Ballina Blog Faqe 4

Që nga viti 1988, Norvegjia arrin shkallën më të lartë të inflacionit

Norma vjetore e inflacionit të Norvegjisë u rrit në 6.8 për qind në korrik, më e larta që nga korriku 1988.

Në qershor, norma e inflacionit në vendin skandinav ishte 6.3 për qind.

Drejtuesit kryesorë të rritjes së inflacionit ishin rritja e çmimeve të ushqimeve, pijeve joalkoolike dhe transportit.

Indeksi i çmimeve të konsumit i rregulluar për ndryshimet e taksave, pa përfshirë energjinë, arriti në 4.5 për qind në muajin korrik, ndërsa në qershor ishte 3.6 për qind.

Në bazë mujore, çmimet e konsumit u rritën me 1.3 për qind në korrik, krahasuar me një rritje prej 0.9 për qind në qershor.

Ju pëlqen!

Futbollisti Pogba: O Zoti im, mbroje popullin e Gazës

Futbollisti i kombëtares së Francës, Paul Pogba ka dërguar mesazh ngushëllimi për familjet e të vrarëve në sulmet e fundit të Izraelit në Gaza, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pogba, i cili së fundmi u transferua në skuadrën italiane, Juventus, dënoi sulmet ndaj Gazës në profilin e tij në rrjetet sociale.

Duke shpërndarë një fotografi të disa prej fëmijëve të vrarë në sulme, Pogba shkroi: “O Zoti im, mbroje popullin e Gazës”.

Ministria palestineze e Shëndetësisë më herët tha se të paktën 43 palestinezë, përfshirë 15 fëmijë dhe 4 gra u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës ndërsa 311 persona u plagosën.

Izraeli të premten nisi një ofensivë ushtarake në Rripin e Gazës duke pretenduar “kërcënim të drejtpërdrejt për sulm” nga grupi i Xhihadit Islamik.

Tensionet në rajon u rritën pasi ushtria izraelite sulmoi qytetin e pushtuar Jenin të Bregut Perëndimor më 1 gusht. Më pas ushtarët izraelitë plagosën dhe më pas arrestuan Bessam Saadi, udhëheqësin e Xhihadit Islamik në Jenin.

Ju pëlqen!

Historia e Fatos Çollakut, një jetë e ndërprerë nga shteti

Vetëvarja e Fatos Çollakut në pemën e shtëpisë së tij në Prrenjas është një nga ato histori, që njeriu tenton ta heqë sa më parë nga kujtesa, me shpresën se i përket një bote tjetër. Ajo botë ku varfëria e detyron njeriun të jetë çdo ditë në kërkim të bukës për të mundur urinë.

Të tillë mund të ketë shumë në Shqipëri, por rasti i Fatos Çollakut ndryshon. Sepse atij goditjen finale ia dha shteti.

Nga dëshmitë që mori gazetari Osman Stafa i Neës 24 në fshatin Rrajcë, kuptohet se Fatos Çollaku nuk vuante nga probleme mendore. As nga ndonjë sëmundje e rëndë që ta penalizonte për të punuar. As nuk ishte goditur nga ndonjë fatkeqësi e rëndë shëndetësore kohët e fundit.

E vetmja gjë që e mundonte ishte varfëria.

Brenda shtëpisë së Fatos Çollakut kishte vetëm një llampë. Një llampë. As frigorifer, as televizor, as lavatriçe dhe asnjë pajisje tjetër. Pavarësisht kësaj, thanë banorët e zonës, energjinë elektrike ia shkëpusnin rregullisht kur nuk e paguante dot.

“Ishte djalë punëtor, pa probleme, që shihte hesapet e tij. Kush e merrte në punë, nuk ishte kurrë i zhgënjyer” tregon një prej miqve të tij.

“Ne me të jemi rritur. E dimë ca njeriu ishte. Nuk merrej as me një pisllik. Kush i thoshte për punë, ai shkonte” tregon kryeplaku i fshatit që mohon kategorikisht hamendësimet për ndonjë sëmundje mendore.

48-vjeçari jetonte bashkë me motrën. Është e vërtetë se merrnin çdo muaj 30 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike. Por shteti këto para, ia kërkonte mbrapsht, me faturën e dritave dhe të ujit.

“Energjia edhe i pritej, edhe i vihej. Nuk ka qenë stabël. Nuk ia presim kësaj familje se vetëm një dritë kishte. As lavatriçe, as televizor. Vetëm një dritë kishte. Si qiri” thotë kryeplaku.

Supozohet që kur një qytetar jeton në kushte ekstreme varfërie, shteti ta ndihmojë në një mënyrë apo tjetër. Por jo. Në rastin e Çollakut, jo vetëm që nuk iu dha ndihmë, por shteti nuk e la të qetë.

Fillimisht duke i kërkuar paratë e energjisë elektrike që harxhonte llampa e tij. Pastaj duke i ndërprerë edhe ujin.

Një prej banoreve të fshatit tregoi se natën para vetëvrasjes, në shtëpinë e Fatos Çollakut nuk kishte drita. Ndërsa ditët e fundit, rrëfeu ajo, Çollakut i prenë edhe ujin.

“Mbrëmë nuk kishte drita. Erdhëm ne këtu. Erdhi burri im, ishim ulur këtu, pa drita. I thashë, ngrihu, të shkojmë të lajmërojmë atë të dritave që kemi këtu, elektriçistin. Të vijë t’i rregullojë. Erdhi ai i lidhi atë RL dhe erdhën dritat. Por dritat i ka pas me shkëputje, edhe i lidhnin edhe ia prisnin, plus që ai ka pas një problem tjetër. Para 10 ditësh i prenë ujin. I hoqën sahatin se thanë që nuk e ka paguar. Aty u mërzit dhe hyri në stres. Erdhi te ne tha “Kush ma ka bërë?”. “Shko të ai i ujit”, i thashë “nuk e ke paguar”. Pavarësisht ai erdhi prap dhe ia lidhi. Por u mërzit nga kjo e ujit” tregoi gruaja që jetonte pranë Fatos Çollakut.

Pamjet e banesës ku jetonte i ndjeri sikur vijnë nga mesjeta. Mure të zinj, që mezi mbahen. Çatia e shembur. Ndërsa në tavan, llampa e munguar.

Një jetë në mjerim, pas së cilës erdhi heqja e dritave dhe ndërprerja e ujit. Dy goditje dhe Fatos Çollaku humb çdo shpresë për të jetuar si njeri. Humb edhe arsyen për të jetuar. Lidh një litar në pemë dhe ashtu të varur e gjejnë në mëngjes./Lapsi.al

Ju pëlqen!

Albin Kurti: Më 1 shtator rifillon zbatimi i vendimeve për targa dhe letërnjoftime, nuk konfiskohen dokumentet serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në 1 shtator do të vazhdojë zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës, për targat dhe atij për dokumente në kufi me Serbinë.

“Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje dalje në pikat kufitare për ata që prezantojnë dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe, nuk do ta pengojë lirinë e lëvizjes. Koha e pritjes për tu pajisur me këtë dokument është 20 sekonda. Ndërkohë që për një masë të njëjtë tash e 11 vjet sa herë që ne udhëtojnë në Serbi duhet të presim ndërmjet 10 dhe mbi 60 minuta. Kam dëgjuar për lajmin e rreme se ID-të dhe dokumentet serbe do të konfiskohen në këmbim të dokumentit për hyrje dalje, kjo nuk është e vërtetë, dokumenti për hyrje dalje është dokument shtesë i cili jepet pa pagesë dhe me të cilin mund të merren edhe shërbime të tjera në institucionet tona shtetërore gjatë qëndrimit në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Kurti ndër të tjera bëri thirrje për kujdes ndaj dezinfomratave pasi siç tha ai, paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare. Ai ka deklaruar se më 1 gusht, për aq sa ishte vendimi në fuqi, në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin lëshuar 2679 dokumente pa asnjë incident .

“Ju bëj thirrje edhe njëherë që të përcillni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë dhe institucionet e tjera bartëse, të verifikoni burimet e lajmeve dhe të mos lejoni të dezinformoheni nga ata që synim mund ta kenë destabilizimin. Fushata jonë e informimit për regjistrimin e tabelave do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit kur edhe do të rifillojnë së zbatuari dy vendimet tona. Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vinë nga poshtë por vendosen nga lart”, tha Kurti.

Vëzhguesit thonë se takimi i radhës ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë do të mund të krijonte një situatë të re që do të shmangte tensionet ndërmjet palëve, të cilat prej 11 vitesh janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve por përparimet janë të pakta./tch

Ju pëlqen!

Kush ishte shqiptari fituesi i parë i Lojrave Olimpike, medaljen e mori me fustanellë

Komiteti Olimpik Shqiptar është krijuar në vitin 1958 dhe Shqipëria ende nuk e ka një medalje olimpike.

Shumë shqiptarë kanë fituar medalje nën flamujtë e Jugosllavisë, Greqisë, Italisë, Gjermanisë e së fundmi të Kosovës. Mirëpo, a e dinit se, në vitin 1896 kur Lojrat Olimpike moderne nisën, ishte maratonomaku Spiros Louis, arbëror i Greqisë, që nën flamurin e të fundit u konsiderua fituesi i parë i Lojrave Olimpike?

Pas 2 orë, 58 minuta e 50 sekonda nga nisja në Maratonë, ai mbërriti në Athinë duke përshkuar 42 kilometra e 125 metra. Medaljen e mori i veshur me fustanellën tradicionale të Toskërisë, variacion i së cilës ishte edhe veshja e arbërorëve të Atikës, duke respektuar rrënjët tradicionale të tij.

Në këtë foto të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ai shfaqet me fustanellë.

Ju pëlqen!

Ekspertët paralajmërojnë: Thatësira në Europë mund të jetë më e keqja në 500 vitet e fundit dhe do të përkeqësohet!

Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Europian (KE-JRC) ka paralajmëruar se thatësira aktuale mund të jetë më e keqja në 500 vitet e fundit. Dhe ka parashikuar që thatësira e madhe do të përkeqësohet në Europë, duke arritur potencialisht 47% të kontinentit.

Parashikimet u njoftuan nga studiuesi i lartë Andrea Toreti në një konferencë për shtyp në internet i cili u shpreh se ‘Nuk e kemi analizuar plotësisht ngjarjen (thatësirën e këtij viti), sepse është ende në vazhdim, por në bazë të përvojës time mendoj se kjo është ndoshta edhe më ekstreme se viti 2018’.

“Thjesht për t’ju dhënë një ide se thatësira e vitit 2018 ishte aq ekstreme sa, duke parë të paktën 500 vitet e fundit, nuk kishte ngjarje të tjera të ngjashme me thatësirën e 2018, por këtë vit mendoj se është vërtet më keq se 2018.” Sipas Toretit, ajo që po shkakton shqetësim është se “duke parë tre muajt e ardhshëm, ne shohim ende një rrezik shumë të lartë të kushteve të thata në Europën Perëndimore dhe Qendrore, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar”.

Toreti tha se zonat e prekura nga thatësira dhe mungesa e ujit do të shtohen dhe se nëse nuk merren masa zbutëse efektive “ky intensitet dhe frekuencë do të rritet në mënyrë dramatike në Europë, si në veri ashtu edhe në jug”. Italia në veçanti lumi Po është ndër më të prekurit, si dhe Franca jugore dhe zona të mëdha të Spanjës dhe Portugalisë.

Franca është në mes të valës së saj të katërt të të nxehtit të vitit: qeveria thotë se temperaturat në rritje dhe mungesa e shiut po shkaktojnë thatësirën e saj më të keqe në histori. Meteo France thotë se vala e të nxehtit që filloi në jug pritet të përhapet në të gjithë vendin dhe të zgjasë deri në fundjavë.

Edhe në Britaninë e Madhe, e cila nuk njihet për verat e saj të nxehta, një paralajmërim katër-ditor i nxehtësisë ekstreme prej më shumë se 35 gradë Celsius është lëshuar edhe një herë për Anglinë jugore dhe qendrore, duke filluar të enjten në mbrëmje. Me disa rezervuarë që regjistrojnë nivele të ulëta të ujit, ndalimet e ujitjeve po shtrihen në të gjithë vendin dhe Uellsin.

Edel Strazimiri

Ju pëlqen!

Krimeja mund të jetë poshtërimi më i madh për Putinin!

Shpërthimet masive në një aeroport ushtarak rus në Krime u pritën me gëzim në Ukrainë dhe tronditje në Moskë.

Autoritetet ruse hodhën poshtë me shpejtësi zërat për një sulm raketor ukrainas, duke fajësuar për shkatërrimin e municioneve që shpërthyen në bazë.

Ndërsa zyrtarët ukrainas nuk e morën drejtpërdrejt përgjegjësinë, një ndihmës i lartë i presidentit Volodymyr Zelenskiy e quajti shpërthimin e djeshëm “vetëm fillimi”.

Krimea është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe simbolike si për Zelenskiy ashtu edhe për presidentin rus Vladimir Putin.

Aneksimi i tij në vitin 2014 i gadishullit të Detit të Zi nga Ukraina e rriti popullaritetin e Putinit me rusët në mënyrë të frikshme. Ai e deklaron vazhdimisht Krimenë një pjesë të pandashme të Rusisë, edhe pse komuniteti ndërkombëtar e kundërshton këtë.

Me turistë e tronditur që shihen në mediat sociale duke parë shpërthimet nga një plazh aty pranë, Putin tani rrezikon të konsiderohet në ‘shtëpi’ si i paaftë për të mbrojtur rusët nga një luftë që ai filloi nëse zbulohet se Ukraina sulmoi aeroportin.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës “filloi me Krimenë dhe duhet të përfundojë me Krimenë – me çlirimin e saj”, tha Zelenskiy në fjalimin e tij të natës me video drejtuar kombit të tij. “Ne kurrë nuk do të heqim dorë.”

Ukraina mori armë të fuqishme duke përfshirë artileri me rreze të gjatë, siç janë sistemet HIMARS të furnizuara nga SHBA, të cilat kanë rezultuar efektive duke pranuar se nuk do të godiste brenda Rusisë.

Ajo që është e paqartë është se si mbështetësit e Kievit do ta konsideronin përdorimin e tyre në Krime.

Ndërsa ata mbështesin ambicien e Zelenskiy në parim, SHBA dhe aleatët e saj evropianë përballen me pyetje të vështira rreth asaj se sa larg do të shkonin në praktikë kundër një Rusie të armatosur me armë bërthamore.

Për Ukrainën, një urë e madhe rrugore dhe hekurudhore që lidh Krimenë me Rusinë përmes ngushticës së Kerçit paraqet një objektiv të qartë për përpjekjet e saj ushtarake për të shkëputur linjat e furnizimit në një pikë të rëndësishme për forcat e Kremlinit.

Për Putinin, i cili e quajti ndërtimin e urës një “mision historik”, çdo sulm i tillë ka të ngjarë të përfaqësojë një poshtërim të patolerueshëm.

Burimi: Bloomberg

Përktheu dhe përshtati: Konica

Ju pëlqen!

Xhelsa Salana: Mijëra njerëz marrin pjesë në kongresin më të madh islamik në Mbretërinë e Bashkuar në fermën Alton

gusht 2022

Rreth 30,000 njerëz pritej të merrnin pjesë në eventin në fermën Hampshire

Mijëra myslimanë kanë marrë pjesë në kongresin më të madh vjetor islamik të vendit në një fermë në Hampshire.

Rreth 30,000 njerëz pritej të bashkoheshin në Xhelsa Salana [Tubimin Vjetor] në fermën Oaklands në Alton nga e premtja deri të dielën.

Myslimanët ahmedianë morën pjesë për “lutje, diskutim dhe përtëritje shpirtërore”, thanë organizatorët.

Në këtë kongres mori pjesë Shkëlqesia e Tij Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Xhematit Musliman Ahmedia.

Në vitin 2020 nuk u mbajt për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe u zhvillua në një shkallë shumë më të vogël më 2021.[1]

Organizatorët shpresojnë se do të arrijë nivelet e pjesëmarrjes vitin e ardhshëm sikurse para pandemisë – me rreth 45,000 pjesëmarrës.

Organizatorët thanë se 100 tenxhere me dal po gatuanin në të njëjtën kohë
për të ushqyer të pranishmit, së bashku me makaronat dhe orizin.

Motoja e këtij kongresi është: “dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd”

Eventi është mbajtur në fermën Oaklands në Alton, Hampshire

Burimi: https://www.bbc.co.uk/news/uk-england-hampshire-62455805.amp

[1] https://www.bbc.com/news/uk-england-hampshire-58127967

Ju pëlqen!

Vrau veten jo për faj të dritave

Dje në media qarkulloi lajmi i vetëvrasjes me varje I një shtetasi në Përrenjas. U tha se personi kishte  vrarë veten për shkak se nuk kishte paguar detyrimet ndaj OShEE-së.
Befas, sapo një njeri ka humbur jetën vlera e saj si e tillë ka humbur për t’i lënë vendin lajmit kryesor: gjetjes së fajit dhe autorit.

Në këtë rast çështja është zgjidhur sa hap e mbyll sytë. OShEE ka reaguar direkt duke sqaruar se a ka sqaruar në vend situatën duke konfirmuar se personit në fjalë nuk I janë prerë dritat. Thotë OShEE: 

OSHEE informon opinionin publik se shtetasit F.Ç., i cili është përmendur sot në një konferencë për shtyp nga forcat politike opozitare si i vetëvarur për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, në të vërtetë nuk i ështē prerë energjia në asnjë moment. Banesa e shtetasit në fjalë furnizohej dhe vazhdon të furnizohet me energji elektrike.

Duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit F.Ç. me keqardhje vërejmë një përdorim politik abuziv në lidhjen midis OSHEE dhe një rasti fatkeqësie personale.
Megjithë vështitësitē e krijuara në kushtet e një krize të rëndë ndërkombëtare, OSHEE vijon të sigurojë shërbim cilësor për të gjithë qytetatët, duke ju ardhur në ndihmë përmes paketave sociale edhe familjeve në vështirësi ekonomike.

Nuk mund të jetë më e vërtetë se kaq, mirëpo këtu është çështja. Çdo gjë ka funksionuar, personi ka vrarë veten për hesap të vet, në ndriçim 24 orë. Madje nga njoftimi të krijohet ideja se OShEE nuk do i hiqte dritat edhe sikur ta njoftonin se personi ka vdekur e tashmë dritat nuk i duhen.

Korrektësia gati spitalore e entit vijon me një foto ilustruese nga shtëpia e të ndjerit: një derë druri në mes të errësirës dhe në krye një llambë feksëse që provon pafajësinë e OSHEE-së. Pra personi ka patur lekë të paguajë, ai ka vrarë veten për shkaqe të tjera.
Brenda një logjike cinike ajo llambë aty do ishte mirë të mos ishte sepse ashtu e zvjerdhur në mes të errësirës dëshmon mjerimin në ca anë të Shqipërisë. Atë mjerim që prodhon çdo lloj problemi të imagjinueshëm. Të vjen ndërmend thënia e dikujt që thoshte se njerëzve u ha shumë kohë jeta.

s.zaimi

Ju pëlqen!

Shqiptari nuk do të bëjë vaksinën e COVID për shkak të besimit fetar, përjashtohet nga policia e Nju Jorkut

Marjel Kola po jetonte ëndrrën amerikane. Pasi ndoqi kolegjin në Itali, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria në moshën 22-vjeçare. Ai iu bashkua Departamentit të Policisë së Nju Jorkut në moshën 33-vjeçare. Ai dhe gruaja e tij kanë shtëpinë e tyre në periferi.

Por ëndrra mori fund kur atij iu mohua përjashtimi nga vaksinimi i detyrueshëm për Covid-19 për shkak të fesë dhe përfundimisht u përjashtua nga policia e Nju Jork-ut.

Kola i përket Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë dhe feja e tij e ndalon atë të punojë në “Sabatin Biblik”, që është e premte në perëndim të diellit deri të shtunën në perëndim të diellit.

Që në fillim, NYPD (Departamenti i policisë së Nju Jorkut) pranoi “kushtin” e tij fetar dhe punoi sipas orareve që feja e tij ia lejonte.

Kola punoi si polic në Manhattan për katër vjet e gjysmë duke filluar nga viti 2018 dhe ishte “Polici i muajit” në qershor 2021.

Gjatë trazirave në verën e vitit 2020 (pas vrasjes së George Floyd), të gjithë oficerëve të NYPD-së iu kërkua të punonin shtatë ditë në javë. Kola i tha mbikëqyrësit të tij se nuk ishte në gjendje ta bënte këtë.

Ai i tha togerit se ka Perëndinë të parën dhe më pas vjen puna. Kërkesa e tij përsëri u pranua dhe ai nuk punoi ditën e shtunë.

Në mars 2020, Kola u infektua me Covid-19 dhe ishte pa punë për tre javë.

Gjatë asaj periudhe, Kola, i cili është gjithashtu dhe vegjetarian, përdori ilaçe natyrale. Ai vijoi me dush të nxehtë dhe të ftohtë dhe konsumim të hudhrës për mbrojtje imuniteti. Kola thotë se këto kanë funksionuar.

Kur vaksinimi kundër Covid-19 u bë i detyrueshëm, Kola ishte pjesë e atyre njerëzve që ishin totalisht kundra një vaksine që nuk dihej asgjë për të.

“Unë kam besim te Zoti. Pse duhet të vendos në trupin tim diçka që nuk i besoj?”, tha ai.

Kola aplikoi për një përjashtim “fetar” për të mos bërë vaksinën brenda një jave por iu refuzua. Ai apeloi dhe dorëzoi një letër nga pastori i tij ku thuhej se Kola ka qenë anëtar i kishës që nga viti 2017 dhe ndjek mësimet e Kishës Adventiste.

Kolës iu mohua përsëri, me deklaratën se “dokumentacioni fetar është i pamjaftueshëm” dhe “kundërshtimi për të mos bërë vaksinën bazohet në informacione të rreme të verifikueshme, dezinformata, frikë nga origjina e panjohur e vaksinës ose efekte anësore”.

Ai u përjashtua më 17 qershor dhe ngriti një padi menjëherë më pas.

Kola përfaqësohet nga avokati Jimmy Wagner nga Brooklyn. Përveç çështjes së Kolës, Wagner përfaqëson oficerë të tjerë të NYPD-së të pushuar nga puna.

Kola nuk e di nëse do të jetë fitues kur të ketë ditën në gjyq, ai thjesht e lë gjithçka në dorë të drejtësisë dhe Zotit.

“Është në dorën e sistemit të drejtësisë dhe në dorën e Zotit”, tha ai.

Ju pëlqen!

Lajmet e fundit