Para Teatrit Kombëtar janë mbajtur homazhe për Leze Qenën, e cila vdiq sot në moshën 85 vjeçare.

Kryeministri Albin Kurti e ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi vlerësuan lart kontributin artistik të Qenës.

“Sot në mëngjes e morëm një lajm mjaft të hidhur, ku vdiq e madhja Leze Qena që për ne është një humbje e madhe, por për ne mbetet një ikonë. Ajo theu të gjitha tabutë, duke u ngjitur në skenën e teatrit. Për në është dhimbje e madhe, dhe e ngushëlloj komunitetin artistik. E dini se po ballafaqohemi me koronavirusit dhe masat e ndërmarra nga Qeveria nuk na lejojnë që të ndërmarrim diçka”, tha Dumoshi, pas homazheve te Teatri Kombëtar.

Ndoshta ju pëlqen!

Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se varrimi i saj do të bëhet nesër në ora 17:00 në Dragodan, transmeton KOHA.

“Sigurisht se do të organizojmë diçka. Leze Qena ka merituar një përcjellje dinjitoze, ashtu siç na ka dhuruar dashuri me humorin e saj që na ka mbajtur shpirtërisht. Pasi që të kalojë kjo situatë me koronavirusin do të organizohemi dhe do të mbajmë një mbledhje komemorative”, ka thënë ajo.

Kurse kryeministri Kurti ka shkruar në Facebook se, “dëshiroj të ngushëlloj familjen dhe dashamirësit e aktores së shquar të Kosovës, Leze Qenës, për humbjen e madhe. Sot në orët e mëngjesit aktorja e dashur për publikun tonë, zonja Leze Qena, ndërroi jetë. Ajo gjatë jetës së saj ka patur një repertor të gjerë teatror, dhe ka luajtur shumë role në kinema e televizion”.

Ai thotë se kur artistët vdesin pikëllohen të gjithë.

“Një jetë kushtuar artit, është një jetë kushtuar publikut. Kur artistët vdesin, pikëllohemi të gjithë. Por dashurinë dhe respektin artistëve duhet t’ua japim gjatë kohës që janë gjallë, sidomos ne politikanët. I bashkohem përkujtimit të zonjës Leze Qena, i cili në kushtet e pandemisë, fatkeqësisht do të duhet të zhvillohet nga shtëpitë e banesat tona”, ka shkruar Kurti.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!