Elvis Hoxha

Për qeverinë dhe partinë socialiste që nuk ka asgjë socialiste.
Dhe për tërë ata që mendojnë se politika është natyrshëm mashtrim.

Në ndërgjegjen politike publike nuk është hajdutëria, ose hajnia, si të doni quajeni, ajo që është themelisht dhe thelbësisht më e rënda e bindjes sonë shoqërore. Në fakt, sëmundja më e madhe, ajo që na është bërë e pranueshme, e vetvetishme, pothuaj e lindur bashkë me ne, është sëmundja e mashtrimit. Më keq akoma, vetëmashtrimi që rri mbi kokat tona si krenaria prej aureole. Hajnia nis me mashtrimin që e pranojmë të gjithë si mënyrën e vetme të të jetuarit. Ne nuk e kemi njohur ndryshe përvojën e kapitalizmit, veçse si gënjeshtra, kapakun së cilës erdhën e i’a vunë ndërkombëtarët. Ne e nisëm kapitalizmin ashtu siç e përkryem komunizmin. Në komunizëm dënuam sa deshëm, heshtëm sa deshëm, dhe në fund, si mbyllje të skenës komike të vetëmashtrimit, i dhamë botës atë skenë finale tragjike ikjeje. Ndërkohë, një masë e madhe kishte marrë pjesë në ndërtimin e diçkaje që quhej bëma e Marksit. Por ne gënjyem sepse nuk e lexuam kurrë Marksin. Në fund të një pjesëmarrjeje komike deri në vetëshkatërrim, ne i fusim përherë një mbyllje tragjike prej gjëme, për me e deklaru fatale atë çka ra mbi ne.
Ose rrënojmë monumentet mbi kokat tona, ose ngremë monumente me trupat tanë mbi det të hapur.
Dhe kështu edhe kapitalizmi ynë, me atë parti demokratike me shpresa të kokolepsura të përndjekurish e të shpronësuarish, me shpresat e humbësve dhe të të dënuarve të një gjysëm shekulli që i jepeshim papritur idiotësisë së çekut të bardhë. Apo me atë sjellje injorante me idenë e një ekonomie tregu me disa lloj pronarësh që e dyshonte sërish drejtësinë e pronësinë së tokës. Dhe ashtu siç e shpikëm komunizmin, si stalinizëm të shtyrë në skaj e pa asnjë fe e asnjë disidencë, po ashtu nisëm të shpikim kapitalizmin, pa asnjë rezistencë e asnjë mendim.
E shpikëm kapitalizmin ashtu siç shpikëm partinë socialiste, ashtu thjesht, brenda natës, me një ndryshim emri bartësit fanatikë të ekonomisë politike komuniste u shndërruan në të dijshëm të socializmit në kushtet e ekonomisë së tregut. Dhe natyrisht, ajo gjysmë e popullsisë që mbahej për komuniste duke mos qenë e tillë, mund të mbahej tashmë për socialiste duke mos qenë e tillë. Mashtrimi funksionon ditë e natë në shpirt të njeriut ashtu siç i funksionon në mendje injoranca dhe në bark uria. Ama në shpirt nuk ka uri për moral dhe në mendje nuk ka etje për dije.
Sepse vetëm në Shqipërinë tonë të ëmbël prindi e shtyn fëmijën e vet të lexojë pa hapur kurrë vetë më parë ndonjë libër. Dhe ne vetëmashtrohemi duke thënë se jemi arsimdashës, me shpresën se sa më shumë e themi, aq më shumë do ta besojnë të tjerët. E në mbrëmje të ditës, të vetmit që e kanë besuar mashtrimin tonë jemi ne vetë. Dhe si përfundim gëlojnë vendet e dijes që nuk kanë kurrfarë dijeje. Sepse ç’të thuash kur sheh shkencat tona humane, një tufë injorantësh që luajnë pedagogun e që i thotë studentit se mendimi teorik dhe abstrakt nuk i lipset për asgjë. Ndaj ky i fundit shkon te kafja ngjitur që është gjithnjë dhjetë herë më e madhe se biblioteka. Ndërkohë pedagogu vazhdon paguhet një jetë të tërë, dhe merr tituj si profesor e filozof pa thënë publikisht asnjë mendim.
Por nuk e kam me këta të fundit. Këta mashtrojnë me fuqinë e pushtetit të administratës dhe buxhetit të institucionit. E keqja është se masa të tëra të rinjsh shkojnë dhe marrin një diplomë, të bindur se asnjë dije nuk ka mbetur në kokat e tyre, asnjë përgatitje profesionale që do të orientojë trupat e tyre. Dhe aty, në shkollat dhe universitetet tanë, tamam aty, ngjizen “lypsat që nesër do të na mbushin rrugat”.
Rinia do të jetojë papunësinë e vet, ndërsa pedagogët vdekjen nën tituj e grada. Të dyja palët janë të prirura që ta mbajnë jetën pa asnjë vezullim, ta mbajnë aq të hirtë e të ulët sa dhe e vdekshmja. Po ashtu si dy të kundërtat, PD e PS, që i marrim për të ndryshme. Sepse nuk kemi bërë asnjë fije logjikë nëpër shkolla për me e kuptu se të kundërtat nuk janë të ndryshme. Të kundërtat ndaj së vërtetës janë të njëjta. Të ndryshmet, qoftë edhe ndaj së vërtetës, janë pretendente për me qenë të vërteta. Por ç’na duhet?! Mjaft që për vetëmashtrim të kalojmë mbrëmjet dhe netët tona në simulakrën qeveri-opozitë. Ne për ta shtyrë e kemi jetën.
Dije dhe politikë e vetëmashtrimit. E kështu mbërrihet në ditë të tilla kur na del një kryeministër i gjatë e i gjatë sa dhe Rilindja ia ka zili. Dhe ai na vjen me këto të thëna prej kryesocialisti. Si kryesocialist e si kryeqeveritar, si kryeartist që tund kudo ku shkel, ai na tregon rrënimin tonë moral e na quan kusi e kazan. Ai dëshiron të jetë socialist, por nuk mundet me një popull kaq të degjeneruar për shijet e tij, edhe pse shija e këtij populli ia dha pushtetin. Dhe na vjen KM-ja dhe na shpjegon se qeveria nuk ka pare për artin dhe institucionet publikë të artit, sepse KM-ja është rilindas dhe socialist. Sepse është Skënderbe. Kryesocialisti ynë është mashtrimi ynë i rradhës. E vëmë artistin në pushtet që të na vrasë artin, e quajmë rilindas për me na vulos me vdekje institucionet e artit. Dhe ai na e mban si të vetin Faik Konicën, pikërisht atë rilindas që e nxori nga hiçi revistën me emrin “Albania”.
Dhe na vjen KM-ja, krye-socialisti dhe i mëson Ramush Haradinajt, aty në sy të të gjithëve, mu në bash të vendit, se ç’kemi thënë në fushatë nuk jemi të detyruar ta realizojmë ngaqë dihet se fushata është mashtrim. Ky është rilindasi krye-socialist. Dhe ne e quajmë të madh sepse luan bukur me fjalët, sepse është lojcak i madh, është i shkathët, sepse e deklaron hapur se është mashtrues. Ne e quajmë gjigant sepse na konfirmon edhe një herë se edhe ne, po të qemë në vend të tij, mashtrimin do të përdornim. E duam KM-në sepse është gjak nga gjaku ynë, del prej kazanit tonë. E duam KM-në tonë sepse me një gur vret dy zogj. Me një teatër vret edhe Institutin ku më parë studioheshin turbinat, por edhe Teatrin Kombëtar e kalon në turbinë. E duam sepse na i thotë hapur se është vrasës serial i shesheve tanë publikë. E duam se na tund e na pret çdo pjesë të trupit të atdheut e të aftësive të shoqërisë. Sepse kryeministri e di që ne nuk kemi nevojë as për artistë e as për inxhinjerë. Kazani i tij nuk është popull por turmë. Dhe turma e quan gjigant. Gjiganti turmës është vetëm i gjatë. Si kullat. Por jo ato të malit.
Ne e duam KM-në tonë sepse ai na paraqet bukur, ashtu siç jemi ose siç duam të paraqitemi, si skllevër. Shkon italofoni ynë para imprenditorëve italianë dhe ua thotë hapur: “Ejani te ne sepse ne nuk kemi sindikata”. Dhe ne na pëlqen shkathtësia e tij, guximi i tij për me na qujt skllevër. Dhe ne kënaqemi, kënaqemi tuj qeshë, sepse italofoni ynë i ra mu në zemër malit që nuk bëzan, e shau skllav e malok. Por ky soj kryeministri, kur e pa që mali prapë s’bëzajti, u shkri tuj qeshë. E kur qeshi i gjati, ia nisi me qeshë turma. Komedi gjatoshe dhe e shtrirë, ku turma e shtrirë ia mban ison e kujës të së qeshurës KM-së së vet. Komedi pa fund që natyrisht do të ketë skenën e vet tragjike në fund. Do qeshim aq shumë sa në fund do të derdhim lotë.
Dhe kështu vazhdon nëpër bëma Skënderbeu i socialistëve të kohëve tona të ndritura. Zgjeron kazanin për me mund me na fut të gjithëve aty brenda. Dhe pastaj do të vrasë bibliotekën si kinematë, teatrin e kukullave si dhe parkun e lojërave, sepse ne jemi kukulla dhe fëmijët tanë janë robotë. Fëmijët tanë nuk kanë imagjinatë, ndërsa prindët janë kukulla që nuk kanë vullnet e ndjenjë lirie.
E pastaj kryeministri pushton qytetet me beton, sa edhe uji ka frikë të bjerë ngaqë nuk gjen më natyrë. Uji i shirave rri me ne apo me librat e bibliotekës Kombëtare ose me arkivën e Bashkisë së Tiranës. Sepse në qendër të Tiranës kemi një parking gjigant nën sheshin me një virtyt të hatashëm. Është sheshi më errësirë i botës, njolla e zezë në zemër të netëve të Tiranës. Ngaqë arkitektët dhe urbanistët gjenialë të KM-së nuk e kishin menduar ndriçimin e tij, por vetëm llojet e bredhave që do të sillnin prej cepave të atdheut.
Rrugët, mos m’i shtroni rrugët me fonde të republikës. Republika socialiste e KM-së nuk ka asnjë lidhje me shfrytëzimin publik të buxheteve. Taksat do të jenë gjithnjë më të mëdha, por punët publike do i bëjmë me miqtë privatë.

Taksoji shqiptarët në çdo cep,
jepu privatëve copa atdhe,
sepse je gjigant e Skenderbe.

Jep det në jug. Azgani i Ballkanit nuk ndalet vetëm me dhënie rrugësh e sheshesh, por dhe territoresh, në ujë e në tokë. Ngaqë azgani nuk di politikë më shumë se ajo e lagjes. Me Vuçiç e Thaç, me Baton Haxhi nuk di tjetër gjë për Kosovën veç shkëmbimit të territoreve në veri. Ky kryesocialist nuk ka as dije sovraniteti e as ndjenjë historie. Hapësirën mes detit në jug dhe tokës në veri na i ktheu në kulturë kanabisi, me gjiknurë e shkurtabiqë, ky i gjati i madhërishëm për këtë popull që ka zell me qenë kazan e me qenë hiç.
E pra, këtë hajdut, këta njerëz që mashtrimin e kanë për vityrt e orgazëm, po e quajnë socialist.
Dhe kryesocialisti do të klithë gjithandej, me ERTV e me kanale klanesh e topash, fyerjen mbi njerëzit, mbi ata që e ngritën e ata që s’e ngritën. E meqë njerëzit janë pasuria e fundit dhe më e tepërt e këtyre trojeve, gjithnjë të tepërt për çdo politikë e çdo qeveri që ka shkatërruar këtë vend, për këtë kryesocialistë ata do të jenë tepër, gjithnjë tepër për një KM që nuk njeh as shoqëri, as publike, as komb e as atdhe. Ky kryeministër socialist, di se socialja është veç instagram, komente në fb dhe ekspozita në këshill të ministrave. Sepse kur nuk ke ministra, më mirë merr ca gjoja artistë, Vorps e kompani dhe ktheji në socialistë.

Ne jemi në kazanin e tij. Të gjithë. E ai do të na zbrazë. I duhet kazani bosh. Për sa i takon do të njihet në histori si Kryeministri socialist i spastrimit etnik.

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]