Përgjigje pyetjes ”Ku është Gucia?”

Për ata që nuk dinë, apo nuk mund ta gjejnë Krahinën e Plavës dhe të Gucisë në hartën e tashme të Shqiptarisë, do t’ju tregojë secili Vuthjan, secili Gucian, secili Plavian, secili Hotjan etj. se ku ishte dhe ku mund ta gjeni sot këtë.
Ajo gjendet bash njaty dhe bash njatje, ku ishte e ku është edhe tash e ku pushojnë edhe sot shqiponjat;

bash njatje dhe bash njaty, ku pinë ujë edhe sot orët e malit;

bash njaty dhe bash njatje ku jehojnë edhe sot këngët e 
kreshnikëve;

bash njaty dhe bash njatje, ku dikur u bashkuan lumenjtë tanë e prej ku shqiptarët i thanë JO EDHE JO Stambollit, Berlinit, Moskvës…;

bash njaty dhe bash njatje, ku dikur katundet dhe qytetet përreth Limit u lanë me gjakun e luftës e ku fëmijët i përkundën me këngavajet e djepit e që dridheshin dhe rriteshin si thuprat e njoma në valët e liqenit e ku kallëzimet për fatosat s’ishin as të ëmbla, as gëzime…;

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

bash njatje dhe bash njaty, ku dikur u fol dhe u këndua shqip si para një mijë vjetëve, si para dy mijë vjetëve e ku gjaku s’u kursye për liri – për tokë as për qiell, e ku, kur pat e s’pati liri, malësorët dhe malësoret ia thurën këngët më të lavdishme historisë, këngët më të bukura dashurisë – këngët më të zëshme kushtrimit para këngëve të gëzimit…;

bash njaty dhe bash njatje, ku ishte dhe është bukuria, për të mos thënë ironia, ku dikur edhe zogjtë e malit e gjelozonin gjuhën e bukur shqipe e prej ku, siç do të duhet të thoshte historiani apo gjeografi, fillon veriu i Shqipërisë, në kufi me Malin e Zi…

O vetëm njatje dhe vetëm njaty, në kërthizë të bjeshkëve të larta të Alpeve Shqiptare, ishte dhe mund ta gjeni edhe tashti Krahinën e lavdishme të Plavës dhe të Gucisë.

Po, po, mund ta gjeni, se atë luginën e bukur, të gjatë dhe të gjerë, ende e rrethojnë (ruajnë) bjeshkët e larta dhe kreshtat shkëmbore deri në qiell, duke pritur rrezet e diellit, bashkë me këngën e gëzimit, për t’u kthyer nesër me mëngjesin e ditës së re nëpër rrëmbat e pishave, nëpër arat dhe livadhet me plot bimë, lule e bar, nëpër lumenj e liqene për t’u larë, duke pushuar në Kodër të Nokshiqit, në Kullë të Ferajve, në odë të Bali Demës, në Kroje të Ali pashë Gucisë, në Sukë të Vuthajve…


Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Po, po, deri atje ku folej e këndohej shqip, deri atje ku malësorët derdhën gjak, deri atje te kreshtat, ku shqiponjat fluturonin edhe natën e ku varret e gjyshave tanë kishin a s’kishin emra as mbiemra – mu njatje dhe bash njaty gjendeshin dhe mund të gjenden edhe sot Pepajt dhe Arzhanica, Nokshiqi (por jo edhe nokshiqasët, se në Nokshiq që në vitin 1967 nuk ka mbetur asnjë familje shqiptare), Plava dhe Hoti, Hakajt dhe Martinajt, Vishnjeva dhe Kukajt, Gucia dhe Vuthajt, Gërçari dhe Vërmoshi…, por edhe zana e Visitorrit, por edhe Kulla e Sheremetit, por edhe Qafa e Diellit, por edhe Ura e Azhanicës, por edhe Maja e Hekurave…, – të gjitha, si bjeshkë, si vrri, me tapi e katandi tonat dikur.

Atje pra, në veri, na ishte dikur dhe është edhe sot Krahina e Plavës dhe e Gucisë, me shpirt e zemër në sytë e shqiptarisë.

Prandaj, mos u hamend se ku do ta gjesh, në cilën hartë, o zotëri,
po mendo, shiko e puno për Krahinën e Plavës e Gucisë, se aty është – aty ku ishte gjithmonë e ku do të jetë përgjithmonë – denbabaden, pa marrë parasysh letrat, hartat…

Ja pra, nëse na lypni (edhe mua), do të na gjeni po njaty dhe po njatje, ku na gjetët sa herë që qitëm kushtrimin për të mbetur në veri të hartës sonë – por vetëm me një ndryshim: në verilindje të një hartës tjetër dhe jo si lumë i madh, po si një lumë i vogël që derdhet në liqenet e botës e jo në liqenin që tashti kërcënohet të shterret midis Bjeshkëve të Nemuna, dikund në veri në hartën e dikurshme të gjakut tonë. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
[wpedon id=16879]