Sead Zimeri

Pa liri të shprehjes nuk ka as liri të mendimit, sepse mendimi dhe gjykimi formohen duke u shprehur, duke u ndare me tjetrin. Liria është kusht i mendimit si të tillë. Vetë arsyeja nuk është ndonjë zotësi apo dhunti apo dritë që ekziston para se të futet në përdorim me tjetrin por formohet dhe zhvillohet e ndriçohet pikërisht si rrjedhojë e një përdorimi të tillë. Sikur që nuk mund të zhvillosh gjuhë private, po ashtu nuk mund të zhvillosh mendim, pra NUK MUND TË MENDOSH në formë private. Prandaj liria e shprehjes është kusht i domosdoshëm jo vetëm për të shprehur atë që e kemi menduar në privat, por për ta krijuar vetë mendimin. Arsyeja nuk ekziston jashtë parametrave që formohen në shkëmbim.

Çka është për shembull gjykimi racional? Nuk mund ta dimë këtë pa e shtruar për debat çështjen mbi të cilën kërkohet gjykimi racional. Gjykimi racional pra nuk i paraprinë shkëmbimit të mendimit por vjen si pasojë e saj. Disa herë, për shembull, është racionale, e arsyeshme që taksat të ulen e disa herë i njëjti veprim mund të jetë gjykim dhe veprim tërësisht irracional, i paarsyeshëm. Pse është kështu? sepse vetë arsyeja formohet në proces të shkëmbimit të mendimeve, opinioneve, paragjykimeve, fakteve, etj, etj, dhe gjykimi i saj mund të vijë vetëm pasi është shqyrtuar dhe kritikuar nga të tjerët. Por nuk mund ta dimë a priori se cili gjykim do të jetë racional në kushtet ku shfaqet pa u debatur si qëndrim që pastaj formohet në mendim racional.

Ju pëlqen!

Prandaj edhe paraqitet nevoja e sferës publike të lirë, ku edhe vetë shteti duhet të jetë pjesmarrës, jo si autoritet ekzekutiv por si partner debatues. Në sferën publike shteti nuk ka asnjë përparësi mbi qytetarin e rëndomtë. Argumentet e shtetit i nënshtrohen të njëjtit vlerësim publik si argumentet e qytetarit të rëndomtë. Përndryshe shteti bëhet autoritar që vepron në kundërshtim dhe shkelje të lirisë. Kjo është shkelje e rëndë e lirisë për të menduar, sepse, siç po e përsëris disa herë, nuk mund të mendosh pa menduar ndryshe, e nuk mund të mendosh ndryshe nëse nuk guxon ta shprehësh lirë mendimin ndryshe. Jo vetëm që nuk ka mundësi të shqyrtohen faktet pa debat të lirë publik, por as nuk mund të mendosh pa liri të shprehjes. Pa liri të shprehjes mbetesh gjysmak në mendim, i pazhvilluar, sepse sikur që trupi nuk mund të funksionojë pa ajër edhe arsyeja nuk funksionon pa liri të shprehjes, pa mendimin tjetër. Nuk është e rastësishme pra që liria e shprehjes është baza e çdo të drejte tjetër.

Autonomia dhe autoriteti i arsyes nuk ekzistojnë jashtë shkëmbimit të lirë të mendimit. Jashtë një zone të tillë ne mbetemi nën mëshirën e autoritetit të jashtëm, zakonisht autoritetit diktatorial. Ata që nuk kanë guxim t’i shtrojnë arsyet e tyre për diskutim ata qeverisin si diktatorë, e liria e shprehjes është antidota e mendimit diktatorial.

Ne ende jemi larg shekullit të iluminizmit.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën me 1 Euro!