Bill Allison

Presidenti Joe Biden përfitoi nga një sasi rekord donacionesh nga donatorë anonimë për grupe të jashtme që e mbështesnin, si rezultat, publiku nuk do të ketë kurrë një pasqyrë të plotë se kush e ndihmoi të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

Fushata fituese e Biden u mbështet nga 145 milionë dollarë, të ashtuquajtura donacione parash të errëta, një lloj i mbledhjes së fondeve që demokratët e kanë kritikuar për vite me radhë. Këto rryma fondesh e çuan totalin e Bidenit me 1.5 miliard dollarë, në vetvete një rekord për një sfidues të një presidenti në detyrë.

Kjo shumë parash të errëta është shumëfish i 28.4 milionë dollarëve, të shpenzuar për llogari të rivalit të tij, ish-Presidentit Donald Trump. Dhe thyen rekordin e mëparshëm prej 113 milionë dollarësh donacione anonime që mbështesin kandidatin republikan për president, Mitt Romney, në 2012.

Demokratët kanë thënë se duan t’i ndalojnë paratë e errëta si korruptuese në mënyrë unike, pasi kjo u lejon mbështetësve të mbështesin në heshtje një kandidat pa kontroll. Megjithatë, në përpjekjen e tyre për të mposhtur Trump në vitin 2020, ata e përqafuan këtë taktikë.

Për shembull, Fondi i Prioriteteve USA, komiteti super politik i veprimit që Biden caktoi si mjetin e tij të preferuar për shpenzimet e jashtme, përdori 26 milionë dollarë donacione, të cilat iu dhuruan fillimisht krahut të tij jofitimprurës, të quajtur Priorities USA, për të mbështetur Biden. Donatorët e atyre parave nuk kanë pse të zbulohen.

Guy Cecil, drejtues i Fondit të Prioriteteve, nuk u shfajësua aspak. “Ne nuk do të çarmatoseshim në mënyrë të njëanshme kundër Trump dhe forcave të djathta që e mbështetën atë”, tha ai në një deklaratë.

Ligjet financiare të fushatës, në teori, supozohet se kufizojnë ndikimin që sasi të mëdha parash kanë mbi politikanët. Por sistemi ka boshllëqe, të cilat grupet që mbështesin Biden dhe kandidatë të tjerë, i kanë shfrytëzuar.

“Ai përfitoi nga kjo”, thotë Larry Noble, ish-këshilltar i përgjithshëm në Komisionin Federal të Zgjedhjeve.

Një zëdhënës i Biden nuk iu përgjigj pyetjeve të Bloomberg.

Fushata e tij bëri thirrje për ndalimin e disa organizatave jofitimprurëse, të cilat mund të shpenzonin para për të ndikuar në zgjedhje dhe kërkuan që çdo organizatë që shpenzon më shumë se 10 000 dollarë për të ndikuar në zgjedhje të regjistrohej në FEC dhe për të zbuluar donatorët e saj.

Paraja e errët nuk është burimi më i madh i parave cash për fushatat. Donatorët e pasur mund të formosin çeqe me tetë shifra për super-PAC, thekson Noble. Komitetet e përbashkëta për mbledhjen e për fushata dhe parti mund të sjellin shumë që shkojnë deri në 830 500$.

Në shtator, Michael Bloomberg tha se do të shpenzonte 100 milionë dollarë për të ndihmuar Biden në Florida, duke lejuar demokratët të kalonin para në shtetet e tjera që duheshin fituar. Biden humbi Floridan por mori pesë shtete që Trump i fitoi në 2016.

Donatorët që dëshirojnë të mbeten anonimë mund t’u japin para organizatave jofitimprurëse politike, si Defending Democracy Together, e cila shpenzoi 15,6 milionë dollarë duke mbështetur Biden dhe nuk i kërkohet të zbulojë kontribuesit e saj para FEC. Donatorët gjithashtu mund të japin para për një organizatë jofitimprurëse që nga ana tjetër i jep paratë për një super-PAC, siç bënë Prioritetet USA. Kandidatët dhe fushatat e tyre nuk mund t’i koordinojnë shpenzimet me grupe të tilla sipas ligjit federal.

Dhe kjo pamundësi për të zbuluar më shumë i shqetëson grupet e reformës.

Donatorët e mëdhenj – individë ose korporata – të cilët kontribuuan në mënyrë anonime do të kenë të njëjtën qasje te vendimmarrësit si ata të të cilëve iu zbuluan emrat, por pa qenë në dijeni publiku se kush janë apo çfarë ndikimi mund të kenë.

“E gjithë çështja në këto raste është të shmangni publikimin e emrave ndërsa merrni kredi private”, tha Meredith McGehee, drejtor ekzekutiv i Issue One, i cili avokon për uljen e ndikimit të parave në politikë. “Janë para të errëta vetëm për publikun.”

Reklamat në fushën e betejës

Në total, demokratët në këtë cikël zgjedhor përfituan nga 326 milionë dollarë para të errëta, sipas Qendrës për Politikë të Përgjegjshme. Kjo ishte më shumë se dyfishi i 148 milionë dollarëve që mbështesnin grupet republikane. Disa nga grupet demokratike që u mbështetën te paratë e errëta në tërësi ose pjesërisht, shpenzuan shumë në reklamat e hershme që sulmonin Trump në shtetet kritike të betejës si Michigan, Pennsylvania dhe Wisconsin. Grupet filluan të shpenzojnë ndërsa ekipi I fushatës së Biden po luftonte për të mbledhur para për zgjedhjet paraprake.

Future Forward PAC, një super-PAC që shpenzoi 104 milionë dollarë për të mbështetur Biden, mori 46.9 milion dollarë nga bashkëthemeluesi i Facebook Inc., Dustin Moskovitz, 3 milion dollarë nga Twilio Inc., shefi Ekzekutiv, Jeff Laëson, dhe 2.6 milion dollarë nga Eric Schmidt i Alphabet Inc, kompania mëmë e Google. Por burimi i saj më i madh i fondeve ishte organizata jofitimprurëse, simotra e saj, Future Forëard USA Action, e cila kontribuoi me 61 milion dollarë. Emrat e atyre që dhanë 61 milion dollarë nuk do të bëhen të ditur.

Fondi 16-30, një organizatë jofitimprurëse që sponsorizon avokim progresiv, dhuroi një total prej 55 milion dollarësh në ciklin zgjedhor 2020 për super-PAC-et demokratike, duke përfshirë Prioritetet USA dhe Future Forward PAC, tregojnë të dhënat e FEC. Ky total ishte shumë më shumë se 3 milionë dollarë që dha në 2018.

Amy Kurtz, drejtori ekzekutiv i Fondit 16-30, tha se mbledhja e parave për grupin, i cili nuk zbulon emrat e dhuruesve të tij, përfshiu njerëz që më parë u jepnin republikanëve ose nuk ishin marrë me politikë.

Sasia e madhe e parave të errëta që shkuan drejt demokratëve dhe grupeve progresive ka komplikuar përpjekjet e tyre për të reformuar sistemin.

Senatori Sheldon Whitehouse, demokrat në Rhode Island, ka fajësuar paratë e errëta për bindjen e republikanëve për të bllokuar ligjin që adreson ndryshimin e klimës dhe për t’u siguruar që gjykatësit me të njëjtat pikëpamje të emërohen në gjykata.

“Paraja e errët është toksike për demokracinë. Pikë!”, tha Whitehouse në një deklaratë. “Fakti që grupet progresive kanë mësuar të kundërshtojnë duke përdorur taktika të ngjashme, nuk është justifikim për vazhdimin e murtajës së parave të errëta në Amerikë.”

Kurtz thotë se grupi i saj do të preferonte rregulla që eliminonin paratë e errëta.

“Ne kemi lobuar në favor të reformës në sistemin aktual të financimit të fushatës”, tha ajo, duke iu referuar HR 1, një masë e reformës zgjedhore që demokratët kanë propozuar dhe që përfshin zbulimin më rigoroz të donatorëve për organizatat jofitimprurëse politike, “por ne mbetemi njësoj të përkushtuar për të ndjekur ligjet aktuale”.

Edhe Cecil, i cili drejton super-PAC-in që mbështet Biden, tha që grupi e mbështet reformën.

“Ne jemi duke pritur me padurim ditën kur paratë e pakufizuara dhe super-PAC të harrohen”, tha ai.

/ Bloomberg / Përktheu: Gazmira Sokoli