Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë njoftoi paditen e së dielës se ka vendosur t’i japë fund bojkotit të mësimit. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat kjo sindikatë thotë se nuk mori asnjë garanci për jetën nga Presidenti.

“SPUSH i është drejtuar Presidentit të Republikës, duke kërkuar garanci kushtetuese për paprekshmërinë e integritetit të pedagogëve vullnetarë, që do të hynin në grevën e urisë, grevë e cila nuk u frymëzua aspak nga dëshpërimi apo mungesa e shpresës së intelektualëve për plotësimin e kërkesave legjitime të tyre në ambientet universitare, por u stimulua nga domosdoshmëria imediate e plotësimit të tyre.

Përshkallëzimi i hapave të ndjekur nga punonjësit akademikë, ndihmës-akademikë dhe administrativë, erdhi si rrjedhojë e indiferentizmit dhe arrogancës së autoriteteve, që janë përgjegjëse, për situatën aktuale. E kemi fjalën si për Qeverinë dhe Ministrinë përkatëse, ashtu dhe për institucionet e arsimit të lartë publik” – thuhet në deklaratë.

“Duke e parë me sy kritik dhe shqetësim atë që po ndodh brenda mjediseve akademike, bashkarisht konsideruam se mbështetja financiare e cunguar, është me ndikim, në cilësinë e shërbimit ndaj studentit, ndaj iu drejtuam Qeverisë, sepse pavarësisht autonomisë, ajo ka detyrimin për ta mbështetur dhe mundësuar cilësinë, që certifikon ky institucion. Për habinë e gjithkujt, Qeveria heshti?! Heshtja institucionale provokoi protestat dhe bojkotin e procesit mësimor, çka ndikoi në sjelljen e saj në një përshkallëzim të formës së saj, me Ngujimin në Grevë Urie” –thuhet në deklaratë.

Mosbesimi ndaj institucioneve për shkak të intimidimit nga brenda dhe jashtë institucioneve të arsimit te lartë, në vijimësi, mbolli pasiguri qytetare dhe akademike, në realizimin e këtij akti sublim!

Ndodhur përballë kësaj situate kritike, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e interesuar për normalizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të jetës akademike vendosi:

Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët.
Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara.
Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!
Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit Qendror të UPT” – nënvizohet në deklaratë.

“Gadishmëria e Organeve Drejtuese të Universiteteve për të kontribuar pjesërisht në përmbushjen e kërkesave të paraqitura: me rritje modeste të fondit të pagave, dhe kjo, vetëm për stafin akademik, duke mos mbajtur një qëndrim të qartë në lidhje me rritjen e pagave për stafin ndihmës-akademik dhe administrativ, na prezanton një tjetër problematikë në Institucionet e Arsimit të Lartë, nevojën për transparencë mbi veprimtarinë tërësore financiare të tyre” – shkruan deklarata.