Ballina Blog Faqe 3625

Heronjtë norvegjez, Roald Amundsen dhe Fridtjof Nansen.

Nuk ka dyshim se Norvegjia ka një rekord mbresëlënës në eksplorimet polare, duke përfshirë këtu Roald Amundsen dhe Fridtjof Nansen, shkruan MekuliPress.

Për njerëzit me interes në ekspedita polare, për Amundsen dhe Nansen nuk ka nevojë për hyrje të mëtejshme. Këta janë eksploruesit polarë të vetëm të shquar nga Norvegjia.

Roald Amundsen: I pari që arriti në Polin e Jugut

Gjatë një shekulli, intensiteti i hulumtimeve të Antarktikut ishte rritur. Në vitin 1911 u zhvillua një garë dramatike midis Norvegjisë dhe Anglisë për të parë se kush do të ngritë flamurin e parë në Polin e Jugut. Roald Amundsen bëri historinë dhe u bë hero kombëtar në Norvegji kur ai e mundi kapitenin anglez Robert F. Scott në Polin e Jugut.
I shoqëruar nga katër burra të fortë, Amundsen arriti në Polin e Jugut më 14 dhjetor të vitit 1911. Sikur të mos ishte e mjaftueshme kjo arritje, ai ishte gjithashtu njeriu i parë që lundroj në “Passage Northwest” dhe i pari që fluturoj mbi Oqeanin Arktik.

Roald Amundsen dhe momenti historik në polin e jugut


Në anën tjetër zhvillohej një tragjedi: Anglezi Scott ishte i mërzitur ku pa flamurin norvegjez duke u valvitur në polin e jugut. Ai arriti këtu me shumë vonesë, diku rreth një muaj pas Amundsen. Data ishte 17 Janar. Traktorët mekanik, qentë aziatikë dhe kuajtë, të përdorur nga Scott nuk u ishin të përshtatshëm për ambientin e akullt. Si pasojë e gjithë ekspedita e Scott-it vdiq rrugës gjatë kthimit për në shtëpi, dhe vetëm 18 km nga vendi ku gjindej ushqimi dhe strehimi, që do të mund t’i shpëtonte ata.

Duhet nënvizuar në këtë artikull se një numër i madh i vendeve, anijeve dhe njerëzve, sikurse shkrimtari i madh norvegjez, Roald Dahl, janë emëruar sipas Roald Amundsen, shkruan MekuliPress.com

Fridtjof Nansen: Me skija nëpër Grenlandë

Norvegjezi Fridtjof Nansen bëri emër për kalimin e Grenlandës në skija, dhe më pas për përpjekjen e tij heroike për të arritur Polin e Veriut me anijen e famshme, “Fram”.
Sot, megjithatë, ai mbahet mend më shumë se një eksplorues polar. Nansen ishte një shkencëtar, burrë shteti dhe humanitar. Duke përdorur famën e tij për aktivizmin politik, ai kërkoi t’i japë fund bashkimit të Norvegjisë me Suedinë në vitin 1905.

Nansen para anijes “Fram”

Pas Luftës së Parë Botërore, ai punoi pa pushim për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së refugjatëve, një përpjekje për të cilën ai u nderua edhe me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1922, shkruan MekuliPress com.

/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ju pëlqen!

4 sjelljet e përditshme që mund të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve, ku po gabojnë prindërit e sotëm

Prindërimi është detyra më e vështirë e njeriut. Fëmijët influencohen nga gjithçka që i rrethon, bashkëmoshatarët, mësuesit dhe padyshim prindërit e tyre, të cilët kanë rolin kryesor në krijimin e të ardhmes. Asnjë prindër nuk është perfekt, megjithatë, toni i zërit me të cilin u flisni fëmijëve, mënyra si i perifrazoni fjalët ose etiketimet që ju vendosni fëmijëve mund të kenë pasoja afatgjate të padëshirueshme. Psikologu klinik Ma. Lourdes Carandang shpjegon se ka katër sjellje me të cilat mund të ndikoni negativisht në jetën e fëmijës.

#1 Krahasimi i fëmijëve

Sigurisht që i doni fëmijët në mënyrë të barabartë, megjithatë, nëse njëri prej tyre ka arritur diçka më shumë dhe ju keni tendencën ta prezantoni atë para njerëzve si më të kualifikuar, dhe nuk e bënii këtë me fëmijët e tjerë, atëherë kjo mund të ketë ndikim tek këto të fundit. Për shembull, ju mund të thoni: “Kjo është vajza ime inteligjente Sara. Dhe ky është djali më i vogël, Maks”, gjë që nuk duhet. “Ky është një lloj bulizmi shumë delikat. Është fyese për fëmijët e tjerë. Prandaj prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm se si sillen me fëmijët.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

#2 Përdorimi i etiketimeve

Nofkat mund të duken të padëmshme, megjithatë ato mund të lënë mbresa në jetën e fëmijës nëse përdoren shumë shpesh. Mënyra se si një prindër e quan fëmijën mund të ketë dëmtime serioze në vetëbesimin e tij. Dr. Carandang shpjegon se përdorimi i etiketimeve të ndryshme mund të shkaktojë tek fëmija zhvillimin e ndjenjave fyese ndaj prindërve dhe fillojnë të besojë se vërtet është dembel ose budalla.

#3 Të japësh shembuj të bulizmit

Fëmijët nuk i kushtojnë vëmendje vetëm asaj që thoni (shumicën e kohës), por edhe sjelljeve tuaja. Kështu, nëse babai i tyre i flet keq nënës, ata fillojnë të mendojnë se është e drejtë që burri ta trajtojë gruan si inferiore, dhe gratë duhet ta pranojnë këtë. Kjo ndodh sepse fëmijët kanë si model prindërit e tyre.

#4 Favorizimi i një fëmije ndikon në disiplinë

Edhe pse shumë prindër e mohojnë këtë gjë, ka raste kur ato favorizojnë një fëmijë dhe shpesh ato që bëjnë gabime mbeten të ndëshkuar dhe fajin e marrin fëmijët e tjerë. Dr. Carandang sqaron se kur fëmijët argumentojnë, është e rëndësishme të dëgjoni secilin prej tyre në mënyrë objektive, kështu mund të reagoni siç duhet. Nuk duhet të ndëshkohet një fëmijë vetëm se është më i madhi se të tjerët apo se ka më shumë përgjegjësi. Është shumë e rëndësishme që mos të neglizhoni nevojat e tyre emocionale.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ju pëlqen!

Mjaltë gështenje, lulesh apo mjaltë çaji mali; zbuloni cili lloj vret më shumë baktere sesa antiobiotikët

Në varësi të luleve, ndryshon dhe mjalti. Vlerat ushqyese të këtij të fundit njihen prej shekujsh, por vetëm studimet e kohëve të fundit kanë dalë në përfundimin se një lloj i caktuar mjalti është shumë herë më i shëndetshëm se llojet e tjera. Në terrene të ndryshme ku rriten bime e lule po ashtu të ndryshme, gjejmë mjaltë gështenje, sherebele, bliri, por ai Manuka prodhuar në Zelandën e Re, nga nektari i pemës së manuka-s as nuk krahasohet me të tjerët. Ai është i pasur me amionacide, antioksidantë, përbërës me veti antiinflamatore, vitamina B1, B2, B3, B5 dhe B6, kalcium, fosfor, hekur, bakër, natrium, kalium, magnez dhe mangan etj, duke e shndërruar kështu në poduktin çudibërës që duhet të ketë çdo konsumator në regjimin e tij ushqimor.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Mjalti mund të aplikohet si në mënyrë topike (të jashtme) ose ta konsumoni. Mjalti i Manukës në ndryshim nga llojet e tjera ka dhe efektin e ngjashëm me antibiotikët  pasi nektari i luleve të shkurreve manuka në Zelandën e Re është një ilaç i vërtetë.

Përbërësit antibiotike dhe antibakteriale të këtij lloji mjalti, janë studiuar nga shumë ekspertë dhe përfundimet e fundit janë botuar në revistën The Food Chemistry dhe Immunopharmacology and Immunotoxicology! Sipas këtij studimi mjalti manuka përdoret për:
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

1.Qetëson gastritin: Inflamimi i shtresës së brendshme të stomakut, njohur ndryshe si gastriti, është një ndër problemet më shqetësuese tek pothuaj të gjitha moshat. Mjalti është ushqimi i parë që përdoret zakonisht për të trajtuar gastritin, por mjalti Manuka ka ndikim akoma më të madh. 

2.Parandalon dhe riparon dëmet e zorrës së trashë: Manuka ka ndikim në parandalimin e inflamacionit të zorrëve dhe në riparimin e tyre për shkakt të Sëmundjes së Zorrëve të Inflamuara. Ai sulmon inflamacionin dhe mbron dëmtimin strukturor që mund t’u ndodhë zorrëve gjatë inflamacioneve të ndryshme.

3.Forcon imunitetin: Përdorimi i mjaltit Manuka shoqërohet me benefite shëndetësore dhe rritje të rezistencës ndaj sëmundjeve. Testet laboratorike kanë zbuluar që ai përmban substanca që mund të nxisin prodhimin e citokinave. Citokinat janë proteina që angazhohen në imunitetin e organizmit.

4.Të mbron ndaj ftohjeve stinore dhe rrufës: Po të përdorësh mjaltë Manuka gjatë sezonit të virozave, ndihmon për të mos u prekur prej tyre. Një lugë çaji mjaltë Manuka 2-3 herë në ditë mund të ndihmojë t’u dalësh në krye të stinës së virozave, pa dëme për shkak të veprimit të tij imunitet-përforcues. Nëse je ftohur, një pije e përgatitur me mjaltë mund të lehtësojë simptomat.

5.Qetëson kollën: Mjalti Manuka është edhe më efektiv kundër kollës për shkak të veprimit më të lartë antibakterial që vjen nga prania e MG dhe përbërësve të tjerë bioaktive veç peroksidit të hidrogjenit që gjendet në të gjitha llojet e mjaltit. Ekzistojnë edhe disa karamele kundër kollës që përmbajnë mjaltë Manuka dhe propolist, por mund të kesh të njëjtat përfitime duke marrë 1 ose 2 lugë çaji mjaltë natyral Manuka me UMF 15+ ose më shumë. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ju pëlqen!

Kur të mësoni se çfarë vlerash ushqyese ka lakra e kuqe nuk do e ndani më nga tavolina

Sasia e lartë e flavonoideve , pigmentit bimor me veti fantastike antioksiduese, u jep ngjyrë frutave e perimeve të ndryshme. Një ndër to është dhe lakra e kuqe, por çfarë e bën këtë perime të një familjeje të madhe kaq të shëndetshme e të dobishme për shëndetin ,do e lexojmë më poshtë.

Ashtu si lakra e bardhë  mund të hahet e papërpunuar ose gatuar dhe lakra e kuqe mund të përfshihet shumë lehtë në regjimin ushqimor.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

 Lakra e kuqe ndihmon parandalimin e qelizave kancerogjene

Sa më e errët ngjyra e frutit apo perimit, aq më i lartë numri  i antioksidantëve. Kjo do të thotë se fuqia e lakrës për të luftuar radikalet e larta që dëmtojnë qelizat e shëndetshme, është shumë e lartë.

Ndihmon humbjen e peshës
E pasur me fibra dhe me vlerë të ulët kalorike, lakra na ofron shumë minerale e vitamina të rëndësishme për organizmin.

Sytë tuaj mund të përfitojnë nga lakra e kuqe
Ka kaq shumë lëndë ushqyese në lakrën e kuqe dhe një nga më të rëndësishmet është vitamina A. Kjo vitaminë është thelbësore për sytë dhe vizionin e mprehtë.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Mbështet sistemin tuaj imunitar
Duke pasur një sistem imunitar të fortë do të thotë më pak sëmundje dhe infeksione. Një nga mënyrat më të lehta për të rritur imunitetin tuaj është duke konsumuar më shumë lakër të kuq. Kjo perime është e mbushur me vitaminë C, një lëndë ushqyese e njohur për të ndihmuar në forcimin e sistemit imunitar.

Lakra e kuqe ndihmon në parandalimin e osteoporozës
Osteoporoza është një gjendje ku kockat bëhen të buta dhe të brishta. Shtimi i lakrës së kuqe në regjimin tuaj ushqimor,  mund të ndihmojë në parandalimin e shfaqjes së këtij problemi. Kjo për shkak të mineraleve të nevojshme për eshtra të forta si kalcium, magnez dhe mangan.

Kjo perime përmban glutamine, një aminoacid i njohur për të lehtësuar dhimbjen dhe inflamacionin e traktit të tretjes, të dyja të lidhura me ulçerën e stomakut.

Lakra e kuqe ndihmon në cilësinë e lëkurës

Vitamina A dhe C në lakrën e kuqe janë antioksidantë të fuqishëm, të njohur për vetitë e tyre kundër-plakje.  /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ju pëlqen!

Dëshmia e gruas çame: I ruaj ende flokët e djalit që ma vranë grekët para syve

“E quajtur Merushe nga Dovani u burgos me 3 çiliminj dhe doli vetëm nga burgu, atje i la të vdekur të tre.”

“Masakra në Çamëri”, është një libër i autorit, Kastriot Dervishi, i cili sjell dëshmi të të mbijetuarve dhe dokumente arkivore mbi masakrën ndaj popullsisë së Çamërisë në vitet 1944-1945. Duke shfrytëzuar arkivat e Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Arkivit Qendror të Shtetit, autori Kastriot Dervishi ka sjellë për lexuesit një përmbledhje prej 235 faqesh, të atyre materialeve, të cilat e pasqyrojnë një pjesë të rëndësishme të tragjedisë së Çamërisë. Janë dokumente zyrtare e dëshmi të kohës që vërtetojnë genocidin grek ndaj popullsisë së Çamërisë. Nga ky botim kemi shkëputur disa dëshmi të të mbijetuarve të tragjedisë së Çamërisë. Janë dëshmi të arkivuara në vitin 1947, pasi të mbijetuarit kishin mbërritur në Shqipëri.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Fatime Pronjo – Delvinë më 26 shkurt 1947

Ushtarët zervista hynë në Paramithi më 28 qershor 1944 të martën dhe të mërkurën. Ushtari zervist Kiço Koma nga Paramithia mori burrin tim Velinë, vjeç 68 dhe ma therri me thikë. Të enjten ushtarët zervista erdhën të merrnin vajzën time Shuquranën, por e shpëtova se ju dhashë të gjitha paratë që kisha afro tridhjetë miliona dhrahmi një unazë floriri dy gjysma djalit lirash dhe një palë vathë floriri, si edhe sende të tjera të çmuara. Zervisti Dhimo Pasko me djalin e tij Sotir Pasko nga Paramithija më morën djalin tim Abedinin, vjeç 19 dhe ma vranë brenda në shtëpi. Një tufë flokësh bashkë me lëkurën e kokës së tij e mbaj akoma në xhep për kujtim. Ushtarët zervista rrahën për vdekje djalin tim të vogël Prenjën para syve të mi dhe mbasi unë doja ta mbroja më rrahën barbarisht dhe mua. Kërkoj që komisioni të shkojë në vend për të hetuar rreth këtyre ngjarjeve të tmerrshme.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Melika Met Sali

Unë, Melika Met Sali nga Filati i Çamërisë njoftoj se në shtator të 1944, kur hynë ushtarët e Zervës në Filat, na mblodhën të gjithë neve shqiptarët duke na ndarë gra e çiliminj veç, ku përbëheshin prej 500 vetash dhe burrat veç. Na burgosën në ikotrofio të Filatit, ku nga uria vdiqën mëse 70 gra e çiliminj, sepse racioni bukës që na jepesh ishte vetëm 50 gram në ditë. Këtu pashë me sytë e mi të torturoheshin pa mëshirë shumë gra nga zervistat dhe midis të tjerave gruan e Sherif Sulejmanit, 50 vjeçare, e cila vdiq nga druri, si dhe nanën e Hate Hallunit nga Filati. Mua më rrahën personalisht me kamxhik. E shoqja e Xhelo Rexhos nga Dovani u burgos me 7 fëmijë nën 12 vjeç dhe këtu i vdiqën 6 fëmijë. Një e quajtur Merushe nga Dovani u burgos me 3 çiliminj dhe doli vetëm. 50 ditë na mbajtën në ikotrofio dhe pastaj na përcollën për në Koskë, pasi na morën të gjitha plaçkat që kishim me vete. Në Koskë, ushtarë të Zervës çnderuan 10 gra, nuse dhe vajza nga konaku, ku isha vetë. Nga këto e shoqja e Xhelo Galbaqit, së bashku me mbesën dhe të reja të tjera nga Varfanji e Lopësi. Kërkoj që komisioni të shkojë në krahinat e Çamërisë dhe të hetojë rreth sa thash më sipër.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ju pëlqen!

Si e spiunuan grekët Naim Frashërin te Sulltani, botoi historinë e Skëndërbeut

Grekët u nxituen me i a raportuem fill e për pê Sulltanit. Dhe kishin ç’i raportojshin! Se ajo s’ishte as historí, por nji libello  qi shfrente kundra Tyrqet vënerin e katërqind vjete të nji populli të pushtuem ashtu siç e ndiente, jo vetë ai popull, por auktori. Prûna vetëm nji shembull, por në letërsinë jugore, të botueme përjashta, ke sa të duesh edhe tjerë qi tregojnë se ç’synojshin intelektualët shqiptarë, se ku dojshin me dalë nëpër shkollat kombtare në gjuhë shqipe. Sikur shkrimi shqip, letërsija shqipe të kishte pasë nisun e vazhduem me vepra si Lahuta e Malcisë në të cilën shqiptarët gjithkund luftojnë “për mbret e troje të veta” e “të bardhën fé”, kush mundet me thânë se na nuk do të kishim pasun shkollat t’ona në gjuhën t’onë, librat t’anë e gazetat t’ona, jo vetëm lirisht, por edhe të nxitun e të subvencjonuem prej shtetit othoman? Vênu ti në thronin e Abdylit e gjyko në se ka faj, sidomos tue marrë para sŷsh se ndërsa shkrimet e Neim Frashërit me shokë ka pasun plot kush me t’i raportuem e me komentime të rafinueme, e ato të kokave të randa si Fishta me shokë jo. Un në të ritë t’em i kam kënduem me enthusjazëm e tue derdhun lot veprat e Neimit. Por sot i gjykoj historikisht. Pra këndej del edhe qi të drejtën duhet jo vetëm t’a keshë ndiem, kuptuem e çëmuem, por edhe të dijsh me e përdorë. Tjerë të huej, veç Greket, un s’besoj qi kanë bâmë intriga kundra gjuhës s’onë. Por besoj se do të ketë pasun Shqiptarë të poshtër, këta po, qi kanë menduem vetëm për interesat personale qi mund të biershin e mâ fort ato qi do të fitojshin tue trathtuem kombin e vet. Kush ka qênë? X-i e Y-i et. a në dash thuej dreqi e i biri!

“… i cannoni e i fucili tuonano.. eç.” i referohet sigurisht kryengritjes së Kosovës. “Malinteso” këtu âsht fjala për nji shprehje diplomatike, besoj un.

Un s’besoj se ka pasun nji komitet shqiptar Kombi: gazetë me kët’ emën po, por komitet jo. Ndoshta nji patrijot a nji grusht ksish kanë mujtun me përdorë nji emën të këtilë për të impresjonuem ke ka qênë nevoja. Âsht nji systemë revolucjonare të pafuqishmish qi e kam përdorë edhe vetë në 1910.

Unë e kam besuem gjithmonë se ndër Shqiptarë instinkti racjal ka qênë mâ i fortë se ndiesija fetare, por jo “interesa kombtare”, të cilën ata s’e kuptojnë as sod. Këtu s’po shkoj mâ gjatë, se besoj se ndryshimi ndërmjet dý shprehsivet kuptohet lehtë.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lidhja e Prizrenit dhe kundërshtarët

Shkupi, nën sûndimin othoman, ka mujtun me arsye me u quejtun qytet shqiptar. Posë qi afërsinat e tij kanë qênë me shumicë shqiptare, kujtoj se i tilë ka qênë edhe vetë. Influenca shqiptare ka qênë sigurisht mâ e fortë në Shkup se ajo e çdo elementi tjetër.

Ça i përket Ahmet-Muhtar Pashës do të ketë ndodhun kundra Lidhjes së Prizrendit (1878-1881). Me ato të dhâna qi gjêj në letrën t’ânde, un kështu mund t’a zgjidh atë problemë algjebrike.

Merqez = qêndër, kryevênd, kryeqytet, selí etj, simbas rasës.

“Nel Kazá di Luroshetc” do t’i afrohet mjaft së vërtetës.

Për Janinën un nuk dij kurrgjâ të sigurtë, madje nuk dij veçse çança qi vijshin rrotull aso kohe e që ishin në gojë të gjithë kundrështare të Ismail-Kemalit. Dij qi ky ka dekun pa ovull në xhep e qi në Vlonë pranë tij kanë qênë Luigj Gurakuqi, D. Nikoll Kaçorri e sa patrijotë tjerë të panjollë.

Mbas dokumentit qi po më thue, duhet të kenë qênë ndoshta edhe të krishtênë me Esatin në Shkodër, sado pak e ushtarë (luftarë) apo civila. Un me fakte nuk dij gjâ. Rândsij’e kushtit t’Esadit âsht kjo, qi në Shkodër po hŷnte Mali i Zi e, pa atë kusht, të krishtênët qi kishin qênë në shërbim të tij do të pësojshin dame e ndëshkime.

Përgjegjet i mbarova shi ku duhet e për tjera s’po kap nji copë letër tjetër mâ, por mirë se të flasim nji tjetër herë kur të më keshë shkrue ti, e tu mirë qofsh. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

M.Kruja

Ju pëlqen!

Lajmet e Gjergj Fishtës në gazetën “Hylli i Dritës”. Shkollë e të shkruarit të lajmit për gazetarët e sotëm shqiptarë

Patrrioti i madh i kombit Gjergj Fishta ka qenë po aq i spikatur edhe në gazetari. Lajmet e shkruar prej tij, vecanërisht në “Hylli i Dritës”, revista që ai e drejtoi për shumë vite me radhë, janë shkollë e të shkruarit të lajmit edhe për gazetarët e sotëm shqiptarë, shkruan MekuliPress.com

Më poshtë janë renditur katër nga lajmet e shkruara për “Hyllin e Dritës”. Në pak radhë përvec informacionit, shkëlqen edhe humori i jashtëzakonshëm i Fishtës.

Shkodër — Në Shkodër punët si herë për here… rrena, pluhun e baltë, kual e katana, muzikë, peca e… Rrnoftë Shqipënija sa të duesh. Por punë, pa të cilat s’ka si rrnon Shqipënija, pak e aspak. Gjindja janë ndejë hijeve pa punë, tuj pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash pale se shka po u bjen nana, vida-Europë, por për nji herë prit, Zot, veç mizat. E pra atdhetarët e shkretë plasën, plasën, u shkyen gërmazash tuj folë për Shqipëni e tuj punue për vedi! Për Shqipëni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare. (Hylli i Dritës, nr 1, 1913)
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lesh — Si filloi me ra dielli kah prendimi, kush muer malin, kush muer fushën e në Lesh s’mbet ma kush i huej, posë mushkajash. Puna ma e forta e ma e interesantshmja e asajë dite kje, qi nja tre a katër kasapë të pazarit të Lezhës u ngatrruen për nji lëkurë dhijet e kjenë gadi kah coptohen në vërcakë, po mos të qillueke me u hi ndërmjet Bajraktari i ri i Bajrakut të Lezhës. (Hylli i Dritës, nr 1, 1913)

Vlonë — Vlona, qi deri dje ka pasë kenë njoftë në Shqipëni ma së fortit për krypë dhijësh e për gurë pushkësh të gjata, sot, madje, n’uzdajë të Smajl Qemalit e të Qeverisë së tij, si edhe të Doganës, na duel punë e madhe. Kush për këshill e kush për miell, të gjith po ngasin në Vlonë… E qe se edhe Komisioni Ndërkombëtar, (uh! sa i gjatë me u shkrue ky emën Komisioni Ndërkombtar i Kontrollit u shkarkue ma së parit në Vlonë. (Hylli i Dritës, nr 2, 1913)

Tiranë — Duket se në Tiranë punët janë kambë e krye e, mbas gjaset, kanë me mbetë gjith hera ashtu. Po kah vinë këto ngatrresa? Dikush thotë prej ujit të Tiranës, pse tuj pasë ujët gëlgere, u çon peshë dejt atyne qi rrijnë mrendë. Disa thonë, me shum arsye, se asht interesa. Të jetë si të jetë, punët janë fort të këqija. (Hylli i Dritës, nr 8, 1921)./ /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ju pëlqen!

Çfarë ka ndodhur më 6 prill?

6 prill 1868-Brigam Young (Jang) martohet me gruan e tij të 27-të dhe të fundit. Young (1801 – 1877) njihet si themelues i qytetit Salt Lake, ishte guvernatori i parë i territorit Utah; themelues i Universiteteve Utah dhe Brigam Young.

6 prill 1896-Lojërat e para moderne Olimpike u hapë në Athinë, Greqi. Lojërat tërhoqën atletë nga 14 vende; ekipet më të mëdha ishin nga Greqia, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.

6 prill 1911-Gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe kundër pushtimit osman, luftëtarët e Hotit marrin majën e Bratilës afër Deçiqit dhe vendosin Flamurin Shqiptar kuqezi. Ngritja e Flamurit ishte edhe treguesi më i qartë se qëllimi i Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911 ishte luftë për liri, komb dhe shtet shqiptar.

6 prill 1917-Shtetete e Bashkuara të Amerikës i shpallën luftë Gjermanisë, duke hyrë në Luftën e Parë Botërore.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

6 prill 1981-Qeveria jugosllave dërgon trupa në Kosovë për të shtypur protestat e studentëve shqiptarë kundër kushteve të këqija të jetesës dhe që u shndërruan në demonstrata masive me thirrjet “Kosova Republikë!”

6 prill 1991-Ylli argjentinas i futbollit Diego Maradona pezullohet për 15 muaj nga Liga italiane për testim pozitiv për përdorim të kokainës.

6 prill 1992-Trupat serbe fillojnë rrethimin e Sarajevës, që zgjati deri më 29 shkurt 1996 (1.425 ditë); tre herë më shumë se rrethimi i Stalingradit dhe një vit më shumë se rrethimi i Leningradit nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ju pëlqen!

Testamenti i Mitrushit për fëmijët: Duajeni Shqipërinë deri në dhimbje edhe kur do të vuani pa faj

“Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobektësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë”

Në letrën e lamtumirës, që “mjeshtri i fjalës së shkruar” ka lënë para vdekjes, më së pari këshillon fëmijët që të “mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuajnë pa faj”, duke vazhduar me përjetimet nga terreni i letërsisë, “një tokë kjo tek gëlojnë gjarpërinjtë e të vrasin shokët, se u bën hije”. Po çfarë thotë tjetër në tekstin e testamentit MITRUSH KUTELI, gjeniu i letrave shqipe:
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

E dashur Efterpi,

Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurt, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.

Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrat e këqia. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minuta ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli.. Sipas mendjes sime shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehja e madhe, shkëputja nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike dhe shpirtërore. Që të dyja të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasoje e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç‘të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt. (…) Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Ta kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë helmi i fundit që po të sjell.

Ne u bashkuam, rrojtmë dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di.. I di ditët dhe netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobektësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këta vjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija – shqip dhe rumanisht – janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër intereset vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes,po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike – në fushën ekonomike – në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht,veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve, sepse ata mbajnë nën vete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë, kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër englezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar,aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vendas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali m i k gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë m i k, po vetëm k a p i t a l. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë. Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij – të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mija – të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë. Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin. Nisa të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva – ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa – dhe shiko se ku arrita.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë. Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit. (…)

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.

Yti, Dhimitraq

11 korrik,1966. Tiranë.(e hënë)
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ju pëlqen!

Shqipëria e viteve ‘30-‘40! Tarifat e avionëve për Tiranë, Peshkopi, Devoll, Kukës, Shkodër, Korçë, Vlorë e Gjirokastër

Fillesat e aviacionit në Shqipëri janë të lidhura me organizimin ushtarak të vendit. Në ligjin e vitin 1920 për organizimin e forcave të armatosura përcaktohej se ushtria shqiptare ndahej në fuqi tokësore, detare dhe ajrore.  Edhe pse fluturimet ajrore u përcaktuan me ligj si pjesë e forcave të armatosura, nuk mungojnë iniciativat për organizimin e transportit ajror civil. Në nëntor të vitit 1924 qeveria shqiptare nënshkruan një marrëveshje koncesioni 10 vjeçar me kompaninë gjermane “Lufthansa”. Në bazë të kësaj marrëveshje u krijua shoqëria ajrore shqiptare me emrin “Adria Aero Lloyd”. Nisja e zbatimit të kësaj marrëveshje shoqërohet nga ndërtimi pak muaj më vonë i të fushës së parë në kryeqytet që do të përdorej për uljet dhe ngritjen e avionëve. Kjo fushë u ndërtua në zonën e Shallvareve, me sipërfaqe 400 me 200 metra dhe destinacionet e brendshme ishin Vlora e Shkodra.

3 vite pas nisjes së funksionimit, shoqëria “Adria Aero Lloyd” u ble prej zyrës së Aviacionit Civil të Trafikut të Ministrisë së Ajrit të Italisë. Kjo solli edhe zgjerimin e fluturimeve drejt qyteteve të tjera si Elbasani, Gjirokastra, Korça apo Peshkopia. Po ashtu, u hapën edhe linja ndërkombëtare me kryeqytetet më të rëndësishme;  Romën, Sofjen, Beogradin apo Podgoricën. Krahas zgjerimit të linjave të transportit ajror, në Tiranë nis të ndërtohet aeroporti në zonën e Laprakës.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Në fillim të viteve ’30 rezulton se në Shqipëri operonin rreth 40 avionë që përdoreshin për qëllime ushtarake por edhe për fluturime civile lokale dhe ndërkombëtare.  Statistikat zyrtare të kësaj periudhe dëshmojnë një rritje progresive të numrit të fluturimeve civile, ku në vitin 1928 rezultojnë më shumë se 800 pasagjerë që kanë përdorur transportin ajror dhe në një periudhë 15 vjeçare numri i pasagjerëve arrinte në më shumë se 4 mijë.

Në vitet ’30 -’40 transporti ajror i brendshëm mori një hov të madh, lidhur kjo me faktin se u ndërtuan aerodrome thuajse në të gjitha qytetet kryesore. Në këtë periudhë, Shqipëria rezulton si ndër vendet e rralla në botë që kishte më të zhvilluar transportin e brendshëm ajror sesa format e tjera të transportit.

Në raportin e Italisë për Shqipërinë në vitin 1940, jepen në mënyrë të detajuar linjat ajrore civile. Në kushtet e mangësive e vështirësive që paraqitej për transportin rrugor, tregtarët do të përdornin masivisht linjat ajrore të brendshme për të blerë e transportuar mallrat.

Linjat ajrore do të manaxhoheshin në këtë periudhë nga shoqëria italiane “Ala Littoria”. Avionët që do të përdoreshin përë këtë qëllim ishin me dy ose tre motorë, të markës Savioa-Marchetti dhe Breda, me kapacitet të vogël. Thuajse çdo ditë zhvilloheshin fluturime nga Tirana në qytete të tjera të vendit, ashtu sikurse edhe në qytetet e vendeve perëndimore. Interesant është fakti se fluturimet drejt qyteteve jashtë vendit nuk bëheshin vetëm nga Tirana por edhe nga qytete të vogla si Devolli, Peshkopia, Vlora apo Shkodra. Kjo lidhet me faktin se për linja të tilla kishte interes nga personeli Italian që punonte në kompanitë që shfrytëzonin pasuritë natyrore.

Tarifat dhe linjat e fluturimeve ajrore

Transporti i pasagjerëve, i bagazheve dhe mallrave rregullohej nga direktiva e vitit 1933 për transportin ndërkombëtar dhe nga konventa e Varshavës e vitit 1929. Referuar këtyre rregullave, pasagjerët mund të transportonin bagazhe deri në 15 kilogramë. Për tejkalimin e kësaj peshe, paguanin një tarifë shtesë. Për fëmijët në moshën nën 3 vjeç duhej të paguhej 10 për qind e tarifës normale. Fëmijët e moshës 3 deri në 7 vjeç paguanin 50 për qind të tarifës normale.

Ndërkohë, linjat ajrore tëkësaj periudhe ofronin edhe zbritje të çmimit në masën 50 për qind për senatorët, ministrat e shtetit e këshilltarët, sekretarët federalë, funksionarët e shtetit italian dhe shqiptar, prefektët, zyrtarët e forcave ushtarake italiane e shqiptare dhe familjet e tyre, gazetarët italianë, akademikët etj.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Po ashtu, kishte edhe zbritje të tjera të tarifës nga 30 në 10 për qind, në varësi të funksioneve të personave që udhëtonin. Në tarifën për fluturimet përfshihej edhe kostoja e sigurimit që arrinte në 100.000 lira italiane.

Fluturimet ajrore dhe tarifat

Gjirokastër-Romë 100 franga ari

Gjirokastër-Tiranë 28 franga ari

Gjirokastër-Vlorë 11 franga ari

Korçë-Romë 93 franga ari

Korçë-Tiranë 20 franga ari

Devoll-Romë 84 franga ari

Devoll-Tiranë 11 franga ari

Kukës-Tiranë 25 franga ari

Kukës-Shkodër-Tiranë 31 franga ari

Peshkopi-Romë 88 franga ari

Peshkopi-Tiranë 16 franga ari

Romë-Tiranë 500 lira italiane

Selanik-Tiranë 14 dollarë

Shkodër-Brindisi 44 franga ari

Shkodër-Kukës 20 franga ari

Shkodër-Romë 84 franga ari

Shkodër-Tiranë 11 franga ari

Shkodër-Kukës-Tiranë 25 franga ari

Sofje-Tiranë 28.5 dollarë

Tiranë-Gjirokastër 28 franga ari

Tiranë-Brindisi 35 franga ari

Tiranë-Korçë 20 franga ari

Tiranë-Devoll 11 franga ari

Tiranë-Kukës 25 franga ari

Tiranë-Kukës-Shkodër 31 franga ari

Tiranë-Peshkopi 16 franga ari

Tiranë-Romë 75 franga ari

Tiranë-Selanik 39 franga ari

Tiranë-Sofje 83 franga ari

Tiranë-Vlorë 17 franga ari

Vlorë-Gjirokastër 11 frangaari

Vlorë-Romë 90 franga ari

Vlorë-Tiranë 17 franga ari

Tiranë-Vlorë-Gjirokastër dhe Tiranë-Vlorë

Kreshnik KUÇAJ/ /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ju pëlqen!

Lajmet e fundit