Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka drejtuar akuza në drejtim të Rtv Dukagjinit duke thënë se ky televizion është vendosur në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje që drejton Albin Kurti.

Në komunikatë thuhet se VV’së s’po i duhet fare fushata, meqë një gjë të tillë sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës po e bënë Rtv Duakgjini çdo natë me sondazhet e publikuara.

Në fund LDK kanë thënë se nëse Rtv Dukagjini e vazhdon një qasje të tillë, atëherë do të rishikojnë bashkëpunimin.

Akuza në drejtim të Rtv Dukagjinit rreth sondazhit të publikuar ditë më parë ka drejtuar edhe zyrtari i lartë i PDK’së, Memli Krasniqi.

Reagimi i plotë:

Është bërë tashmë e zakonshme që televizioni me shtrirje nacionale, RTV Dukagjini, përdorë të gjithë potencialin e vet mediatik në shërbim ekskluziv të një partie politike përkatësisht, në shërbim të “Lëvizjes Vetëvendosje!”. Ky shërbimi sistematik, i shtrirë para e gjatë fushatës elektorale, ka zëvendësuar në plotni nevojën e kësaj partie politike që të bëjë vet fushatë. Nëpërmjet një pale të tretë, që duket haptazi që është e ndërlidhur ngushtë dhe në sinkron me “Lëvizjen Vetëvendosje!”, mendimet e varura paraqitet si të pavarura – e sondazhet e porositura e inxhinieruara paraqiten si fakte përfundimtare.

Së fundmi, në këtë drejtim, një sondazh i porositur e i ndërtuar për të shtyrë një bindje partiake, na është prezantuar si fakt e si bazë mbi të cilën bëhet analizë e lajm. Ndonëse sondazhi në fjalë dështon në mënyrë të qartë e evidente të ketë mostër reprezentative, ai qëllimshëm fsheh secilin profil demografik të respodentëve me të cilin profil verifikimi minimal i saktësisë mostruese do të ishte i mundshëm. Sondazhi në fjalë bën raportime nëpër rajone, ndonëse mostra – në numër e jo në substancë – është përfaqësuese për të gjithë Kosovën. Për të pasur rezultate të sakta për një rajon, mostrimi në numër (dhe patjetër në substance) duhet të jetë i barabartë me mostrimin nacional. Një kapërcim i tillë, nga mostrimi nacional në rezultate rajonale është mospërfillje bazike e njohurive bazë të të bërit sondazh. Mbi të gjitha, grumbullimi i të dhënave është bërë në ditë pune, duke devijuar qëllimshëm një strukturë domethënëse dhe për pasojë devijon disproporcionalisht rezultatet. Gjithashtu, nuk është qartësuar se si janë përcaktuar pikat startuese të anketimit nëpër lokalitetet e përzgjedhura dhe si është përcaktuar hapi që duhet ndjekur nga anketuesit gjatë grumbullimit të të dhënave. Përtej argumenteve profesionale, bartësi dhe ekzekutuesi i anketës del të jetë një kandidat për deputet i “Lëvizjes Vetëvendosje!”; duke shkelur çdo etikë, besueshmëri, e profesionalizëm të të bërit anketë.

Asnjë nga këto fakte, natyrshëm, nuk merren për bazë nga televizioni me shtrirje nacionale, RTV Dukagjini. As elementet bazë të mostrimit, e as subjektiviteti i një kandidati për deputet që bën anketë. Përkundrazi, RTV Dukagjini, duke shpërfillur secilin hap në këtë proces, vazhdon ta prezantojë këtë fabrikim e lajm të rremë si fakt. Mbi këtë fakt burimor si lajm të rremë, i njëjti vazhdon të bëjë analizë – duke marrë sërish e qartësisht anë partiake.

Ndërlidhja e ngushtë e RTV Dukagjini me “Lëvizjen Vetëvendosje!” shpërfaqet në secilën natë nëpërmjet të ashtuquajturave sondazhe online, që sërish, ndonëse s’kanë asnjë saktësi, asnjë profesionalizëm e së këndejmi asnjë vlerë për të ndërtuar opinion, paraqiten si fakte mbi të cilat ndërtohet lajmi. Ky prezantim sistematik dëshmon jo vetëm joprofesionalizmin e një medium në vend, por edhe keqpërdorimin e hapësirës publike në kohë fushate e para saj.

LDK fton qytetarët të mos bien në kurthin propagandistik të tv Dukagjini dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

LDK nuk synon të ndërhyjë në pavarësinë redaktoriale të mediave, por as nuk toleron fushatën fake neës ndaj saj. Prandaj paralajmëron se në qoftëse tv Dukagjini vazhdon me propagandë të tillë, që duket sheshazi se ka për qëllim të ndikojë dhe orientojë votat e qytetarëve për një parti të caktuar, LDK do ta rikonsiderojë bashkëpunimin me tv Dukagjini, në mënyrë që mos të bëhemi pjesë e abuzimit informativ me pasoja për votuesit tanë dhe për qytetarët e Kosovës