Ballina Blog Faqe 3845

Ligji për Pagat hyn në fuqi tek në tetor të këtij viti

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Pagat. Ky projektligj pritet të hyjë në fuqi në tetor të 2019’ës.

“Kjo Qeveri po thotë se i rriti pagat, por tjetra kur të vjen le t’i bëj pagesat, sepse Ligji nuk hyn në fuqi mënjëherë, shih në foto. Ose thënë ndryshe kur të shkojmë në zgjedhje atyre që ju kanë rritë pagat, rritja u del gjatë fushatës”, ka shkruar Bajrami.

Bajrami tutje ka thënë se “të gjithë duhet ta dinë se për sa kohë që blehen vota me buxhet të shtetit, kurrë ky shtet nuk ka me përparu.”

Ju pëlqen!

Kosova mëson kundërshtarët e radhës në kualifikimet për botëror

‘Dardanët’ kanë kaluar tutje me fitoren 5:3 ndaj Andorrës, ndërsa kjo ishte fitorja e dytë pas asaj ndaj Norvegjisë.

Pas këtij suksesi, Kosova ka mësuar edhe kundërshtarët e radhës.

Kundërshtarët e radhës në kualifikimet për Kupën e Botës të Kosovës janë Ukraina, Sllovenia dhe njëra prej kombëtareve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Ndeshjet e para do të luhen në tetor të këtij viti.

Ju pëlqen!

Pjesë e shkëputur nga Vepra 3 e Faik Konicës

“Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim…

Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët…

Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria.”

– Faik Konica, Vepra 3

Ju pëlqen!

Vazhdojnë protestat në Francë

Qindra persona protestuan në Paris të Francës, duke shënuar kështu javën e 12-të me radhë të mbajtjes së protestave anti-qeveritare.

Protesta më të vogla janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Francës, pavarësisht shenjave se lëvizja e protestuesve të njohur si “Xhaketat e Verdha” ka humbur fuqinë, pas rritjes së mbështetjes nga presidentit Emmanuel Macron.

Protestuesit kanë nderuar personat që janë lënduar gjatë protestave të mëhershme dhe kanë denoncuar përdorimin e dhunës nga ana e policisë, të cilët kanë përdorur armë për kontrollin e turmave. Armët për kontrollin e turmave janë të ndaluara në shumë vende evropiane.

Qeveria franceze thotë se rreth 1 mijë policë dhe 1 mijë e 700 protestues janë lënduar që prej se protestat nisën në nëntorin e vitit të kaluar.

Protestat nisën pas pakënaqësive për rritjen e çmimit të karburanteve, por vazhduan edhe për pakënaqësi të tjera ndaj politikave të Qeverisë së Macronit.

Ministria e Brendshme franceze thotë se 80 mijë pjesëtarë të sigurisë janë dërguar në mbarë vendin sot për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Ju pëlqen!

Anthony De Mello , “Zgjimi i inteligjencës”

“As mohimi nuk është zgjidhje e drejtë. Secilën herë kur mohojmë dicka, e mashtrojmë veten. Cka mohojmë? Secilën herë kur mohojmë dicka, mbesim përherë të lidhur me objektin e mohimit. Një prift indian tha: “Sa herë që më vjen ndonjë prostitutë, flet vetëm për Zotin. Më thotë: ‘Jam ngopur me jetën që po e bëjë. Më duhet Zoti. ‘Mirëpo kur më vjen ndonjë prift, ai flet vetëm për seks.”

Me të vërtet kështu është- kur mohoni dicka, mbeteni përherë të lidhur për të. Kur luftoni kundër dikujt, gjithnjë mbeteni të lidhur për të. Gjithnjë derisa luftojmë me dikë, i japim forc atij. I japim forcë të njejtë asaj që shpenzojmë në këtë luftë.

Kjo ka të bëjë madje edhe me komunizmin, kapitalizmin dhe me të gjitha gjërat tjera. Pra, duhet, “pranuar” domenet tuaja sepse, duke luftuar kundër tyre, u jepni forcë. Athua këtë ende askush nuk jua ka thënë? Kur mohojmë dicka, mbesim të lidhur për të. E vetmja dalje është në atë që të mos lejojmë të jemi të mashtruar. Përpiquni ta kuptoni vlerën e drejtë të dickaje dhe nuk do të keni nevojë ta mohoni – thjeshtë, vetëm do t’ju bjerë nga dora.

Natyrisht, nëse nuk e kuptoni këtë që po them, nëse jeni aq të hipnotizuar të mendoni se nuk mund të jeni të lumtur pa disa gjëra, ose disa të tjera, atëherë jeni në kurth. Këtë që po përpiqem ta bëj për ju nuk është ajo që jua ofron e ashtuquajtura mendjemprehtësia – t’ju detyrojë në viktimizim, në mohim nga shumë gjëra. Kjo është tërësisht e kotë. Edhe më tej do të mbeteshit të fjetur.

Ajo që duhet t’ju ndihmojë është të kuptoni, kuptoni, kuptoni. Sikur të kuptonit, menjëherë do t’ju tretej dëshira për objektin konkret nga i cili varet lumturia juaj. Cka do të thotë: Nëse zgjoheni, do t’ju tretet dëshira për këtë objekt.”

Anthony De Mello , “Zgjimi i inteligjencës”

Ju pëlqen!

Prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk iu ulen pagat

Asnjë euro më pak nuk do të marrim prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës pavarësisht se pagat e zyrtarëve të Qeverisë janë zvogëluar.

Propozimi për të mos u prekur pagat e rritura në sistemin e drejtësisë ka ardhur nga Memli Kransiqi i PDK’së. Pro propozimit të tij kanë votuar 48 deputetë, 21 kundër e 7 kanë abstenuar.

Kuvendi ka miratuar amendamentin për uljen e koeficientit për paga për funksionarët me një ndryshim që të mos ulet koeficienti për sistemin gjyqësor.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së ka kërkuar që tek amandamenti për përcaktimin e pagave të Qeverisë, të mos përfshihet gjyqësori.

“Të ruhet situata që ndërlidhet me pagat e gjyqësorit. Propozoj një amandament që neni 27 të mos fshihet por të ndryshohet. Dispozitat e këtij ligji për paga, shtesa shpërblime, nuk zbatohen për funksionarin publik si, Gjyqtarin e Kushtetutës, gjyqtarin, prokurorin, kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Prokurorial deri ën vitin 2022. Po ashtu ata nuk do të përfitojnë asnjë shtesë përveç pagës bazë. Pra të vazhdohet ende niveli aktual i pagave në Kosovë. Besoj që kujtdo që ia rrit pagën e pastaj ia zvogëlon është padrejtësi. Duhet ta kemi gjyqësorin prioritet, sundimi i ligjit duhet të jetë pa ndikime partiake. Nuk ka ndikim financiar e ka konfirmuar edhe Ministri Hamza”, ka thënë ai.

Ju pëlqen!

Pas ShBA-ve edhe Rusia tërhiqet nga Traktati antiraketor. Nis ndërtimi i raketave të reja

Një ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan tërheqjen nga Traktati antiraketor, edhe Rusia ka bërë të njëjtin hap. Mediat raportojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë me dije gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm dhe atë të Mbrojtjes, se tërheqja do të përmbushet brenda gjashtë muajve, duke i dhënë fund një kuadri rregullator të dakordësuar për reduktimin e raketave me rreze të mesme. 

Do japim një përgjigje spektakolare. Partnerët amerikanë kanë njoftuar pezullimin e pjesëmarrjes së tyre në traktat dhe edhe ne do ta pezullojmë,citohet Putin. 

Po kështu presidenti rus ka njoftuar nisjen e punës për ndërtimin e raketave të reja, mes të cilave edhe ato supersonike duke u kërkuar ndërkohë ministrave që të mos bëjnë asnjë lëvizje për negociata me SHBA-të. 

Megjithatë Putin ka saktësuar se Rusi nuk do të dislokojë raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme nëse këtë gjë nuk e bën ShBA. 
Me këtë akt merr fund një periudhë stabilizimi që nisi në vitin 1987 dhe që prish nga ambiciet e ShBA dhe defiçenca e tyre në ushtrimin e strategjisë së mbrojtjes në disa rajone ku forca konvencionale ka hasur në rezistencë të suksesshme.

Ju pëlqen!

Genti s’na tha asgjë të re

Zyra për shtyp e kryeministrit është kujdesur që të nisë fushatën publiçitare për ministrin pa dekretuar të Punëve të Jashtme, Genti Cakaj. Ajo ka përcjellë një njoftim për praninë e  zotit Cakaj në takimin dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate që u mbajt në Bukuresht. Në prononcimin për mikrofonin e qeverisë, Cakaj tha se Shqipëria po lavdërohet, por nëpër rreshta la të kuptohet se dialogu politik do jetë vendimtar për negociatat, kriter që vështirë të plotësohet.

“Kemi diskutuar për ecurinë e procesit të screening, me c’rast kemi marrë një notë skajshmërisht pozitive për veprimtarinë e deritashme të institucioneve të Shqipërisë në procesin e përafrimit të legjislacionit dhe në fund po ashtu kemi diskutuar për domosdoshmërinë e thellimit të komunikimit politik për të arritur objektivin e synuar për hapjen e negociatave për anëtarësim në vitin 2019”– deklaroi Cakaj.

Në media qarkulloi edhe një lajm mbi debatin që zoti Cakaj ka bërë me ministrin e Jashtëm serb, Daçic, i cili thuhet se e quajti provokim praninë e dy ministrave të Jashtëm nga Kosova. Por Genti ka kapacitetet e duhura për t’i kthyer përgjigjen që meriton duke i thënë se edhe ai vetë ishte nga Prizreni.

Ju pëlqen!

Moratti: Interi nuk duhet ta shkarkojë Spallettin

Ish-presidenti i Inetrit, Massimo Moratti, ka sugjeruar klubin që të mos e shkarkojë Luciano Spallettin për të nënshkruar me Antonio Conten.

Nerazzurët po vuajnë në këtë fillim të vitit të ri, duke dështuar të shënojnë në dy ndeshje rresht në Serie A dhe më pas duke u eliminuar në Coppa Italia nga Lazio i Strakoshës, Berishës dhe Durmishit.

“Nuk është hera e parë që ne kemi arritur në janar dhe kemi krizë, është relaksim i fokusit dhe mungesë e koncentrimit”.

“Nuk është e lehtë të gjendet arsyeja e vërtetë, por unë pres që kjo të dihet brenad klubit”, deklaroi Moratti për Rai Sport.

Ka pasur spekulime se Spalletti mund të shkarkohet shumë shpejt, me Antonio Conten që është parë në Milano ditëve të fundit.

“Në këtë moment nuk është e lehtë që gjenden trajnerë të mirë në qarkullim, kështu që pse duhet ta ndërrojmë Spallettin”.

“Unë nuk e di ku mund të gjendet tash një strateg që është i talentuar dhe ka ADN-në e Interit. Është Diego Simeone i Atletico Madridit, por conte është po ashtu trajner i mirë. Spalletti ishte i mirë po ashtu, por gjëja e rëndësishme është se trajnerët e mëdhenj arrijnë rezultatet më të mëdha kur janë te Interi”, u shpreh Moratti.

Interi pret Bolognan në duelin e radhës në Serie A.

Ju pëlqen!

Pse po falimenton telekomi i Kosovës?

Ali Mehmeti – Inxhinier telekomunikacioni. Ish – punëtor i PTK-së

Të arrish të zbresësh të hyrat e Telekomit të Kosovës nga 182.5 milionë euro në 70.2 milionë euro, kurse fitimin prej 97.7 milionë euro ta shndërrosh në humbje prej 51 milionë euro, duhet të jesh vërtet talent !

Edhe njëherë, në mënyrë ciklike, po rikthehet tema e shitjes së Postë-Telekomit të Kosovës (PTK). Herrën e fundit, në vitin 2011 ky operacion dështoi (qëllimisht apo jo?) dhe shkaktoi një dënim gjyqësor në dëm të PTK-së prej mbi 8 milion euro. Në atë kohë PTK-ja kishte fitim prej 51.5 milion euro, kurse në vitin 2016 shënoi humbje prej 51.1 milionë euro! Diferenca 102.6 milionë. Për vetëm 5 vjet. Me këtë bilanc financiar, a thua, sa do vlerësohet kjo ndërmarrje, sa mund të shitet dhe kush mund ta blejë? Për të kërkuar alternativat për shmangie të shitjes së ndërmarrjes që do duhej të ishte më fitimprurëse, duhet ta dimë se si arritëm gjer në këtë nivel ?

Në grafikun e parë mund të shihen lëvizjet e të hyrave dhe të fitimit gjatë viteve 2007 – 2017, nga i cili shihet se të hyrat kanë qenë duke u zvogëluar nga viti në vit, me oscilime të vogla. Fitimi po ashtu, nga 97,7 milion euro fitim, në 51,1 milion humbje. Edhe pse tendenca ishte tërë kohën e njëjtë, arsyet në periudhat e ndryshme nuk ishin të njëjta.

Gjatë viteve 2007-2011 të hyrat kanë qenë relativisht të qëndrueshme, por raporti ndërmjet të hyrave dhe fitimit ishte tërë kohën në zbritje. Gjersa në vitin 2007, nga të hyrat e përgjithshme, 53,5% ishte fitim, në vitin 2011 ku raport ra në 31,7%, Pse ndodhi kështu? Mjafton të shikoni grafikun e dytë dhe do shihni se gjatë këtyre viteve të gjitha shpenzimet u ritën, por shpenzimet për pagat e punëtorëve u ritën shumë, nga 31,8 milion në 48,5 milion euro. Telekomi u shfrytëzua për “rahatimin” e familjarëve dhe bashkëpartiakëve, madje edhe të kundërshtarëve, vetëm e vetëm për t’ua mbyllur gojën.

Nga viti 2012 fillon epokë tjetër. Nga PTK-ja u nda Posta, me ç’rast u “hoqën qafe” afër 1000 punëtorë. Ky veprim rezultoi me uljen e shpenzimeve për paga të punëtorëve dhe u stabilizuan rreth shifrës 26 deri 28 milion euro. Por, ky zvogëlim dhe stabilizim i shpenzimeve për paga nuk rezultoi as me rritje as me stabilizim të fitimit. Fitimi vazhdoi të bie edhe më tutje, madje edhe më me shpejtësi, në vend që të ndodh e kundërta, pas ndarjes së Postës! Fitimi prej 44,1 milion euro në vitin 2012 u shndërrua në humbje prej 51 milion euro në vitin 2016. Po ashtu, të hyrat zvogëloheshin me shpejtësi. Nga viti 2012 gjer në vitin 2017 ato shënuan ulje prej 52,47%, respektivisht ranë nga 147,7 milion euro në 70,2 milion.  Pra, mund të nxjerrim një përfundim: Falimentimi i Telekomit të Kosovës nuk ka ardhur si pasojë e numrit të madh, edhe pse të panevojshëm, të punëtorëve (por gjithsesi ka ndikuar në uljen e fitimit). Pse atëherë?

Në të njëjtën periudhë (2012-2017) shpenzimet operacionale ishin relativisht stabile, me oscilime të vogla. Shpenzime që pandërprerë janë rritur gjatë kësaj periudhe janë ”shpenzime tjera”. Për vetëm një vit, nga viti 2014 në vitin 2015 ato u rritën nga 17,6 milion euro në 26 milion. Të njëjtin vit, fitimi prej 18,6 milion euro u shndërrua në humbje prej 8,1 milion! Cilat janë këto “shpenzime tjera”? Kryesisht ato shpenzime që kanë të bëjnë me kontraktorët e jashtëm: pagesa e qirasë, marketingu, dënimet gjyqësore, shpenzimet e udhëtimit, të mjeteve motorike e tjera. Në grafikun e tretë shihet se me çfarë shpejtësie janë rritur shpenzimet e qirasë dhe të marketingut.

Për këtë periudhë dhjetëvjeçare për marketing janë harxhuar 28,8 milion euro, madje edhe në kohën kur PTK ishte i vetmi operator. Për qira, shumë herë të panevojshme, abuzive, apo edhe fiktive, janë shpenzuar 48,8 milion euro. Gërmimi nëpër këto shpenzime do mund të ishte “minierë e arit” për policinë dhe prokurorinë. Megjithatë, goditja përfundimtare erdhi nga dënimet gjyqësore që arritën vlerën prej 42,7 milion euro.

Në fakt, pyetja më e rëndësishme që duhet shtruar është: pse të hyrat e përgjithshme u zvogëluan për 52,47% nga viti 2012 gjer në vitin 2017, kurse për 61,53% nga viti 2007?

Arsyetimi se të ardhurat po zbresin ndër vite për shkak të përdorimit të teknologjive /aplikacioneve të reja (“Viber”, “WhatsApp”, …) nuk qëndron, sepse ato përdorin internetin, kurse interneti nuk është falas. Por, ofrimi i shërbimeve të internetit (qëllimisht ose jo?) është neglizhuar, madje edhe ka degraduar ndër vite. Në vitin 2012 25% të tregut të internetit është furnizuar nga Telekomi i Kosovës, për të rënë në vetëm 14% në vitin 2016, ku përfshihet qasja fikse dhe ajo mobile. Për arsyen e mëparshme edhe numri i abonentëve fiks ka pësuar ulje nga 75.645 në 42.186 abonent (burimi:ARKEP – Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – raporti 2016). Sikur shërbimi i internetit të ishte në nivel të duhur do të tërhiqte pas vetës edhe shërbimet e tjera: telefoninë fikse dhe sidomos shpërndarjen e programeve televizive, të tre këto shërbime që do mund të ofroheshin në paket. Megjithatë, pësimin më të madh ka shënuar telefonia mobile, e cila krijon shumicën e të ardhurave, ndërmjet 81 – 85% (shihe grafikun e parë). Dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Në vitin 2010, PTK e atëhershme nënshkroi një kontratë me Devolli grup për krijimin e një operatori virtual (Z Mobile) me të cilin do të ndante fitimin 78 : 22% në favor të operatorit virtual. Sipas kësaj kontrate të gjithë infrastrukturën do e ofronte PTK, kurse operatori virtual do e bënte shitjen dhe marketingun?! Kjo kontratë mundësoi që në vitin 2012, ky operator të zotëroj 9% të tregut të telefonisë mobile, që përkthyer në numra absolut bën 150.200 abonentë. Në të njëjtën kohë Telekomi i Kosovës kishte 1.068.092 abonentë (burimi: ARKEP) dhe të ardhura nga telefonia mobile 127,4 milion euro (grafiku 1). Pra, i bie që PTK ia fali Z mobile këta 150.200 abonent dhe humbi 14 milion euro vetëm në vitin 2012. Sipas kësaj llogarie, në bazë të shënimeve të qasshme nga raportet e ARKEP dhe raportet financiare të auditorit të pavarur i bie që humbjet e Telekomit të Kosovës nga viti 2012 gjer në 2017 janë 82 milion euro për shkak të kësaj kontrate.

Dhe në vend që kjo kontratë të anulohet menjëherë nga gjyqësori i vendit, si e dëmshme për vendin, ajo zgjatë sot e kësaj dite. Për më tepër, PTK paditet për shkak të shkeljes së ndonjë neni të kësaj kontrate dhe dënohet me rreth 28 milion euro në vitin 2016. Ky vendim ende nuk është ekzekutuar, por në momentin që ekzekutohet Telekomi i Kosovës shkon në falimentim. Pra, humbjet e gjithmbarshme të shkaktuara nga kjo kontratë janë rreth 110 milion euro. Të arrish të zbresësh të hyrat e Telekomit të Kosovës nga 182.5 milion euro në 70.2 milion euro, kurse fitimin prej 97.7 milion euro ta shndërrosh në humbje prej 51 milion euro, duhet të jesh vërtet talent !

Konkluzion:

As punësimet e tepërta dhe të panevojshme, as harxhimet e panevojshme dhe abuzive, as mos investimi në zhvillim dhe modernizim, as aplikacionet “Viber” dhe “WhatsApp” nuk e falimentuan Telekomin e Kosovës. Atë e falimentoi kontrata e dëmshme me operatorin virtual Z mobile, që Telekomit të Kosovës i shkaktoi dëmin prej 110 milion euro. Të shpresojmë se edhe kjo kontratë të bëhet “minierë” për policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin, një ditë kur këto institucione do janë të pavarura, kur do përgjigjen jo vetëm ekzekutuesit por edhe ideatorët, urdhërdhënësit dhe përfituesit e kësaj kontrate !

Ju pëlqen!

Lajmet e fundit