Për ata që turbullojnë ujrat fetare

Nga Shaban Murati

Në gjitha enciklopeditë ateizmi përkufizohet si mungesë besimi ndaj çdo feje dhe Zoti. Në vendet e zhvilluara demokratike ateistët shohin punën e tyre dhe nuk sulmojnë as fenë e shumicës së popullit të vet dhe as fetë e pakicave, sepse konsiderojnë liri personale dhe e drejtë e secilit të besojë ose të mos besojë.
Është e çuditëshme prirja e ateistëve publikë shqiptarë, që papushim mbjellin mllef dhe sulmojnë vetëm fenë e shumicës së popullit. U vihen në dispozicion dhe dominojnë ekrane, mikrofonë, skena, OJQ dhe fonde të bollshme për të krijuar mjedis toksik për besimin e shumicës së popullit. Kulmi i absurdit shqiptar është se në këto fushata turbulluese fetare përfshihen politikanë të lartë të shkollës së vjetër ateiste të komunizmit dhe deputetë, të cilëve nuk dihet se kush ua ka mbushur mendjen se duke sulmuar fenë e shumicës së popullit do të konsiderohen “modernë dhe europianë”.

Destabiliteti fetar ecën dorë për dore me destabilitetin politik. Në pamjen e parë duket i paqartë motivi përse kjo skotë turbulluesish të jetës shoqërore i kundërvihet filozofisë dhe mendimit shoqëror të mendimtarit dhe poetit të madh At Gjergj Fishta për karakterin vëllazëror të marrëdhënieve ndërfetare në Shqipëri. Por një analizë spektrale të çon te strategjia përçarëse antishqiptare e këtij fenomeni.

I lidhur me prirjet e mësipërme është edhe fenomeni tjetër specifik shqiptar që islamofobët patologjikë publikë, të ekranit dhe të politikës në Shqipëri, befas kanë rënë në dashuri me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe me një hoxhë turk, që jep predikime fetaro-politike nga mërgimi në Pensilvani. Ec e merre vesh kush e bën për-puthjen.
Fushatat e sponsorizuara turbulluese, që po intensifikohen në drejtim të marrëdhënieve fetare në Shqipëri, nuk janë të rastit. Njëqind kilometra larg atyre u vjen era Serbi.