Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi dhe anëtaret e kryesisë Fitore Pacolli dhe Kreshnik Ahmeti, pritën në takim ish deputeten e Parlamentit Evropian, tani kryetare e Forumit të Gruas të Partive Popullore Evropiane, Doris Pack, e cila shoqërohej nga drejtori i Konrad Adenauer Stiftung në Kosovë, Johannes D. Rey dhe zyrtarë të tjerë të këtij fondacioni.

Pack uroi Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin dhe u interesua për procesin e negociatave për themelimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të VV-së, Bislimi njoftoi Pack për prioritetet programore të Qeverisë. Palët diskutuan për nevojën e prioritizimit të çështjeve socio-ekonomike si edukimi, zhvillimi ekonomik i vendit dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve.

“Në takim u pajtuam se për arritjen e këtyre qëllimeve domosdoshmëri do të jetë lufta e pakompromis kundër korrupsionit. Në fund të takimit, të dyja palët u pajtuan që t’i vazhdojnë dhe thellojnë raportet në mes tyre”, thuhet në njoftim.