Besoni se vetën e kam paguar mirë

Muharrem Smajl Vuthaj i lindur më 18. 02. 1947 në fshatin Tëdel (Vrellë) Komuna e Burimit (Ish Istogut) edhe pse i plagosur rënd për vdekje, gjënë forcë të shkruaj letrën e tij të fundit.

Muharrem Smajl Vuthaj ishte në vijën e frontit për plot 23 ditë, me moral të lartë duke u përballur me vdekjen i drejtohet familjes së tij.
Muharrem Smajl Vuthaj i bashkëngjitët ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në brigadën 133 “Adrian Krasnioqi”. Gjatë ofensivës së egër të ndërmarrë nga forcat serbe më 12 e 13 prill 1999 kundër fshatit Tëdel (Vrellë) plagosët.

Ju pëlqen!

Letër familjes së nderuar
Këtë letër po e shkruaj pas njëzet e tre ditësh në stallë, nga së në dhomë nuk munda të qëndroja së frynte nga të gjitha anët dhe bënte ftohët. Në trup i kam tre plagë. Nuk po më shërohen… e kam zor… Zoti është i madh. Më mushkri të pulës po i shërojë plagët. Me erdhi vetë në dorë së nuk kisha mundë me e zënë, dhe e preva. Shkiet po endën, dhe shumë herë po vijnë në bahçe të Selmanit, e kah çezma, për livadh të Sali Qërimëve. Po bëhem gati të vdes. Atë ditë kur u plagosa, dy net fjeta në Derrpa. Neziri i Mujaj mësa më duket është vrarë pranë meje. Me djalin e Binak Shabanit gjithë natën ecëm derisa arritëm deri të Livadhi i Isë Zeqirit. Në mëngjes, ai u nis drejtë vreshtit të Shaban Delive për me dalë në Sudenicë. Ia lash amanet, le ti thotë dikujt së këtu kam mbet që dy ditë e net e të vijnë të më tërheqin…

U nisa për Fushë Verr për me pi ujë. Gjithë natë kam ecë rrëshqitas, gjunjas e në mëngjes arrita. Dy net fjeta në mal të Hasan Isufëve ndoshta mos po luan dikush për në bjeshkë… atëherë, jam nisë për shtëpi. Thashë së, edhe nëse vdes nuk kam dert, bile mos të vdes në mal. Gjithë ditën mëzi kam mbërri deri të Vreshti i Veselëve. Aty kam fjet një natë. Por kah shkova teposhtë, në Log të Fushë Verrit, kishte qenë i vrarë Binak Rama me një plumb në kokë.

Në mbrëmje u nisa për shtëpi. Prej Vreshtit të Veselëve mëzi arrita në shtëpi rreth orës tre të mëngjesit. I shifsha rojet e shkieve. Depërtova por nuk pata ku të hyj… krejt shkrumb… vetëm një batanije kishte ngelë përjashta sa për t’u mbështjellë me të. Nja një javë kam ndejtë me atë batanije duke u avitë diqysh. Mandej, vendosa të shkojë në shtëpinë e Muhamet Rexhepit. Mezi shkova. Gjithë natë kam ecë rrëshqitas, sepse gjunjët mu ajen. Ma keq kam hequr me gjunjët së sa me plagët. Aty pushova, por duke menduar së a po vijnë më me djegë sonte a nesër. Një ditë, në oborr erdhën disa edha, por nuk e dita së nga kishin hyrë… mezi i qita jashtë. Një edhe e preva duke menduar së mundëm me e hëngër ndonjë grimë mish.

E preva në prag të shtëpisë, aty afër odës së Muhametit… aty ku ishte shporeti. Nuk munda as me e kërku! Ishalla është kurban, mendova dhe e gjuajta mbi derë e në bahçe. Të nesërmen hynë edhe dy edha në oborr. I pashë nga dritarja afër dhomës së Rifatit. Thashë, po shkoj e po e mbylli derën e mos të hyjnë prapë së bënin zhurmë viranët. Shkova, e mbylla derën e u ktheva. Kur deshta me dalë në oborr e më i tutë ata dy edhe, i dëgjova ushtarët, hynë në shtëpi të Rifatit. Katër veta ishin. Jam kthye shpejt në dhomë të armët, bile as derën nuk munda më e afrue. Pasi kanë hy në korridor, dolën në oborr. Unë mendova së më kanë parë kur i dëgjova të thoshin: “Eh patriot qenka ky, po e zëmë.” Ata e kishin pas fjalën për edh. E zunë edhin e shkuan. Ata endeshin shpesh aty pari, andaj vendosa t’i marr disa rroba e të shkoj prapë në shtëpinë time. Kështu, mora një abuli, një batanije dhe një jorgan të vogël. I lidha dhe duke u rrokotelë gjithë natën mezi arrita në stallën time. Tani jam këtu. Që i shpëtojë vdekjes nuk ma merr mendja së jam duke u lodhur më të madhe. Plagët nuk po më shërohen, por pasi e di që çikat, djemtë, nipat e mbesat janë mirë, hiç nuk po kam dert.

…..Nuri, mos u mërzit, epu gajret fëmijëve. Xufen e përshëndes, mos të qanë për mua. Gjithmonë i kam thënë: „ku e merr të vdesë për liri“. Besoni se vetën e kam paguar edhe mirë. Ju përshëndes të gjithëve si jashtë ashtu edhe këtu… Ju përshëndes pa mall se po vdes për Kosovë, për Atdhe, për liri, për të ardhmen e për fëmijë. Nuk po me dhimbsët shpirti hiq… as sa një fije bari… Vetëm bëhuni të bindur se për së gjalli kush nuk luan me mua, se i kam armët. Një shka e vrava në derë, edhe nja dhjetë janë më lartë.
Ju përshëndes të gjithëve këtu dhe jashtë atdheut, me zëmër, me shpirt e me mall që mos të qani për mua, se unë e kam dhënë jetën për liri, se liria pa gjak nuk fitohet. Jam i plagosur në të dy këmbët dhe në shpatull të majtë. Që 48 orë jam në një vend, pa hëngër e pa pi, pa me dhanë ndihmë askush. Shkiet po sillen rreth meje. S’kanë mundë me më diktua… por unë vetën e kam paguar.

Po vijnë disa zogj e po këndojnë mbi mua… e unë i vetëm, po shkoj çdo minutë kah vdekja… Mezi po shkruaj… Gërrqe po mi merr duart… Kam ecë gjithë natën gjunjas deri të logu në Fushë të Verrit… 60 orë pa ngrënë… atëherë t‘a kisha pas dikë që të me çonte diku tjetër do të shërohesha… se isha i fort, as vetë nuk e kam besuar se jam kështu… Hiq shpirti nuk po me dhimbset pasi nuk me zunë shkiet. Nja 10 metra me ta jam kanë, një shanzher e kam harxhuar mbi ta, 30 copa fishek. Binin për tokë. Më vonë i kam dëgjuar kur i kanë marrë me një qerre…..
PO SHKOJ PËR LIRI
E GËZOFTË RINIA

Përgatiti: Muharrem Blakaj

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Vetëfinancohemi! Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMONA sot me vetëm 1 Euro!