Nxënësit bëhen për emergjencë, policia dhe QKMF-ja nuk dinë gjë

Një aksident i tmerrshëm ka ndodhur dje në fshtin Bardh i Madh të FushëKosovës, ndërkaq QKMF-ja si dhe stacioni policor i kësaj komune nuk dinë gjë. Bëhet fjalë për lëndimin e disa nxënësve të SHFMU “Zejnel Salihu”, në ndërrimin e paraditës. Raportimin e kanë bërë disa prindër, fëmijët e të cilëve e kanë përjetuar shumë rënd këtë ngjarje, të cilën ua kanë rrëfyer pasi kanë shkuar në shtëpi shumë të shqetësuar.
Sipas këtyre prindërve, që kanë preferuar të mbesin anonim, aksidenti ka ndodhur si rezultat i shembjes së një pjese të skeleve që janë vendosur përreth objektit të shkollës, i cili po rinovohet dhe izolohet, ndërkohë që mësimi po zhvillohej normalisht.
Sipas informatave që na janë dërguar nga një pjesë e personelit të shkollës, armaturat e skeleve kanë rënë në dritaret e njëres klasë me ç’rast kanë goditur disa nxënës gjatë procesit mësimor, ndërkaq dy vajza kanë marrë lëndime serioze në kokë dhe shpinë.
Pas kësaj ngjarje, personeli arsimor dhe drejtori kanë alarmuar ngjarjen, ndërkaq ka qenë drejtori i Drejtoratit të arsimit në Komunë, Islam Shabani, që i ka kërcënuar ata që të mos e lajmërojnë QKMF-në dhe as policinë e FushëKosovës, por ka urdhëruar që nxënësit e lënduar të dërgohen me vetura private për trajtim në Prishtinë.
Në interesimin tonë për të marrë informata nga QKMF-ja na kanë thënë të mos bëjmë propagandë, ndërkaq policia nga Stacioni Policorë në këtë komunë nuk e kanë pohuar dhe as mohuar aksidentin, por na janë përgjigjur duke na thënë “mbasi jeni gazetar, shko kqyrni vet çka ka ndodhë” dhe na është mbyllë telefoni.
Nga ana tjetër, opozita në këtë komunë e ka konfirmuar aksidentin. Kryetari i degës së PDK-së në Fushë Kosovë, Rrahim Ternava ka thënë se ka informacion se dy vajza kanë marrë lëndime serioze, ndërkaq ka shprehur shqetësimin e tij për mos raportimin e rastit tek institucionet kompetente.
Ndërkohë në raportin 24 orësh të PK-së ky aksident nuk figuron fare.
/a.b/

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!