Kryeministri Albin Kurti, ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Vendimin e ka marrë pas kërkesës së SHBA-së.

Kurti ka falënderuar ambasadorin Hovenier për përkushtimin ndaj procesit të dialogut.

Ju pëlqen!

“Unë e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orë të fillimit të gjobitjes për targa ilegale ‘KM’ (dhe tjera). Jam i lumtur të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje 48-orëshe të vendimit për shqiptimin e gjobave, për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Pas kësaj, Kurti ka thënë se është i gatshëm të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur zgjidhje në dy ditët e ardhshme.

Ndryshe, gjatë takimit të së hënës në Bruksel, Kosova ka propozuar që të pezullojë fazat e mëtutjeshme që kanë të bëjë me targat, në këmbim që Serbia më të mos lëshojë targa ilegale me akronime të qyteteve të Kosovës.

E po ashtu BE-ja të fillojë procesin e bisedimeve për propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania dhe Franca.

Por Bashkimi Evropian e ka hedhur poshtë duke kërkuar që Kosova të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM.

Propozimi i BE-së është refuzuar nga Kurti, ndërsa është përkrahur nga Vuçiq.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!