Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua me presidentin francez Emmanuel Macron përpara presidencës gjashtëmujore të Gjermanisë të Bashkimit Evropian, kur blloku përballet me sfidën e madhe të përpjekjes për të rikthyer ekonominë në rrugën e duhur dhe për të hapur kufijtë pa nisur një valë e dytë e koronavirusit.

Merkel tha në fundjavë se ishte e bindur që Evropa mund të kapërcejë sfidat, edhe pse koronavirusi ende paraqet një kërcënim, dhe se është e nevojshme të miratohen masa për rimëkëmbjen ekonomike të BE sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në maj, Merkel dhe Macron propozuan krijimin e një fondi të njëhershëm të rimëkëmbjes prej 500 miliardë eurosh përmes mekanizmit për bashkimin e borxhit evropian, transmeton KosovaPress.

Propozimi u zgjerua nga Komisioni Evropian, i cili propozoi krijimin e një fondi prej 750 miliardë eurosh, nga të cilat 500 miliardë do të shpenzoheshin për grante, dhe 250 miliardë për kredi.

Sidoqoftë, ajo përballet me rezistencë nga disa vende që kundërshtojnë grantin.

Ky plan do të jetë përsëri në agjendën e samitit evropian më 17 dhe 18 korrik në Bruksel.

Përveç planeve të ardhshme për presidencën gjermane të BE-së, të dy udhëheqësit pritet të diskutojnë shumë çështje të tjera, përfshirë marrëdhëniet me Kinën, Shtetet e Bashkuara, si dhe politikën e migracionit.

Merkel mirëpriti presidentin francez në Pallatin Meseberg, rezidencën zyrtare të qeverisë gjermane, rreth 70 kilometra larg Berlinit, dhe pas bisedimeve, do të organizohet një konferencë për shtyp dhe një darkë pune.