Qendra e Kërkimit Bërthamor Negev e Izraelit, e cila sipas raportimeve të huaja strehon programin e padeklaruar të armëve atomike të vendit, i është nënshtruar atij që konsiderohet projekti i tij më i madh i ndërtimit në dekada.

Fotot satelitore të analizuara nga Associated Press tregojnë një gërmim në madhësinë e një fushe futbolli dhe me gjasë disa kate e thellë, i cili ndodhet vetëm pak metra nga reaktori i vjetër në Qendrën e Kërkimit Bërthamor “Shimon Peres” Negev pranë qytetit të Dimonas, raporton IsraelHayom.

Në këtë objekt ka laboratorë nëntokësorë, ku prej dekadash riprocesohen shufrat e dëmtuara të reaktorit, për të nxjerrë plutonium për programin bërthamor që prtendohet se ka Izraeli.

Ju pëlqen!

Ky i fundit ka ndjekur gjithmonë një politikë ambigue lidhur me armët bërthamore dhe as e ka mohuar dhe as hedhur poshtë punën për to. Izraeli është një nga katër vendet që nuk iu bashkuan kurrë Traktatit të Mospërhapjes, një marrëveshje ndërkombëtare e rëndësishme për të ndaluar përhapjen e armëve bërthamore.

Ndërtimi vjen ndërsa vetë Izraeli vijon të kritikojë ashpër Iranin për programin bërthamor, i cili mbetet nën vëzhgimin e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara. Kjo ka bërë që ekspertët të ripërsërisin thirrjet që Izraeli të deklarojë publikisht detajet e programit të tij.

Me ndihmën e Francës, Izraeli nisi të ndërtonte fshehurazi centralin bërthamor në fund të viteve 1950 në një zonë të zbrazët të shkretëtirës pranë Dimona, një qytet rreth 90 kilometra (55 milje) në jug të Jeruzalemit.

Kjo mendohet se e fut vendin në listën e nëntë vendeve të botës që posedojnë armatim bërthamor. Analistët vlerësojnë se Izraeli ka material për të paktën 80 bomba.

Për dekada, paraqitja e objektit Dimona ka mbetur e njëjtë. Sidoqoftë, javën e kaluar, u vu re se aty po bëhen “ndërtime të reja të rëndësishme”.

Imazhet satelitore të kapura të hënën nga Planet Labs ofrojnë pamjen më të qartë të asaj që po ndodh atje. Në jugperëndim të reaktorit, punëtorët kanë hapur një vrimë rreth 150 metra (165 jardë) të gjatë dhe 60 metra (65 jardë) të gjerë.

Rreth 2 kilometra (1.25 milje) në perëndim të reaktorit ka grumbullime të atyre që duken si baza betoni. Këto të fundit përdoren shpesh për të varrosur mbeturinat bërthamore, kujtojmë këtu ato që u përdorën pas shpërthimit në Çernobil.

Në vitet ‘60, Izraeli i përdori pretendimet e tij rreth Egjiptit për raketat dhe përpjekjet bërthamore për të larguar vëmendjen nga ajo që po bënte vetë në Dimona. Sipas ekspertëve, ka gjasa që të jetë duke bërë të njëjtën gjë me Iranin tani.

“Nëse je Izraeli dhe do të të duhet të ndërmarrësh një projekt të madh ndërtimi në Dimona që do të tërheqë vëmendjen, kjo është ndoshta koha që të bërtasësh më shumë për iranianët”, thotë Jeffrey Lewis, profesor për çështjet e mospërhapjes së armëve në Middlebury.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.