Deputetët japonezë u përgatitën për raste të emergjencës në parlament këtë javë, duke vendosur helmeta të palosshme në kokë. Ky ushtrim ishte pjesë e një stërvitjeje në rast të tërmeteve, e drejtuar nga kryetari i parlamentit Tadamori Oshima,  i cili i tha deputetëve që të vendosin helmetat e bardha dhe të qëndrojnë të qetë në rast të emergjencës.

“Nëse diçka ndodh gjatë sesionit parlamentar, vendosni këto helmeta dhe përgatituni të veproni në mënyrë të qetë”, tha kryetari i parlamentit.  Tërmetet e shpeshta janë kthyer në diçka të zakontë për Japoninë.  Në vitin 2011, një tërmet katastrofik me magnitudë 9.1 shkaktoi një tsunami që shkatërroi një pjesë të madhe të bregdetit Verilindor të Japonisë, ç’ka solli dhe aksidentin bërthamor në Fukushima. Thuajse 18,000 persona mbetën viktima apo u klasifikuan si të humbur pas kësaj katastrofe.