Zëdhënësi i Parlamentit Evropian, Ojamo Janne thotë se nesër në seancën plenare të PE-së do të jetë miratimi përfundimtar për liberalizimin e vizave të Kosovës.

Ojamo Janne shtoi se ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14:45.

“Miratimi përfundimtar i Kuvendit do të shpallet nesër, e martë 18/4, në seancën plenare (duke filluar rreth orës 12:00 CEST). Votimi nuk është i nevojshëm në këtë fazë dhe ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14.45”, tha ai.

Janne shtoi se do të ketë edhe deklaratë për shtyp për më shumë detaje rreth kësaj procedure.

“Ne do të dërgojmë gjithashtu një deklaratë për shtyp nesër, me informacionin e një konference për shtyp të mërkurën pasdite që mund ta ndiqni edhe nga distanca”, shtoi ai.

Kujtojmë se, që nga viti 2018, Komisioni Europian pati deklaruar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, në Kosovë ishin hapur edhe shishet e shampanjës dhe pushteti ngrinte edhe dolli, megjithatë procesi nuk u çua më tej në hallkat tjera të BE-së.

Për këtë arsye, ndër vitesh ka pasë zhgënjim te qytetarët, por me hapat aktualë të Qeverisë së Kosovës kundër korrupsionit, BE-ja më në fund po e konkretizon liberalizimin e vizave per qytetarët e Kosovës.

Kujtojmë se ditë më parë, blloku njoftoi se e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse ky sistem nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, heqja e vizave për kosovarët bëhet realitet më 1 janar 2024.

Si funksionon ETIAS?

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.

Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën.

Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen.