Dhoma e Ulët vendosi të shtunën shtyrjen e votimit të marrëveshjes që kryeministri, Boris Johnson arriti të enjten në samitin e BE. 322 deputetë dhanë votën për kërkesën e deputetit, Oliver Letwin, që detyron kryeministrin të kërkojë një shtyrje të re deri më 31 janar. 306 votuan kundër.
Parlamenti do të votojë për marrëveshjen, vetëm kur të jetë miratuar e gjithë paketa ligjore e paraparë për daljen nga BE. Boris Johnson kundërshton vonesat në Brexit dhe tha se nuk do të kërkojë shtyrjen e tij.
Johnson: Ta lemë pas vetes këtë temë të vështirë
„Nuk ka rezultat më të mirë, se ai që kam sjellë nga Brukseli”, u betua kryeministri, Boris Johnson në mbrëmjen e së premtes në intervistë para publikut britanik. Duhet të kujdesemi pas miratimit të marrëveshjes për gjëra të tjera dhe ta lemë pas vetes këtë temë të vështirë. Me këtë argument, Johnson përpiqet të bëjë për vete opinionin në Britaninë e Madhe. E sipas sondazheve ai ka prekur me këtë nervin e shumë britanikëve.
Por shumica e deputetëve në Dhomën e Ulët e dinë, se pas Brexit fillon puna e vërtetë në negociatat me BE. Opozita laburiste, partia skoceze, SNP dhe liberalët do të votojnë kundër marrëveshjes. Boris Johnson, që marrëdhënien e ardhshme të BE e sheh të reduktuar në një minimum afrimiteti, planifikon një konkurrencë negative për të drejtat e punëtorëve, mjedisin apo konsumatorët, thonë ata. Partia irlandezoveriore, DUP është e zemëruar, sepse Johnson ka sakrifikuar një gjë të shenjtë, unitetin e Britanisë së Madhe, prandaj edhe kjo parti do t’i thotë jo marrëveshjes.
Boris Johnson i ka 260 vota të konservatorëve besnikë, por atij i nevojiten 320 vota për të arritur shumicën. Nëse do të fitojë, atëherë duhet që ai të bëjë për vete 20 deputetët e Tory-t, që i ka përjashtuar nga partia. Shumë prej tyre e kanë pohuar mbështetjen për këtë „deal” të ri, të tjerë si ish-ministri i Financave, Philip Hammond duan të votojnë, vetëm, nëse Johnson jep garanci të tjera, se ai nuk do të realizojë një Brexit të ashpër nga dera e pasme.
Kërcënon vërtet një Brexit i ashpër nga dera e pasme?
Kjo pyetje hap një front të ri përplasjeje mes përkrahësve Brexitit të ashpër dhe konservatorëve të moderuar. Një nga përkrahësit e vijës së ashpër, John Baron, tha në një intervistë televizive, se ai ka marrë mbështetje nga ministra, se qeveria do ta lerë me një Brexit të ashpër fazën e tranzicionit në fund të vitit 2020, nëse nuk është arritur deri atëherë një marrëveshje tregtare. Por nga përvoja, duket e pamundur, që të arrihet.