Poezi nga Timo Flloko

Pejë,
në ije të Bjëshkëve te Nemuna
që si pleq të moçëm
me plisa resh mbi krye,
qiejsh kuvendojnë…
Gërryer thellë,
zhuritur,
Gryka e Rugovës.
Lart malet shpinat shtrijnë,
murana flijimi,
ku heshtjen e vet ha durimi,
me lotë ujëvarash,
sytë e kalimtarëve nginj…

Ka rrjedhur koha lumë,
por shtrati i malit s’është tharë.
Nga padurimi klith:
Më ke pritur herët,
po vij!
Gryka zërin e përpin…
Më pështjell një erë, më mpin.
Nderem në ajri,
dhe më merr harrimi…

Pejë,
vendlindja ime,
në zgrip të pikëllimit!…