Hasan Zyko Kamberi mbi lakminë si shenjë e dekadencës së një shteti, rendi e shoqërie, ndonjë shekull e gjysmë para se të shkruante Ezra Poundi “Usura”.
Paraja

Mbreti, q’urdhëron dynjanë,
Që ka vënë taraphanë
E i presënë paranë,
Ja di kimenë parasë.
Dhe veziri, q’është veqil,
Zë sikur të bënet’ adil
E mos thotë dot kal-y-kil,
Ja di kimenë parasë.
Sheh Islami, q’ep fetfanë,
Që di qitapëtë ç’thanë,
Nukë kaçirdis paranë,
Ja di kimenë parasë.
Myfti edhe myderizë
Edhe kyrra e vaizë
Kanë ujdisur’ iblizë,
Ja di kimenë parasë.
Dhe kadiu i mehqemesë,
Që rri sipër sixhadesë,
Edhe shehu i teqesë,
Ja di kimenë parasë …
Dhe pashallarë, bejlerë,
Edhe avamë të tjerë,
Për para apënë krerë,
Ja di kimenë parasë …
Kadiut, t’i rrëfesh paranë,
Ters e vërtit sherianë,
Për para se ç’e shet t’anë,
Ja di kimenë parasë.
Për para janë sarhoshë,
Bënenë bota kodoshë,
Dhe çifçiu që mbjell groshë
Ja di kimenë parasë.
Po s’ka gjë të gjallë
Që të mos ia ketë mallë,
Turli esnaf’ e bakallë,
Ja di kimenë parasë.
Edhe foshnja q’është në djep
Zgjat dorënë, të thotë “nep”,
Ta marrë ta verë në xhep,
Ja di kimenë parasë.
Edhe gala që nukë flet,
Lëshoja një para në dhet,
E merr e shpie në folet,
Ja di kimenë parasë.
Paraja në këtë alem,
Paraja djeg pleq edhe djem,
E digjenë në xhehenem
Ja di kimenë parasë.