Ekspozita me bazë në hulumtim ‘Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991’ do të jetë pjesë e programit të Bienalit Ndërkombëtar të 39, në Limerick të Irlandës, e kuruar nga Merve Elveren.

Bienali do të mbahet nga 4 shtator deri me 15 nëntor të këtij viti.

Ekspozita ‘Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991’ u hap vitin e kaluar në Pejë ndërsa fokusohet në dokumentimin e periudhës së pajtimit të gjaqeve, ndër periudhat më të ndritura të historisë shqiptare.

Ju pëlqen!

Koncepti kuratorial i ekspozitës Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 vë në qendër praktikat imateriale, dijen e cila është intimisht e lidhur me kujtesën, dhe si e tillë trajton një histori e cila ka lënë fare pak ose aspak objekte materiale, shkruan KultPlus.

Në ballë të ekspozitës janë kujtimet e njerëzve që kanë falur gjakun. Për ata falja ka pasur kuptim të rëndësishëm kulturor. Ata rikthyen nderin duke e rikuptimësuar atë, u ripozicionuan si të barabartë përbrenda bashkësive të tyre, dhe përfundimisht i shkarkuan familjet e tyre nga institucioni i gjakmarrjes, u ndien të lirë.

Kuratore e ekspozitës është Erëmirë Krasniqi.

Pajtimi i Gjaqeve nisi me iniciativën e Anton Çettës, por shpejt u bashkuan studentë e intelektualë të shumtë në Kosovë.

Lëvizja për pajtimin e gjaqeve mori përmasat e një lëvizjeje kombëtare, pasi asnjëherë në historinë e shqiptarëve nuk kishte ndodhur që faljet e gjaqeve të bëheshin në mënyrë aq masive në vende publike.

Bienali në Limerick ka nisur të mbahet në vitin 1977 dhe mbetet si një prej organizimeve artistike më të vjetra në Irlandë, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur si Elizabeth Hatz, Inti Guerrero, Koyo Kouoh, Bassam El Baroni e artistë tjerë.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!