Beograd, Serbi – Me të gjithë sytë te një pushtim i mundshëm i Rusisë ndaj Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin po dërgon zyrtarin e tij të lartë të sigurisë në Ballkan, atje ku Moska është përpjekur të ruajë ndikimin e saj kryesisht përmes aleatit të vetë, Serbisë.


Të hënën, mediat pro-qeveritare të Serbisë thanë se Nikolai Patrushev, sekretari i fuqishëm i Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, do të mbërrijë në Beograd në ditët në vijim për bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Moska nuk ka bërë asnjë njoftim për udhëtimin e Patrushev.

Bisedimet thuhet se do të përqëndrohen mbi pretendimet e Moskës për “mercenarët” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja që sipas saj po dërgohen nga ato shtete të Ballkanit për të luftuar në anën ukrainase kundër rebelëve pro-rusë mes frikës së një sulmi rus.

Zyrtarët nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja i kanë hedhur poshtë këto pretendime, të cilat janë bërë nga ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov javën e kaluar.

Ka informacione se mercenarë janë duke u rekrutuar në Kosovë, Shqipëri e Bosnjë-Hercegovinë për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë dhe për t’i dërguar në vende duke përfshirë Donbasin,” tha Lavrov sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, duke iu referuar territorit të kontrolluar nga rebelët në lindje të Ukrainës. “Tani po e kontrollojmë dyfish atë.”

Vuçiç thirri të hënën një takim të zyrtarëve të lartë të sigurisë së Serbisë, të cilët thuhet se diskutuan gjithashtu raportet e “mercenarëve” nga Ballkani që shkojnë në Ukrainë. Dhjetra luftëtarë serbë kanë luftuar në të kaluarën në Ukrainën lindore, por në anën e rebelëve pro-rusë.

Serbia ka deklaruar zyrtarisht neutralitet në përplasjen Rusi-Ukrainë e cila kërcënon një luftë të madhe në Europë. Megjithatë, media e kontrolluar nga shteti i Serbisë po mbështet drejtpërdrejt Moskën në krizë, duke kryer propagandën ruse pa ngritur asnjë  pyetje.

Edhe pse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar të harmonizojë politikat e saj të jashtme me bllokun 27-vendesh dhe në vend të kësaj ka forcuar lidhjet e saj politike, ekonomike dhe ushtarake me Rusinë dhe Kinën.

Vuçiç, gjithnjë e më autokratik, i cili përballet me zgjedhjet e përgjithshme të 3 prillit, hapi fushatën e tij fundjavën e kaluar duke deklaruar se për sa kohë që ai të jetë në pushtet, Serbia nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO dhe do të mbajë lidhjet e saj të ngushta me Moskën dhe Pekinin.

Duke ilustruar lidhjet në rritje midis dy aleatëve sllavë, Serbia dhe Rusia kanë formuar kohët e fundit një “grup pune” i cili është ngarkuar me luftimin e revoltave popullore të njohura si “revolucione me ngjyra” që zyrtarët e lartë të sigurisë së dy vendeve i përshkruajnë si instrumente të Perëndimit për të destabilizuar “shtetet e lira”.

Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Kremlinin për ndikim “malinj” në Ballkan që ka ndihmuar në nxitjen e një valë nacionalizmi e cila kërcënon të zhbëjë paqen në Bosnje pas luftës së saj të viteve 1992-95, të rindezë konfliktin e armatosur mbi Kosovën që u nda nga Serbia në 2008 dhe të nxisë problemet politike në vendet anëtare të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Moska i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, megjithëse pohon se Bosnja, Serbia dhe Kosova nuk duhet të anëtarësohen kurrë në NATO.

Bosnja është në mes të një krize politike, me ministrat e jashtëm të BE-së që takohen në Bruksel për të diskutuar mënyrat në lehtësimin e tensioneve dhe parandimin e shpërbërjes së mundshme të vendit të ndarë etnikisht. Serbët e Bosnjës, të cilët kanë mbështetjen e Serbisë dhe Rusisë, po kërcënojnë të ndahen nga federata.
_

Llazar Semini kontribuoi në këtë raport nga Tirana, Shqipëri.

Marrë nga: AP