Shqipëria nuk është kualifikuar për në Botërorin 2022 dhe Evropiani 2024 mund të jetë ngjarja e ardhshme e madhe për kuqezinjtë. Kualifikimi në Evropianin e ardhshëm nuk është i lehtë, por ky mbetet synim për gjeneratën që po vjen të kuqezinjtë.

Derisa gjenerata e Armando Brojës dhe të tjerëve është duke ardhur te Shqipëria, një gjeneratë e suksesshme po lëshon rrugë. Bëhet fjalë për gjeneratën që solli pjesëmarrjen e vetme të Shqipërisë në një ngjarje të madhe.

“Euro 2016” mbetet e vetmja ngjarje e madhe futbolli në të cilën është paraqitur Shqipëria. Taulant Xhaka ishte prej lojtarëve bartës të asaj gjenerate, sidomos në mesfushë. Ai të martën ka njoftuar se tërhiqet përfundimisht nga kombëtarja. Në të vërtetë, Xhaka ka kohë që nuk ka luajtur për Shqipërinë dhe së fundi ka pasur akuza në distancë mes tij dhe përzgjedhësit Eduardo Reja.

Ju pëlqen!

Por, kontributi i Taulant Xhakës për Shqipërinë mbetet i madh. Do të mbahet gjatë në mend skena e tij në Beograd, kur i vetëm u përball me shumë lojtarë të Serbisë. Ndërkohë, kontributi i tij në fushë ishte po ashtu i madh, me luftën e madhe dhe pakompromis në mesin e fushës.

Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Ansi Agolli, Burim Kukeli, Alban Hoxha, Orges Shehi, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Migjen Basha, Ergys Kaçe, Andi Lila, Ledian Memushaj, Shkëlzen Gashi janë lojtarët që ishin në formacion në ndeshjet e Evropianit e që më nuk janë në kombëtare. Në këtë grup shtohet edhe Taulant Xhaka.

Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Odise Roshi, Amir Abrashi, Ermir Lenjani, Frederic Veseli, Bekim Balaj e Sokol Çikalleshi janë duke u ftuar ende. Aktualisht nuk po ftohet Armando Sadiku, por që nuk ka deklaruar largimin nga kuqezinjtë.

Bartësit e lojës në Evropianin 2016, nuk po luajnë më për Shqipërinë. Ndryshime të tjera priten para se të nis cikli i ardhshëm dhe të tjerë lojtarë të asaj gjenerate që bën histori, mund të largohen.

Taulant Xhaka është ende 30-vjeçar dhe po paraqitet për Baselin në Zvicër. Te Shqipëria së fundi ka luajtur në vitin 2019. Për Shqipërinë ka luajtur 31 ndeshje dhe ka realizuar një gol. Ai ishte pjesë e gjeneratave të reja të Zvicrës, por në nivelin senior vendosi t’i përfaqësojë kuqezinjtë. Nuk ishte në planet e helvetikëve.

“Dita që u vesha kuqezi ka qenë dhe mbetet dita dhe kujtimi më i bukur i jetës sime. Kam qenë dhe jam shumë krenar që u bë e mundur që unë të vishesha kuqezi. Ishte një ëndërr për të gjithë familjen Xhaka, e cila tashmë u bë realitet. Do të jemi gjithmonë krenarë dhe mirënjohës. Nuk përshkruhen me fjalë emocionet dhe çastet e bukura që kam kaluar në gjirin e Kombëtares kuqezi. I paharrueshëm do të mbetet kualifikimi që arritëm së bashku në Evropian. Mbi të gjitha, entuziazmi dhe krenaria e përfaqësimit të Kombëtares kuqezi. Është një luftë për të treguar dashurinë ndaj vendit tënd të origjinës. Unë dhe vëllai, Graniti, jemi rritur atdhedashuri për Shqipërinë dhe Kosovën. Kohët e fundit kam munguar në Kombëtare për shkak të lëndimeve të shumta që akoma më ndjekin. Për këtë arsye dhe shumë arsye të tjera private, kam vendosur të jap lamtumirën nga Kombëtarja kuqezi si lojtar i saj. Por, me zemër do të jem në çdo moment pranë jush, deri në frymën e fundit”, ka shkruar Xhaka, ndër të tjera.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.