Lajmi i publikuar ditë më parë nga gazetaria hulumtuese për një ish-snajperist serb, që kishte qenë pjesë aktive e ushtrisë serbe në Kosovë, dhe për të dhënat që dolën në sipërfaqe, si për shembull për “shtruarjen e asfaltit me eshtrat e civilëve shqiptarë”, dëshmoi diçka të shqetësueshme për gazetarinë tonë. Është shqetësues fakti se si ky lajm nuk u publikua nga televizioni publik i Kosovës, RTK-ja.

Si është e mundur që shqiptarët e Kosovës të censurohen nga e drejta e tyre për informim? Tani në vëmendje dalin shumë dyshime por edhe shumë vërtetime: Lajmi i RTK-së është i kontrolluar. Këtë e kam analizuar, thënë dhe trajtuar që nga dita e parë e themelimit të RTK-së. Atëherë kishte “mirëkuptim” sepse RTK-ja nuk ishte e pavarur në punën gazetareske. Atëherë ishte UNMIK-u i cili ishte “zot shtëpie.”

Por, sot, si të kuptohet censura e lajmit për “shtruarjen e asfaltit me eshtrat e civilëve shqiptarë” nga politikat serbe?  Le që këtë lajm e përjashtoi dhe e censuroi RTK-ja, por ky lajm u censurua edhe nga mediat tjera të cilat vetëquhen se janë “të pavarura”.  Përpos mediave të qeverisë, këtë lajm të tmerrshëm nuk e trajtoi asnjë parti politike, as opozita dhe as shoqëria civile.

Ju pëlqen!

Përse ndodh kjo? Se këtë lajm nuk e ka komentuar qeveria e as njerëzit e saj, kjo nuk është befasuese, por është befasuese heshtja e opozitës, është jo e pritshme heshtja e gazetarisë hulumtuese: Është e pabesueshme heshtja e Tiranës, e diplomacisë e universitetit.

Mediat e sëmura shqipe me shpejtësi drite përkthejnë lajmin serb, lançojnë lajmin e shpifur serb në hapësirën tonë publike. Këta vetëm për “raportin shpifës të Dick Martit” bënë kryelajme, kryetema, dhe ndikuan edhe në axhendën politike të Kosovës. Mediat, përkthyese të lajmit serb, lançuan gënjeshtrat serbe, përrallat serbe, por nuk e shohin të arsyeshme të lançojnë lajmin “e tmerrshëm” që z. Zeka e solli për opinionin publik. Burimi i këtij lajmi dihet. Gazetari po ashtu njihet. Shihet në videoxhirim se intervistuesi serb ishte në një zyrë, diku në perëndim. Atmosfera ishte relaksuese. Nuk kishte shenja që gjatë intervistës së z. Zekës me ish-snajperistin serb, përdorej dhuna psikologjike, verbale e as fizike. Pra lajmi përmbushë kriteret e të qenurit lajm: Ai ka rëndësi të madhe për hapësirën në të cilën jetojmë. Ky lajm prek shqiptarët si komb. Ky lajm është i afërt me shqiptarët. Ky lajm tregon se sa e paparë ishte politika e Millosheviçit. Ky lajm dëshmon se politikat serbe ndaj Kosovës dhe ndaj kombit shqiptar janë aq jo njerëzore e aq të egra.

Ndoshta kjo është edhe arsyeja se përse ky lajm nuk publikohet nga RTK-ja dhe mediat e pushtetit. Ky lajm minon politikat mashtruese të qeverisë së Kosovës dhe prishë raportet me “serbët evropian” ose me “mikun Vuçiç”, ndoshta. RTK-ja dëshmon se është mashë e politikave të qeverisë se Kosovës. Edhe Habermas, filozofi dhe sociologu gjerman ka studiuar se si opinioni publik është duke u shndërruar në një “mashë të politikave dhe institucioneve elite”. Apo jo?

Të nderuar lexues,
RTK-ja dhe censura e sajë, të përkujtojnë sistemin feudal dhe Luigjin e XVI. Atje dhe atëherë, çdo vendim politik merrej nga Luigji, sepse ky “ishte njeri i zotit”. Nuk pyetej dhe nuk dëgjohej fare mendimi i opinionit publik. Nuk kishte debate rreth vendimmarrjeve politike. Dëgjohej lajmi i mbretit e nuk dëgjohej zëri i popullit … Dhe ky episod “feudal” është duke ndodhur sot, me opinionin dhe hapësirën e mendimit të popullit shqiptar të Kosovës. Informacioni e lajmi nga kjo “elitë institucionale” shkon përmes mediave të sëmura dhe ato po lançohen në opinion. Por, moslancimi i lajmit të “tmerrshëm” për gjenocidin serb ndaj shqiptareve, dëshmon se televizioni publik, RTK-ja, është “dorë e zgjatur e parapolitikës”: P.sh. “lajmi për trenin rus”, “lajmi për sulmin e shqiptarëve ndaj sërbve në veri të Kosovës”, “lajmi për rrezikun nga islamistë shqiptarë, e JO lajmi për “asfaltin e shtruar me eshtrat e shqiptarëve, tregon se në ç’shkallë pavarësie të lajmit politik është gazetaria shqipe në përgjithësi. “Pse ndodhë ky kontroll mediatik?” Çfarë qëndron prapa këtyre gazetarëve politik? Ç’farë ndryshime do të sjellin këto lëvizje të kontrolluara sociologjike, filozofike, kulturore e mediatike tek populli shqiptar?

Kjo është dilema! Për një shtet e për një komb të mirë politik, në Tiranë e Prishtinë, do të duhej më shumë kritikë për media në media. Është koha e fundit që gazetarët shqiptarë të zgjasin mandatin e tyre për kritikën dhe të jenë, gjithashtu, kritik ndaj gazetarëve tjerë.

/Botuar në shtypin shqiptar në vitin 2017/

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.