Kufizimet e ashpra janë plotësisht të nevojshme për të shpëtuar jetë. Kështu pohon Organizata Botërore e Shëndetësisë që paralajmëron Europën, e cila po përballet me valën e dytë të pandemisë koronavirus.

Kjo vjen ndërsa miliona qytetarë në kontinentin e vjetër po jetojnë mes masave tepër strikte. Por OBSH saktëson se situata nuk është e njëjtë me atë të marsit apo prillit.

“Jemi me të vërtetë të shqetësuar dhe është koha për të shtuar masat, por përsëri, në një mënyrë graduale. Dhe disa vende që janë më keq duhet të shkojnë shumë më larg se vendet e tjera. Por nuk duhet të përmbahemi. Pra, mesazhi kryesor këtu për qeveritë është ‘mos u përmbani’ me veprime relativisht më të vogla në mënyrë që të shmangni të njëjtat veprime shumë të dhimbshme dhe dëmtuese që pamë në valën e parë”, u shpreh Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH për Europën.

Shtete si Polonia, Çekia, Holanda e shumë të tjera në Europë kanë shtuar kufizimet për të frenuar pandeminë, ku nuk kanë munguar dhe izolimet e pjesshme apo mbyllja e shkollave e bareve. OBSH paralajmëroi se rritja e rasteve ditore me koronavirus në Europë mund të pasohet nga një shtim i nivelit të vdekshmërisë. Shqetësim që konfirmohet edhe nga Bashkimi Europian.

“Shifrat e Covid-19 po shkojnë qartësisht në drejtim të gabuar. Po ndjekim me shqetësim të madh shtimin gjithnjë e më të shpejtë të nivelit të infeksionit në të gjithë Bashkimin Europian. Bashkë me të, po shohim gjithashtu edhe një shtim të numrit të shtrimeve në spitale. Fatkeqësisht po shohim edhe një shtim të numrit të qytetarëve që po humbasin jetën”, tha Stella Kyriakides, komisionere e BE për shëndetësinë.

Eurokomisionerja këshillon shtetet që të marrin masa për të shmangur pasojat shkatërruese, sociale dhe ekonomike, që sjellin izolimet e përgjithshme. Zyrtarja prezantoi në Brukskel dhe strategjinë e Bllokut për vaksinën kundër koronavirusit të ri, ndërsa tha se ajo nuk do ta zhdukë pandeminë si me magji, por do të luajë një rol të rëndësishëm në shpëtimin e jetëve.