaj është vetëm një manivel rastësor të cilit patjetër edhe i ecën mirë puna. (Ironike megjithatë kur e mendon se ky edhe dasmën e bëri me paratë e prindërve!!!)

Të jemi të paktën një herë të vetme të sinqertë: nuk ka njerëz seriozë në këtë botë që do vinin në vendin tonë. Kështu si është katandisur ky vend. Si e kemi katandisur ne. Dhe nuk dihet a jemi edhe ne që frymojmë këtu seriozë me veten tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë që nga dita në ditë tregojmë e rrëfejmë bëmat e këtyre hajdutëve banalë që sfilojnë me rroba, makina, vila dhe cilësinë e ushqimit që konsumojnë, pa bërë ende një lëvizje për ndryshim real.