Ballina Blog Faqe 3676

Himn mbi jetën, – Lou Salome

Lou Andreas-Salome ishte shkrimtare e psikologe ruse dhe shumë e dhënë pas filozofisë së Nietzsche-s. Në maj të vitit 1882 Lou dhe Nietzsche u takuan për herë të parë gjatë një udhëtimi në Itali, së bashku edhe me shokun e Nietzsche-s, Paul Ree – njëherit i dashuri i Lou-s.

Por Nietzsche do të dashurohej marrëzisht në Lou-n, edhepse një dashuri e mohuar.

Poezia më poshtë shpalos mjaft mirë shpirtin e Lou Salome-s, të cilin Nietzsche nuk reshti kurrë së dashuruari.

Nietzsche kishte një admirim të veçantë për këtë poezi të Lou Salome-s.

Himn mbi jetën – Lou Salome

Jetë e mistershme,
T’du si miku do mikun –
Edhe kur gëzohem apo qaj me ty
Edhe në lumturi a dhimbje.

T’du me të gjitha të metat tua;
Dhe nëse duhet të më shkatërrosh,
Unë do të çlirohem nga krahët e tu
Siç largohet ai që dënesë nga gjiri i mikut.

Të përqafoj me gjithë forcën time!
Lejo t’më ndezin të gjitha zjarret tua,
Me lë të futem në zjarrin e luftës
Shfaq misterin tënd thellë e më thellë.

Të jetosh dhe të mendosh njëmijë vjet!

Më mbërthe tani në krahët tu:
Nëse nuk keni më shumë lumturi për të më dhënë –
Mirë atëherë – më mjafton dhimbja jote.

Përktheu: Arian Musa & Agon Sinanaj

Ju pëlqen!

“Nuk jemi popull qiellor, as që kemi qenë ndonjëherë”, sportisti i njohur serb: Mjaftë me Kosovën, nuk është e jona

Nikolla Kaliniç, basketbollist i “Fenerbahçe Basketbol” dhe i kombëtares së Serbisë, ka kritikuar ashpër gjendjen në Serbi dhe më së shumti qasjen e politikanëve ndaj Kosovës. Intervista e tij në gazetën “Blic” ka ngjallur reagime të e shumta të qarqeve nacionaliste. Në intervistë Nikolla Kaliniç nuk ka folur vetëm për librat që i pëlqejnë, pasi njuihet edhe si lexuesi i Gabriel García Márquez-it. Ai ka folur sidomos për Kosovën. «Që kur kam lindur, më 1991, ekzistojnë probleme dhe mospajtime rreth Kosovës. Jam i vetëdijshëm se shumëkush do të shtanget tani, por ka ardhur koha që dikush ta thotë publikisht: hajde ta zgjidhim këtë problem, të nxjerrim çfarë mundemi dhe të ecim tutje. Beteja e Kosovës është zhvilluar para 600 vitesh, qe shumë dekada Kosova nuk është territor ‘yni’. Askush nuk jeton nga e kaluara dhe sa më shpejt që pajtohemi me të tashmen dhe ecim tutje, aq më mirë për neve, tha Kaliniç.

Mirëpo, pas kësaj deklarata në shtëpinë e tij në Suboticë, ku jetojnë prindërit e tij, persona të panjohur shkruan me shkronja cirilike një parullë vulgare. Në intervistën për «Blic» Kaliniç hodhi poshtë rrëfimin se serbët janë populli qiellor. Kisha serbe dhe historianët nacionalistë theksojnë se me rënien e tij në Betejën e Kosovës Princi Lazar u përcaktua për një perandori hyjnore, ku do të jetonte një jetë spirituale.

“Nuk jemi popull qiellor, as që kemi qenë ndonjëherë, kemi pasur momente shkëlqimi në të kaluarën, por duhet të pajtohemi se tash jemi një pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës. Kush nuk më beson, le të udhëtojë pak nëpër botë dhe t’u tregojë të huajve se nga vjen – do të tmerrohet. Unë e kam përjetuar. Së fundi u nënshkrua marrëveshja e re për bashkëpunim mes Gjermanisë dhe Francës, e para qe nënshkruar më 1963, domethënë 16 vjet pas gjithë asaj që ndodhi në Luftën e Dytë Botërore. Hej, 16 vjet pas gjithë atyre krimeve, mizorive dhe viktimave ata e kanë kuptuar se duhet të punojnë së bashku dhe shihni se ku janë sot? E ne ende flasim për Betejën e Kosovës”, ka thënë ai./MekuliPress/

Ju pëlqen!

Masakra çnjerëzore e Manastirit, 30 korrik 1837 – Mehmet Pasha, organizatori i masakrës, zhdukë gjurmët e lëvizjes shqiptare kundër sundimit turk në jug

Masakra e Manastirit

Serasqeri i Rumelisë, Mehmet Reshit Pasha, për të zhdukur gjurmët e lëvizjes shqiptare kundër sundimit turk në jug organizoi një masakër çnjerëzore më dt. 30 korrik 1830. Ai thirri në Manastir krerët e Toskërisë kinse për t’ju dhënë rrogat e prapambetura nga lufta greke, ose për t’i nderuar me nishana për shërbimet që i kishin sjellë sulltanit. Në çastin kur po zhvilloheshin ceremonitë ushtarake, një batare pushkësh shtriu përdhe më se 500 vetë nga të ftuarit. Kokat e tyre i dërguan në Stamboll si një fitore e madhe e armëve turke. Duke përfituar nga largimi i ushtrive turke në frontin rus në Shqipëri oxhaqet e feudale dhe derebejtë me repartet e tyre si dhe bandat e hajdutëve kishin gjetur fushë të lirë veprimi. Anarkia në të cilën qe zhytur Shqipëria arriti kulmin në vitet 1828-1829. Repartet e pakta të garnizoneve turke qenë mbyllur brënda kalave dhe mezi i bënin ballë sulmeve që kryenin kundër tyre bandat e armatosura të feudaleve shqiptarë. Funksionarët turq nuk guxonin të vilnin në Shqipëri asnjë taksë.

Më 1829, me mbarimin e luftës ruso-turke, mori fund dhe çështja greke me njohjen e pavarësisë së Greqisë. Porta e Lartë tani ia kushtoi vëmendjen rivendosjes së autoritetit të saj në Shqipëri. Për këtë qëllim, në korrik të vitit 1830, nisi Mehmet Reshit Pashën në krye të një ushtrie të madhe dhe moderne.

Sadriazemi turk kishte një plan të caktuar veprimi. Ai mendonte të çfaroste me dinakëri feudalët e mëdhej dhe derebejtë e pabindur shqiptarë që ishin pengesa kryesore e centralizimlt të pushtetit otoman, dhe pastaj të fillonte ekspeditën për të ndjekur e çfarosur kryengritësit dhe kundështarët që do të shpëtonin nga kurthi i tij dinak, duke vendosur njëkohësisht administratën shtetërore turke.

Pasi arriti në Manastir, ai ftoi, në gusht të vitit 1830 të paraqiteshin këtu të gjithë feudalët dhe derebejtë e Toskërisë, kundërshtarë e të dyshimtë, për të marrë gjoja shpërblimet e prapambetura, dekretet e faljes dhe të drejtat që u takonin. Midis të ftuarve, rreth një mijë veta, qenë edhe Zylyftar Poda, Tafil Buzi Çelo Picari, Zejnel Gjoleka, të cilët, bashkë me disa derebej dhe bejlerë të tjerë, dyshuan ose u informuan për kurthin që ishte kurdisur dhe nuk u paraqitën. Feudalët besnikë të Turqisë nuk u ftuan ose u lajmëruan nga vetë sadriazemi të mos paraqiteshin.

Mehmet Reshit Pasha kishte organizuar për të ftuarit në Manastir një pritje madhështore. Për nder të tyre u zhvillua më 26 gusht 1830, një paradë ushtarake për t’u treguar atyre ushtrinë e re turke të organizuar sipas sistemit evropian. Por ndërsa parakalonin përpara mysafirëve, ushtarët përnjëherësh, sipas udhëzimeve, u ndalën, u kthyen nga tribunat dhe filluan të qëllonin në befasi mbi feudalët dhe derebejtë shqiptarë. Brenda pak minutave u çfarosën kështu me tradhëti më tepër se 500 feudalë e derebej, kokat e të cilëve u dërguan në Stamboll. Në të njëjtën kohë organizoi dhe Emin Pasha, biri i Mehmet Reshit Pashës, në Janinë një kurth të tillë. Por këtu u çfaros vetëm një numër i vogël feudalësh e derebejsh.

Me gjithë organizimin e mirë të planit të sadriazemit mjaft feudalë dhe derebej mundën t’i shpëtonin masakrës. Mehmet Reshit Pasha me këtë masakër mori emrin “shqiptar-vrasësi”.

Ngjarja e Manastirit shkaktoi një pështjellim të madh në Shqipëri. Paniku që u përhap nga shpërthimi i papritur i terrorit ua dha turqve inisiativën për të sulmuar. Feudalët dhe derebejtë shqiptarë që shpëtuan nuk i dorëzuan armët por u detyruan të luftonin për të mbrojtur vehten. Ndjekjet e turqve qenë të shpejta dhe raprezaljet e tyre të pamëshirshme. Gjatë këtyre operacioneve, mjaft feudalë dhe derebej bënë një qëndresë të ashpër. Më në fund shumë prej atyre që shpëtuan u detyruan të fshiheshin nëpër male ose të aratiseshin në Greqi, në Shtatë ishujt e gjetkë. Ushtritë turke e përshkuan anë e mbanë Shqipërinë jugore e qëndrore, duke djegur e rrënuar kudo kalatë dhe sarajet e feudalëve të pabindur e të dyshimtë.

Me këto operacione Porta e Lartë nuk kishte për qëllim të luftonte kundër klasës feudale në tërësi. Ajo synonte të çfaroste vetëm bejlerët dhe derebejtë e pabindur shqiptarë, të cilët nuk pranonin t’i nënshtroheshin disiplinës shtetërore. Qëllimi i qeveritarëve otomanë ishte t’i zevëndësonte sundimtarët vëndas separatistë me funksionarë të bindur turq, për të zbatuar me anën e tyre programin e reformave në interes të Perandorisë Otomane dhe të klasës feudale turke.

Me gjithë suksesin që korri me fushatën e vitit 1830, Porta e Lartë kishte akoma përballë saj feudalin më të fuqishëm të Shqipërise, Mustafa Pashë Bushatlliun. /WP/MekuliPress/

Ju pëlqen!

“Baresha” – Një këngë e Nexhmije Pagarushës që s’përsëritet më (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha, me interpretimet e saj, ka marrë epitetin e “Bilbilit të Kosovës”. Ajo muzikës shqiptare, i ka sjellë një kryevepër që dëgjohet me emocionet e njëjta edhe pas gati një gjysmë dekade që kur është interpretuar për herë të parë

Kënga ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj. Këngë shekullore dhe vështirë e përsëritshme është konsideruar kjo kryevepër e këngëtares.

“Baresha” cilësohet si kënga më e mirë e artistes Pagarusha dhe në të njëjtën kohë kënga më e mirë e realizuar në kulturën e muzikës në Kosovë. Ndërsa edhe më pranë publikut e ka sjellë videoklipi i realizuar në vitin 2012.

Fillimisht ideja për realizimin e klipit të kësaj kënge ka ardhur nga Muzeu Kombëtar si pjesë e prezantimit të trashëgimisë shpirtërore të Kosovës. Videoklipi i kësaj kënge është realizuar në bashkëpunim me Kooperativa dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Zëri hyjnor i këngëtares së madhe, përcillet me pamjet e disa vendeve më të bukura të Kosovës. I gjithë ky bashkë dyzim ia shton edhe më tepër rëndësinë e kësaj këngë për kulturën kosovare. Ndërsa lëvizjet e mahnitshme të balerinave të Baletit Kombëtar të Kosovës, vetëm se e sjellin më afër tregimin e tekstit të kësaj kënge. Me veshje të anës së Rugovës, e me pamje nga atje kjo këngë del më autentike se çdo këngë tjetër.

Duke qenë një këngë që gëzon vlera të larta artistike, atëherë këtij kompozimi artistik mund t’i përgjigjen vetëm artist të mirëfilltë. Këtë e arrin Shkëlzen Doli me violinën e tij. Ju sjellim interpretimin e mahnitshëm të violinistit të njohur, i cili këtë këngë e ka shoqëruar edhe me videoklip.

Kjo vepër ishte interpretuar edhe nga solistja Joana Kaimi, së bashku me Orkestrën Popullore. Ky version është përpunuar për Violinë, orkestër popullore nga Gerti Druga. KultPlus ju sjellë pamje nga ky interpretim.

Krahas instrumenteve të tjera, kjo këngë është interpretuar edhe me anë të kitarës. Një interpretim të tillë e kanë sjellë dy kitaristët Arben Hoxha dhe Vendim Thaqi. KultPlus ju sjellë këtë version nga interpretimi i kitaristëve në Tirana International Guitar Festvali.

Krejt në fund po ju sjellim interpretimin e të madhes Nexhmije Pagarusha. Po ashtu ju përcjellë edhe videoklipin dhe tekstin e kësaj kënge.

Heej kam rrit shtatin
nder këto male
bashk’ me qingja e me dele
dhe bylbyla nder zabele
mbas kumonës lojë e gëzime
si shqiponja ime

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m ‘veshët o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali cka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…

2.
Heej po tingëllojnë
shumë kumona
gurgllon prroi malore
nalt ne qiell bjeshka me bore
n’bjeshk’ dashnija vjen me malle
sot nji fyell u kalle.

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba?
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba?
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…/MekuliPress/

Ju pëlqen!

“Krenaria e dy shteteve”, – urimi i Ambasadorit britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, për këngëtaren shqiptare Dua Lipa

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, e ka uruar këngëtaren shqiptare Dua Lipa për dy çmimet “Grammy” që ajo mori.

O’Conell, në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook, Lipën e ka quajtur “krenaria e dy shteteve”.

Shqiptarja nga Kosova, Dua Lipa, mbrëmë fillimisht ka fituar çmimin prestigjioz “Grammy” në kategorinë për Këngën më të mirë në zhanrin Dance./MekuliPress/

Ju pëlqen!

Kadare: “Në 1887 në Shqipëri ka patur tre mijë shkolla: një mijë e dyqind shkolla turke, po kaq shkolla greke, treqind shkolla bullgare, por edhe shkolla vllahe dhe serbe. Ndërsa shkolla shqipe vetëm një (1)”



Ismail Kadare kohë më parë ka shkruar rreth problematikës në mes Turqisë dhe Shqipërisë, shkruan MekuliPress.

Sipas Kadaresë, në 1887 në Shqipëri ka patur tre mijë shkolla. Nga këto, Kadare rendit një mijë e dyqind shkolla publike e private turke, po kaq shkolla greke, treqind shkolla bullgare, por edhe shkolla vllahe dhe serbe. Ndërsa shkolla shqipe ka patur vetëm një (1) dhe ajo ka qenë shkolla me drejtor Pandeli Sotirin.

Kadare shton se Perandoria Osmane nuk e ka lejuar gjuhën shqipe, shkruan MekuliPress. “Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në ‘perandorinë tolerante’, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet!

Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar”, tha Kadare./MekuliPress/

Ju pëlqen!

Reagimi me plot ndjenja i Dua Lipës kur kuptoi se ka fituar Grammy-n e parë

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa është zyrtarisht fituese e çmimit Grammy!

Ajo fitoi çmimin “Best Dance Recording” për këngën “Electricity” në Grammy Awards 2019, që shënon çmimin e saj të parë të fituar nga Akademia e Regjistrimit.

Për fat të keq, këngëtarja nuk ishte në gjendje ta pranonte çmimin personalisht pasi ishte duke u përgatitur për paraqitjen e saj në Qendrën Staples.

Por ajo ka publikuar një video për fansat e saj në Twitter, ku shfaqet e qeshur dhe e gëzuar për çmimin. Përgjigja e saj “Çfarë F – kkk”

Miqtë dhe familja e saj kanë brohoritur që ylli ka fituar çmimin.

Ju pëlqen!

Faraoni, Edi Rama, ndryshon simbolin kombëtar, nuk ka më shqiponjë kuq e zi

Kushtetuta e Shqipërisë është shumë e qartë kur flet për simbolet kombëtare të vendit, por mesa duket kryeministrit Edi Rama nuk i intereson shumë libri themeltar i shtetit.

Përndryshe nuk mund të shpjegohet ajo që ka ndodhur në Ministrinë e Jashtme, ku drejtues “de jure” është vetë kryeministri.

Zvkryetari i LSI-së Luan Rama ka denoncuar edhe këtë të dielë skandalin që po ndodh në Ministrinë e Jashtme me flamurin kuqezi. Në sajtin zyrtar të Ministrisë rezulton se shqiponja e zezë dykrenare me fushë të kuqe, simbol i shqiptarëve kudo ata ndodhen, është transformuar!

“Skandal: Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, përdor shqiponjë të bardhë në flamurin kombëtar!

E kam denoncuar edhe më parë, e denoncova sërish në Kuvendin e Shqipërisë para deputetëve dhe ministrave të qeverisë, por askush nuk reagoi!

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, përdor shqiponjë të bardhë në flamurin kombëtar!

Akt skandaloz, veprim i turpshëm dhe fyerje e rëndë ndaj simboleve kombëtare, shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e ligjit!”-shkruan Luan Rama, duke e përcjellë këtë shkelje ligjore me foto.

Ju pëlqen!

“Ora e Maleve”, Shkodër, 27 maj 1923. – “Gazetarët e Shumicës le të jenë pra mâ burra të drejtë kundrejt Opozitës e të mos i hedhin faje qi nuk ka.”

Qeveria e opozita
Ka disa kohë qi partia qeveritare, jo aq fort në Parlament po ma tepër me anën e gazetavet të veta, ka nisun t’u hapë nji luftë t’ashpër kritikash të kota e paditjesh të pa themel grupevet t’Opozitës. Mâ e vogla kritikë e mâ e lehta paditje qi u bâhen janë këto : Opozita e bân kundërshtimin për kundërshtim ; Opozita nuk don përparimin e Vêndit e të mirën e popullit, pse me kundërshtimet e veta pengon veprimin e Parlamentit e të Qeverís.

Qëllimi i gazetavet të partìs qeveritare âsht fare në shesh ; me kritikat e paditjet e veta, partia qeveritare jo vetëm kërkon të lajë veten tue i hjedhun fajin Opozitës, po mundohet edhe të ngrejë popullin kundër kësaj tue shpresuem se mund të përfitojë nga mosvaditja e këtij në jetën parlamentare.

Se sa t’i a ketë arrijtun apo mund t’i a arrijë këtij qëllimi partia qeveritare nuk âsht nevojë t’a themi, pse puna flet vetë. Populli i mjerë, qi pëson e vuen, i ka sjellun sŷtë kundrejt Opozitës pse prej kësaj pret mbështetje e ngushllim në të ligat e veta. Në vend qi t’ashprohet e të hidhnohet nga sjellja e Opozitës, populli çuditet për qëndrimin e saj dhe shumë herë përmallohet kur sheh sa mundimet e saj nuk nxjerrin fitimin e shpresuem e të merituem.

Jo me qëllim qi të hyj në polemikë me gazetat qeveritare, por për t’i dhânë popullit nji idè të kjartë mbi gjendjen e vërtetë të Parlamentit t’onë e mbi veprimin e Opozitës, e shoh me udhë t’u drejtoj dy fjalë nga shtyllat e gazetës “Ora e Maleve”, tue u munduem me e mbajtun bisedimin në nji sferë të naltë ashtu si i ka hije një kundërshtari të ndershëm e të drejtë.

Pikë së pari due të hedh poshtë paditjen qi Opozita e bân kundërshtime me qëllim qi me penguem veprimin e Parlamentit e të Qeverìs. Nj paditje e tillë nuk më duket aspak burrnore (loyale) nga ana e gazetavet qeveritare. Drejtori i Popullit të cilin e kemi koleg, e drejtori i Shtypit, i cili na nderon pothuajse për ditë me ardhjen e tij në Parlament nga shkaku i zyrës qi ka, nuk duhej t’a mohojshin pjesën e madhe e gratçore qi merr pakica në veprën legjislative të Parlamentit.

Këtë të drejtë ua ka njohun edhe Shumica pjestarvet të grupevet t’Opozitës, tue zgjedhun prej këtyne gjithë kryetarët e Komisivet Parlamentare, përveç atij të Komisìs së Punvet Botore e të Bujqësìs. Projekt – ligjet e kontratat e paraqituna prej Qeverìs në Parlament, të cilat rrallë herë janë të hartueme si duhet, formulohen nëpër komisì prej pjestarvet të Pakicës, e këta, gati gjithmonë, janë edhe relatorët e tyne në Parlament.

Si mund të thuhet pra se Opozita pengon veprimin e Parlamentit, kurse kjo merr nji pjesë aq aktive tue bashkëpunuem edhe me Qeverìn në hartimin e formulimin e projekt – ligjevet e të kontratavet për konçesione?

Zelli e kujdesi në punë i pjestarvet të grupevet t’Opozitës vete aqë larg sa shumë herë nji koleg i Shumicës tallet me ta tue u thânë : “Na ju kemi vetëm për puntorë qi të na fabrikoni ligjë, të cilët pastaj i vêmë në veprim ashtu si duem vetë!” Po këto tallje nuk u a hjekin guximin e zellin pjestarvet të pakicës, të cilët kryejnë detyrën e vet tue punuem pët të mirën e Shtetit, pa vue rè se cila âsht sot Qeverìa qi e përfaqëson. 

Prapë edhe paditja se Opozita pengon veprimet e Qeverìs âsht fare e pathemel dhe e padrejtë. Deputetët e Pakicës nuk e kanë për zakon të venë nëpër ministrì e zyra qeveritare për t’emnuem e shpërngulun nëpunës e për të kërkuem favoritizma të ndryshëm. Edhe pyetjet e interpelatat, qi i drejtohen Qeverìs prej deputetvet të pakicës, janë fort të rralla, e vetëm n’ato rasa kur shpërdorimet bâhen tepër të rânda e kur heshtja prej anës së tyne mbi to do t’ishte nji tradhëtì e barrës qi u ka ngarkue populli. E ky kursim në pyetje e n’interpelata ka për qëllim qi të mos i humbet koha as Parlamentit as Qeverìs.

Sa për kritikën tjetër, qi i bâhet Opozitës, se ajo nuk âsht e zonja t’organizohet për të marrë Qeverìn në dorë nuk âsht nevojë të flasim, pse kjo i bân mâ tepër nderë se dhunë Opozitës, tue treguem sheshazi se pjestarët e saj nuk kanë ambicion, e se pra nuk bâjnë luftë karrigash, po parimesh e idèsh. Qëllimi i kundërshtimit në Parlament nuk mund të jetë gjithmonë rrëzimi i Qeverìs apo të shtruemit e saj nën vullnet t’Opozitës.

Kjo shumë herë duhet të kënaqet mbas rasavet e rrethanavet, edhe me nji fitim negativ, domethânë, qi të paksojë të këqijat qi nji Qeverì mundet me bâmun. Këtë fitim Opozita e ka arrijtun në nji farë mase, e prova âsht se populli tutet e friksohet gjithsaherë qi merr pushim Parlamenti, pse në tê ka shpresën mâ të madhe për sigurimin e vet.
Gazetarët e Shumicës le të jenë pra mâ burra të drejtë kundrejt Opozitës e të mos i hedhin faje qi nuk ka.

Luigj Gurakuqi

“Ora e Maleve” Shkodër, e Djelë, 27 maj 1923/MekuliPress/

Ju pëlqen!

Studimi: Nëna juaj është fajtorja kryesore nëse ty nuk të ecën me marrëdhëniet e dashurisë

Një studim i bërë kohët e fundit ka dalë në konkluzionin se nëse një grua ka pasur shumë partnerë me të cilët është martuar apo bashkëjetuar, të njëjtat gjurmë do ndjekë dhe vajza e saj.

Pra, në thelb, nëse mamaja juaj ka pasur shumë histori dhe marrëdhënie që nuk zgjatën përgjithmonë, ka të ngjarë që të përjetoni të njëjtën gjë.

Studiuesit mendojnë se kjo është për shkak të të mësuarit (ose mos të mësuarit) të aftësive të marrëdhënieve nga nëna juaj dhe se kjo përcakton se sa të qëndrueshme do të jenë marrëdhëniet tuaja.

Studiuesit dolën në përfundim duke shqyrtuar të dhënat nga anketat kombëtare të të rinjve, të cilat kanë qenë konstante për të paktën 24 vjet. Ata gjurmuan 7,152 njerëz dhe nënat e tyre biologjike në lidhje me martesën, ndarjen, marrëdhëniet e bashkëjetesës dhe ndarjet. U vu re se nëse një fëmijë shkonte në universitet (pra largohej nga shtëpia) ndërsa tjetri jetonte me nënën e tyre duke parë dhe njohur partnerët e të ëmës që vinin e shkonin, ai që qëndronte në shtëpi do të kishte më shumë partnerë më vonë në jetë dhe më shumë probleme në jetën dashurore.

“Fëmijët trashëgojnë dhe mësojnë ato aftësi dhe sjellje. Nuk është vetëm ndarja e prindërve ai që shkakton probleme tek fëmijët dhe modelet e tyre në jetë.

Çfarë tregojnë rezultatet tona është se nënat mund të trashëgojnë karakteristikat e tyre dhe aftësitë e marrëdhënieve me fëmijët e tyre – për më mirë ose më keq qofshin këto ndaj duhet pasur shumë kujdes…” – tha Claire Kamp Dush, autore kryesore e studimit dhe profesore e asociuar e shkencave njerëzore në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

Ju pëlqen!

Lajmet e fundit