Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe zv.kryeministrja Donika Gërvalla- Schwarz, njëherësh ministre e Jashtme dhe e Diasporës, gjatë vizitës në New York, takuan sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg.

Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me sekretarin Stoltenberg. Sipas Presidentes Osmani qëllimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në komunitetin euroatlantik.

Presidentja Osmani në takim me shefin e NATO-s, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe e cilësoi anëtarësimin në këtë organizatë, prioritet shtetëror të Kosovës, si një parakusht për sigurimin e paqes në rajon, ashtu edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta.

Ju pëlqen!

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se këtij hapi duhet t`i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Në këtë kontekst, e përmendi faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s, do t’ia mundësojë Kosovës një rol aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.

Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani tha se Kosova ka dënuar luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e bashkërendimit të shteteve demokratike në rajon me NATO-n për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të ndaluar veprimet destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Vetëfinancohemi! Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMONA sot me vetëm 1 Euro!