Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas këtij takimi askush nuk ka dhënë sqarime se për çfarë është biseduar dhe se a është marrë ndonjë vendim.

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu tha para mediave shkurt se përmes një komunikate për media do të tregojnë lidhur me atë se çfarë është folur gjatë këtij takimi.

E pyetur nëse sot do të ketë ndonjë takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Haxhiu tha se nuk beson se një takim i tillë do të ndodhë.

Ndryshe VV ka dal e para në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa ende nuk kanë arritur një pajtueshmëri me LDK-në për formimin e koalicionit qeveritar.

LDK insiston edhe në pozitën e presidentit gjë që po refuzohet nga Vetëvendosje.

Nesër për orën 15:00 është caktuar seanca konstituive ku pikë e rendit të ditës përveç betimit të deputetëve do të jetë edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.