Nga Edona Llukaçaj

“Të lësh duhanin dhe Shqipërinë nuk është kurrë vonë, apo jo?” ishte batuta e hidhur – dhe që, mendoja, e vjetëruar – me të cilën një mikeshë e hershme më dha lajmin, pasi kishte ndarë mendjen për të ikur nga Shqipëria.

Fatkeqësisht, e treta në harkun kohor të një jave që më tregonte se po mblidhte plaçkat për të ndërtuar jetën me familjen e vet tjetërkund.

Tre zonjat që njoh personalisht, si shumë të tjerë që, së fundmi, po vendosin të marrin rrugët nuk i përkasin kategorive që na vjen përshtat të besojmë se zgjedhin të ikin nga vendi.

Nuk janë të rinj e studentë, të cilët ndodh e kthehen. Nuk bëjnë pjesë në shtresat në nevojë apo ndër ata që joshen nga pagesat e punëve sezonale në bujqësi e turizëm në vendet fqinje, paçka se në kufi kërcet dajaku. S’janë as azilkërkues profesionistë, as nuk kishin kapur ndonjë ofertë të paparë punësimi në ndonjë shtëpi bari.

Në fakt, e përbashkëta e tyre ishte se janë të punësuara në profesion dhe me arritjet e veta në fushat përkatëse. Por gjithsecila në mënyrën e vet e kishte marrë parasysh të hidhte në plehra vite mund e karrierë e të bënte ndonjë punë të rëndomtë andej nga do e çonte bileta me një drejtim. Veç të ikte!

E kjo e bën ikjen e tyre thellësisht të dhimbshme.

Është e dhimbshme se përditë e më shumë po largohen individë aktivë e kontribues nga çdo sferë e çdo shtresë e shoqërisë. Po largohen në masë edhe ata që normalisht nuk do ndiheshin të detyruar ta bënin këtë nëse do ishin një vend tjetër të botës së lirë (me të cilët na e ka fort ëndja të matemi).

Është e dhimbshme sepse po ikin për arsye të qenësishme. Largohen se me rrogat më të ulëta në rajon nuk përballohen pa sforco çmimet pakuptimisht të larta. Se puna e ndershme nuk mjafton për një jetesë optimale pa shtyrë në kohë nevoja bazë. E ata nuk kanë të ardhura shtesë, të fituara në rrugë të paqëna.

Se bërrylave të nepotizmit dhe kaheve politike, gjetkë, mund t’i shpëtojnë me përkushtim dhe profesionalizëm të shtuar, por këtu, dukshëm, aq nuk mjafton. Gjenden përditë nën presionin e kompromisive të papranueshme për të marrë atë që u takon.

Është e dhimbshme sepse ikin për një të ardhme më të ndritur për fëmijët e vet. Se në shkollat e bojatisura, në ato të ndërtuarat për bukuri apo në ato ku vijon mësimi me turne nuk jepet dije e edukim me standarte. Ato vijojnë të jenë çerdhe mësuesish sekserë, që duan element për kurse private, e gjithologësh të paprofilizuar e të pafiltruar.

Ndryshe, të paktën fenomeni i bullizimit do ishte adresuar. Nuk do kishte kapur përmasa të tilla dhune fizike e verbale, ku më e fundit u shfaq në videon e bërë pranë një shkolle 9-vjeçare në Tiranë.

Është fort e dhimbshme, por ikin sepse kanë humbur shpresën se Shqipëria u përket edhe atyre. Sepse vendi i tyre duket se është kthyer në dheun e një pakice të pushtetshme e të pasur.

Sistemi i mirëinstaluar duket si një çark i mbrapshtë, një mekanizmë në shërbim të anti-vlerës. Se i tyre është kthyer në një vend ku, në rastin më të mirë, pushtetarët veçse përfliten për korrupsion galopant, kurse të tjerë që faktohet të jenë të përfshirë vijojnë të jenë të pandëshkueshëm.

Ikin se ndryshim më drastik politik nënkupton rikthim në zgjedhën e vjetër dhe optimali nuk jep asgjë të re.

Është e dhimbshme se janë të gatshëm të largohen me çdo kusht. Të sakrifikojnë një jetë përpjekje drejt të panjohurës, se në vendin e vet të bësh gjënë e duhur një jetë, thjesht, nuk ta garanton një jetesë të thjeshtë.