PËR ARRITJE TË OBJEKTIVAVE TË LUFTËS LIHET KOKA

Mungesa e gatishmërisë për ‘kompromis’, që motivohet me perceptim subjektiv të njërit apo të tjetrit se po lëshuan pe do humbin fytyrën në këto negociata të stërzorshme për marrëveshje koalicioni qeverisës, është vetëm njëra anë e medaljes. Madje ajo më pak e rëndësishme, shpina dhe jo fytyra e medaljes.

Ana tjetër e medaljes, ajo e shkaqeve, arsyeve dhe çështjeve objektive, reale, materiale, statusore, e objektivave që synon njëri e tjetri, çon shumë më shumë peshë.

Isa Mustafa, me post që synon dhe eventualisht merr nëse merren vesh, mbi të gjitha llogarit se e paraprinë dhe e parandalon thirrjen në  përgjegjësi për të bëmat e shumta të gjertanishme të tij dhe të klanit që udhëheqë. Jo vetëm me vet postin që do të mbante (ai ose njeriu i tij që do të vendoste në te) e që në mënyrë pasive, të nënkuptueshme do e/i  amnistonte, por edhe me spektër të gjerë veprimesh shumë konkrete që ky post mundëson për parandalim duke fshirë gjurmë dhe duke bllokuar nisma, dhe një vistër mundësish veprimi neutralizues dhe riparues post factum, pasi që “punët të kenë marrë frymë në publik”. Njerëzit janë të prirë të bëjnë shërbime reciproke. Sa më të lartë postin që ke edhe fushën e ofrimit të kundër shërbimeve e ke më të gjerë…  (“Dora dorën lanë”).  Paralelisht kësaj, pushteti me status, me post, është mënyrë e “ligjshme” për konsolidim të interesave të veta dhe të anëtarëve të klanit që kryeson me vite të tëra. Aq më parë dhe aq më shumë nëse këtë post mbanë në një mandat të një qeverie që do të njihet si qeveri reformatore dhe e renesancës politike dhe përgjithësisht shoqërore. Të rrallë e hiç do të ishin ata që partnerit të një qeverie të tillë do i drejtonin gishtin.

Albini ka tjetër hall. Nga statusi që ka krijuar, nga pozicionimi publik i tij, nga dita e parë deri sot që është në prag të marrjes së qeverisë në dorë, nga prapavija – backgroundi që ka, thjesht rruga jetësore që ka shkelur deri sot me të cilën në sy të publikut të gjerë e ka zotuar vetën, e ka shtirë vetën peng paraprakisht për kohën që ka para vetës. Po aq sa ai vet pret nga vetja të mbetet konsistent, aq edhe më shumë nga ai këtë pret opinioni publik: që të mos shmangë, të mos devijojë në përmbushje, në realizim. Dhe tani, kur lëshimi (i tepruar) pe që i kërkohet nga partneri eventual i koalicionit, ai realisht sheh se do t’i del situata nga kontrolli. Si mund të përmbushë çkado qenësore nga ato që ka premtuar, krimin dhe korrupsionin para së gjithash, duke lënë vetën peng me profil publik që ka ndërtuar deri sot, nëse levat e përmbushjes nuk i ka në dorë të vetën?! Aq më parë se me lëshim të tepruar pe, këto leva do të ngelnin në duar të një partneri të  hallit dhe të zorit, jo të preferuarit dhe të përzgjedhurit sipas afrisë programore, backgraundit, afrisë morale dhe vlerave tjera. 

Albini NUK DUHET TË LËSHOJË PE! Kjo është një “luftë”, ngjashëm me atë në fushë betejë ku për arritje të objektivave të luftës lihet koka. Çdo qytetar i ndërgjegjshëm i Kosovës, që ia do të mirën vetit duke parë të mirën e vendit si kornizë të përbashkët, nuk ka dilemë të mbështesë këtë “luftë” dhe prijësin e saj Albin Kurtin!
Ragip Rugova, 15.12.2019

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...