Qeveria e opozita
Ka disa kohë qi partia qeveritare, jo aq fort në Parlament po ma tepër me anën e gazetavet të veta, ka nisun t’u hapë nji luftë t’ashpër kritikash të kota e paditjesh të pa themel grupevet t’Opozitës. Mâ e vogla kritikë e mâ e lehta paditje qi u bâhen janë këto : Opozita e bân kundërshtimin për kundërshtim ; Opozita nuk don përparimin e Vêndit e të mirën e popullit, pse me kundërshtimet e veta pengon veprimin e Parlamentit e të Qeverís.

Qëllimi i gazetavet të partìs qeveritare âsht fare në shesh ; me kritikat e paditjet e veta, partia qeveritare jo vetëm kërkon të lajë veten tue i hjedhun fajin Opozitës, po mundohet edhe të ngrejë popullin kundër kësaj tue shpresuem se mund të përfitojë nga mosvaditja e këtij në jetën parlamentare.

Se sa t’i a ketë arrijtun apo mund t’i a arrijë këtij qëllimi partia qeveritare nuk âsht nevojë t’a themi, pse puna flet vetë. Populli i mjerë, qi pëson e vuen, i ka sjellun sŷtë kundrejt Opozitës pse prej kësaj pret mbështetje e ngushllim në të ligat e veta. Në vend qi t’ashprohet e të hidhnohet nga sjellja e Opozitës, populli çuditet për qëndrimin e saj dhe shumë herë përmallohet kur sheh sa mundimet e saj nuk nxjerrin fitimin e shpresuem e të merituem.

Jo me qëllim qi të hyj në polemikë me gazetat qeveritare, por për t’i dhânë popullit nji idè të kjartë mbi gjendjen e vërtetë të Parlamentit t’onë e mbi veprimin e Opozitës, e shoh me udhë t’u drejtoj dy fjalë nga shtyllat e gazetës “Ora e Maleve”, tue u munduem me e mbajtun bisedimin në nji sferë të naltë ashtu si i ka hije një kundërshtari të ndershëm e të drejtë.

Pikë së pari due të hedh poshtë paditjen qi Opozita e bân kundërshtime me qëllim qi me penguem veprimin e Parlamentit e të Qeverìs. Nj paditje e tillë nuk më duket aspak burrnore (loyale) nga ana e gazetavet qeveritare. Drejtori i Popullit të cilin e kemi koleg, e drejtori i Shtypit, i cili na nderon pothuajse për ditë me ardhjen e tij në Parlament nga shkaku i zyrës qi ka, nuk duhej t’a mohojshin pjesën e madhe e gratçore qi merr pakica në veprën legjislative të Parlamentit.

Këtë të drejtë ua ka njohun edhe Shumica pjestarvet të grupevet t’Opozitës, tue zgjedhun prej këtyne gjithë kryetarët e Komisivet Parlamentare, përveç atij të Komisìs së Punvet Botore e të Bujqësìs. Projekt – ligjet e kontratat e paraqituna prej Qeverìs në Parlament, të cilat rrallë herë janë të hartueme si duhet, formulohen nëpër komisì prej pjestarvet të Pakicës, e këta, gati gjithmonë, janë edhe relatorët e tyne në Parlament.

Si mund të thuhet pra se Opozita pengon veprimin e Parlamentit, kurse kjo merr nji pjesë aq aktive tue bashkëpunuem edhe me Qeverìn në hartimin e formulimin e projekt – ligjevet e të kontratavet për konçesione?

Zelli e kujdesi në punë i pjestarvet të grupevet t’Opozitës vete aqë larg sa shumë herë nji koleg i Shumicës tallet me ta tue u thânë : “Na ju kemi vetëm për puntorë qi të na fabrikoni ligjë, të cilët pastaj i vêmë në veprim ashtu si duem vetë!” Po këto tallje nuk u a hjekin guximin e zellin pjestarvet të pakicës, të cilët kryejnë detyrën e vet tue punuem pët të mirën e Shtetit, pa vue rè se cila âsht sot Qeverìa qi e përfaqëson. 

Prapë edhe paditja se Opozita pengon veprimet e Qeverìs âsht fare e pathemel dhe e padrejtë. Deputetët e Pakicës nuk e kanë për zakon të venë nëpër ministrì e zyra qeveritare për t’emnuem e shpërngulun nëpunës e për të kërkuem favoritizma të ndryshëm. Edhe pyetjet e interpelatat, qi i drejtohen Qeverìs prej deputetvet të pakicës, janë fort të rralla, e vetëm n’ato rasa kur shpërdorimet bâhen tepër të rânda e kur heshtja prej anës së tyne mbi to do t’ishte nji tradhëtì e barrës qi u ka ngarkue populli. E ky kursim në pyetje e n’interpelata ka për qëllim qi të mos i humbet koha as Parlamentit as Qeverìs.

Sa për kritikën tjetër, qi i bâhet Opozitës, se ajo nuk âsht e zonja t’organizohet për të marrë Qeverìn në dorë nuk âsht nevojë të flasim, pse kjo i bân mâ tepër nderë se dhunë Opozitës, tue treguem sheshazi se pjestarët e saj nuk kanë ambicion, e se pra nuk bâjnë luftë karrigash, po parimesh e idèsh. Qëllimi i kundërshtimit në Parlament nuk mund të jetë gjithmonë rrëzimi i Qeverìs apo të shtruemit e saj nën vullnet t’Opozitës.

Kjo shumë herë duhet të kënaqet mbas rasavet e rrethanavet, edhe me nji fitim negativ, domethânë, qi të paksojë të këqijat qi nji Qeverì mundet me bâmun. Këtë fitim Opozita e ka arrijtun në nji farë mase, e prova âsht se populli tutet e friksohet gjithsaherë qi merr pushim Parlamenti, pse në tê ka shpresën mâ të madhe për sigurimin e vet.
Gazetarët e Shumicës le të jenë pra mâ burra të drejtë kundrejt Opozitës e të mos i hedhin faje qi nuk ka.

Luigj Gurakuqi

“Ora e Maleve” Shkodër, e Djelë, 27 maj 1923/MekuliPress/

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]