“Gazeta shqiptare” botoi pak kohë më parë një letër të Arshi Pipës, personalitet i njohur i disidencës shqiptare, drejtuar botuesit anglez “Serpent Tail”, lidhur me përkthimin dhe botimin në anglisht të romanit “Kronikë në gur”.

E paraqitur nga studiuesi Myftar Gjana, kjo letër, sipas tij, është e fundit, në serinë e letërkëmbimit të Arshi Pipës me botuesin anglez. Ajo mban datën 27 tetor 1986, është nxjerrë nga arkivi personal i autorit dhe botohet për herë të parë në Shqipëri.

Pak kohë pas kësaj, më 7 shtator të këtij viti, e njëjta gazetë botoi fragmente të një studimi tjetër të Arshi Pipës, të titulluar prej gazetës “Kundër Kadaresë”, titull gjithsesi i habitshëm, ngaqë ajo që shkruhet në këtë studim, jo vetëm që nuk është kundër, por është e favorshme, madje tepër e favorshme për shkrimtarin.
Pavarësisht nga kjo, studiuesi M. Gjana paralajmëron se do të botojë së shpejti shkrime të tjera të rëndësishme të Arshi Pipës për letërsinë shqipe, kryesisht për autorët që kanë qenë në qendër të vëmendjes së tij.
Është për t’u çmuar nisma e zotit M. Gjana që po vë në vëmendjen e publikut dokumente sa të rralla aq dhe të rëndësishme.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Siç del nga intervista shoqëruese e M. Gjanës, letra e A. Pipës drejtuar botuesit anglez, parathënia aq shumë e dëgjuar e tij për “Kronikë në gur”, botuar pas refuzimit anglez në revistën amerikane “Tellos” më 1987, si edhe shkrime të tjera, që do të shohin dritën e botimit, në një mënyrë ose një tjetër, kanë lidhje midis tyre.

Rrjedhimisht, ato kanë lidhje me një incident të njohur publik, për të cilin është folur shumë, por që ka mbetur i pazbërthyer plotësisht. Ngjarja, pjesë të së cilës janë këto shkrime, duke e pasur zanafillën në kohën e komunizmit, ka pasur një histori vijuese më pas, në kohën kur komunizmi po rrëzohej, e fill pas kësaj, në vitet e para të tranzicionit. Për të është folur shumë, është shkruar mbarë e mbrapsht, janë thënë të vërteta e gjysmë të vërteta, janë bërë spekulime, aq të pashmangshme në kësi rastesh.

Incidenti e kapërcen dukshëm vetveten dhe kronikën letrare. Ai ka lidhje me atë katastrofë morale që ndodhi në Shqipëri, kur regjimi i përmbysur arriti të prishë drejtpeshimin e jetës së vendit. Shumë ngjarje mbetën të errëta dhe të tilla vazhdojnë të mbeten, sepse në Shqipëri forcat që janë të interesuara për fshehjen e së vërtetës, madje për varrosjen e saj, janë ende zotëruese.

Lidhur me këtë dosje, një pjesë e së cilës sapo ka nisur t’i bëhet e njohur publikut shqiptar, si autor që është interesuar drejtpërdrejt ngaqë ka lidhje me veprën e tij, dëshiroj të ndihmoj në sqarimin e së vërtetës. Për të vërtetën kanë nevojë të gjithë, duke përfshirë edhe ata që nuk janë më, dhe zëri i të cilëve vjen nëpërmjet dokumenteve, siç është në këtë rast zëri dhe kujtimi i Arshi Pipës. 

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...