Përzgjedhësi Bernard Challandes, sot do ta bëjë publike listën e tij me futbollistët e ftuar për ndeshjet e muajit nëntor.

Këtë muaj përfaqësuesja e Kosovës luan ndaj Çekisë e Anglisë, dy takime vendimtare këto për grupin A në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, raporton Insporti. Lajmi i mirë për Kosovën për ndeshjen ndaj Çekisë është se do të mungojë sulmuesi Patrik Schick, që shihet si një nga pikat më të forta të Çekisë.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Por, lajmi i keq në kampin e Challandes janë mungesat e dy futbollistëve: Bernard Berisha e Mirlind Kryeziu.

Qendërmbrojtësi Kryeziu është lënduar në ndeshjen e fundit që ka zhvilluar me skuadrën e tij FC Zurich.

Ai ka pësuar lëndim muskulor në ndeshjen kundër FC Luganos e cila u zhvillua më 20 tetor.

Sipas faqes zyrtare të klubit zviceran mbrojtësi “dardan” do të mungojë për disa javë.

I lënduar vazhdon të jetë edhe futbollisti tjetër i Zurichut, mesfushori Hekuran Kryeziu, që për herë të fundit me Kosovën u paraqit në mars të këtij viti, në “Fadil Vokrri” kundër Bullgarisë (1:1).

Ndërkaq, mungesë e madhe është ajo e Bernard Berishës.

Berisha ka pësuar një lëndim këtë të shtunë në barazimin 1:1 që Akhmat Grozny e arriti në udhëtim ndaj Dynamo Moskës në xhiron e 15-të të Premier Leagues së Rusisë, derisa u desh të zëvendësohej pas 20 minutave lojë.

Nuk është bërë e ditur se sa do të mungojë Berisha, që ka treguar formë solide këtë edicion në Rusi.

Kujtojmë se Kosovës do t’i mungojë edhe superylli i saj, Arbër Zeneli, që është jashtë fushave që prej lëndimit që e pësoi ndaj Malit të Zi në qershor. Por, ai do të jetë në “Fadil Vokrri” për ndeshjen Kosovë – Angli.

/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...